Statistikat, Argjentina dhe Gjermania në fron

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2014 | 16:15

Statistikat, Argjentina dhe Gjermania në fron

shifratSpanja nuk është vetëm kampionia e botës që u eliminua që në fazën në grupe. Iberikët kanë humbur edhe filozofinë e tyre, pasi ekipe të tjera kanë arritur të jenë më superiorë në statistika. Ndërkohë që kanë qenë gjithmonë “diktatorë” në zotërimin e topit, tashmë kanë zbritur prej fronit. Argjentina është skuadra me mesataren më të lartë pas tri ndeshjeve të para, me 65.6%, e ndjekur nga Gjermania me 62%. Skuadra e Joakim Lëvit është ajo që ka zhvilluar më tepër pasime të shkurtra, me një mesatare prej 593 për takim. Ndërkohë, Italia e Prandelit ka qenë ekipi me saktësinë më të madhe në pasim, por rezultat që duket se nuk influencoi për të evituar eliminimin e shpejtë nga kompeticioni. Në statistikat pas përfundimit të fazës në grupe vërehen qartë pikat e forta dhe të dobëta të skuadrave, apo se ku e bazojnë ata lojën e tyre. Hondurasi, plot 73% të gjuajtjeve në drejtim të portës, i ka bërë jashtë zonës së rreptësisë, ndërsa Algjeria ka bërë 77% brenda saj. Ekipi i Belgjikës është ai që dhuron më tepër driblime, i ndjekur nga Bosnja, ndërsa Kosta Rika e praktikon më pak një gjë të tillë, saktësisht 2.3 driblime për takim. Grekët janë ekipi që shkaktojnë më tepër ndërhyrje të gabuara, ndërsa kroatët më pak. Kili, i cili arriti të linte pas krahëve Spanjën, është kombëtarja që përdor më tepër pasimet e gjata, referuar edhe forcës së tyre kundërsulmuese.
Futbollistët – Sa u përket statistikave individuale, ajo që bie në sy menjëherë është futbollisti që driblon më tepër dhe kryeson, pikërisht Lionel Mesi, me 5.7 për ndeshje, i ndjekur nga Aleksis Sançez. Kristiano Ronaldo është munduar ta shfrytëzojë sa më shumë gjuajtjen e tij potente, duke qenë edhe lojtari që ka goditur më tepër herë në drejtim të portës kundërshtare (7.3), duke lënë pas Karim Benzemanë. Daniele de Rosi dhe Toni Kros kanë bërë më tepër pasime, duke qenë një pikë e rëndësishme në lojën e ekipeve respektive. Ndërkohë futbollisti, që është dribluar më shumë herë, është nigeriani Onazi, i cili aktivizohet me klubin e Lacios.

Ja formacioni më i mirë dhe më i keq i grupeve
E përditshmja prestigjioze “Gazzetta dello sport” ka analizuar paraqitjen e futbollistëve në fazën e grupeve dhe ka bërë përzgjedhjen e 11-shes më të mirë dhe më të keqe deri tani. Te më të mirët bie në sy që repartin sulmues e udhëheq Karim Benzema, duke lënë pas vetes Van Persin dhe Mylerin, për shkak se ka bërë diferencën thuajse i vetëm te Franca. Pas tij janë Mesi, Nejmar dhe Xhejms Rodrigez i Kolumbisë. Ndërkohë, trajner është përzgjedhur Horge Pinto i Kosta Rikës, i cili e kualifikoi skuadrën si të parën, në grupin “e ferrit”. Ndërsa te formacioni më i keq janë dy italianë dhe tre spanjollë. Baloteli dhe Kasano prej të kaltërve, i pari, sepse zhgënjeu si titullar, i dyti se nuk bëri asgjë sa herë që u fut si zëvendësues. Sakaq, prej iberikëve janë përzgjedhur Diego Kosta, Xhordi Alba dhe Pike, të cilët gjithashtu nuk arritën të tregonin se meritonin besimin e trajnerit Del Boske.
formacion

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"