STATISTIKAT/ 22 pikë pas 12 javësh, Partizani kryesuesi më i dobët i dekadës së fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 21:14

STATISTIKAT/ 22 pikë pas 12 javësh, Partizani kryesuesi më i dobët i dekadës së fundit

Kategoria Superiore, edicioni i 81-të, ndodhët në prag të serisë së 13-të, e cila do të luhet javën tjetër, për shkak se kjo fundjavë është pushim nga angazhimet e ekipeve kombëtare. Pas 12 javësh është Partizani i trajnerit Franko Lerda ai që udhëheq kampionatin, ndonëse duhet pranuar se të kuqtë nuk e nisën mirë sezonin dhe kanë pasur luhatje gjatë kësaj pjese. 

cinari nuk feston partizani

Renditja aktuale tregon se gabimet dhe hapat falsë kanë qenë më të shumta te skuadrat e tjera pretendente që vijnë në ndjekje të “demave”. Në 12 javë kampionat, Partizani ka grumbulluar 22 pikë, me 6 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje, golavarazh 15-8. Referuar ecurisë, ku të kuqtë kanë dy pikë më shumë se Bylisi i vendit të dytë dhe tri më shumë se Tirana dhe Laçi, i bie që të besuarit e trajnerit Lerda janë në rrugën e duhur për mbrojtjen e titullit.

Duke u kthyer pas dhe shfletuar statistikat, del se kampionati i këtij sezoni ka një rënie të dukshme në krahasim me edicionet e kaluara, ndonëse ka zëra që e quajnë këtë kampionat si konkurrent apo të çuditshëm për vetë ngjeshjen që kanë skuadrat në renditje. Referuar statistikave të 10 sezoneve të fundit në Superiore, del se Partizani është kryesuesja më e dobët e dekadës së fundit pas 12 javësh kampionat.

Në asnjë rast në këtë periudhë nuk kishte ndodhur që ekipi kryesues të kishte 22 pikë në 12 javë kampionat. I vetmi sezon që mund të përafrohet me aktualin është ai i edicionit 2013- 2014, që përkonte edhe me kthimin e “demave” në elitë pas një mungese 4-vjeçare, ku Skënderbeu pas 12 javësh udhëhiqte me 23 pikë. Duke u bazuar te statistikat e 12 javëve të para, del se në dekadën e fundit kryesuesja më e fortë ka qenë Teuta e sezonit 2011- 2012, që udhëhiqte me 31 pikë, ose thënë ndryshe nëntë më shumë se kryesuesit aktualë.

Renditja e kryesuesve te fundit

Partizani i trajnerit Lerda i ka shifrat më të ulëta edhe se të kuqtë e vitit të shkuar, ku nën drejtimin e Skënder Gegës, pas 12 javësh kampionat kryesonin renditjen me 28 pikë, ku kishin arritur 9 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, si dhe golavarazh 14-5. Partizani më i fortë i dekadës së fundit pas 12 javësh mbetet ai i sezonit 2015- 2016, ku nën drejtimin e trajnerit Sulejman Starova kryesonin renditjen me 30 pikë.

ILIR CARA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"