STATISTIKA/ Vllaznia ka “hapur portën”, bilanci me sezonin e kaluar lë për të dëshiruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2021 | 17:15

STATISTIKA/ Vllaznia ka “hapur portën”, bilanci me sezonin e kaluar lë për të dëshiruar

Vllaznia e mbylli fazën e parë në vendin e tretë, me pikë të barabarta me Teutën, që pozicionohet më poshtë për efekt golavarazhi. Fitorja ndaj Kastriotit riktheu qetësinë e munguar në kampin shkodran, por gjithsesi faza e parë tregoi shumë luhatje.

Barazimet kanë zënë peshën më të madhe të rezultateve të Vllaznisë në këtë fazë, por ajo që ka rënë më shumë në sy është fakti se ekipi pëson shumë gola, plot 14.

VLLAZNIA

Në krahasim me një sezon më parë, kuqeblutë kishin grumbulluar 19 pikë dhe ishin të vetëm në krye të renditjes. Ndërsa, këtë kampionat kjo skuadër ka arritur që të grumbullojë 13 pikë. Gjashtë pikë më pak konfirmojnë luhatjet në lojë dhe rezultate. Sulmi kuqeblu ka treguar vetëm në tri takime një supermaci ndaj skuadrave kundërshtare.

Vetëm 3 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje tregojnë që një skuadër nuk është brenda pritshmërive dhe objektivave që kanë drejtuesit këtë sezon. Stafi pretendon se skuadra është më cilësore se ajo e kampionatit të kaluar, në një kohë që shifrat tregojnë se në fazën e parë të vjetshme ishin marrë 6 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje.

Skuadra e Tomas Brdariç ka dominuar për më tepër me lojë ndaj çdo kundërshtari në sezonin e kaluar, duke e mbyllur në vendin e parë pas 9 ndeshjeve. Vllaznia e këtij sezoni ka shënuar 17 gola, ku vetëm në tri takime kanë realizuar pjesën dërmuese (14). E veçanta e Vllaznisë së kësaj faze të parë është se vetëm në një përballje nuk kanë pësuar gol, pikërisht atë ndaj Skënderbeut, ndërsa në gjithë takimet e tjera porta e Zogoviçit është ndëshkuar.

GOLAT E PËSUAR
Një sezon më parë Vllaznia kishte shënuar 14 gola dhe kishte pësuar gjysmën e tyre, vetëm 7. Ndërsa kjo e këtij kampionati ka realizuar 17 herë dhe ka pësuar 14 gola. Kjo ka sjellë ndoshta edhe ato probleme që skuadra po kalon tani, pasi është pikërisht pika më e dobët.

Vllaznia e këtij sezoni mban një rekord të golave të pësuar, teksa një sezon më parë skuadra pësoi vetëm 7 gola në tetë takime dhe u ndëshkua pikërisht katër herë nga Kukësi, dy herë nga Tirana dhe një herë nga Laçi. Në dy takimet e vjetshme me Kukësin e Laçin ishin humbjet e vetme të Vllaznisë, por në 6 takime portieri Zogoviç e mbrojtja kuqeblu e mbajtën të paprekur portën e vet.

Me sa duket, problemet e Vllaznisë në aspektin mbrojtës duket se janë të mëdha këtë sezon. I pyetur se kur do të ndalë ky problem dhe pavarësisht se pësohet edhe kur gjithçka zotërohet nga Vllaznia, siç ishte përballja ndaj Kastriotit, Brdariç ende s’po gjen zgjidhjen.

“Ne fituam dhe mendoj se duhet që të jemi pozitiv. Nuk e kuptoj që të bëhen pyetje me sens negativ, pasi pësuam një gol. Mua nuk më pëlqen kur pësojmë gola. Ne duhet që të jemi të përqendruar që të mos pësojmë gola të thjeshtë, sidomos nga goditjet standarde”, ka thënë Brdariç pas takimit me Kastriotin.

Por, ende me sa duket nuk po gjen “recetën” që do t’i ofrojë të tijve për të mos pësuar në të tilla raste dhe për më tepër gola shumë të thjeshtë. Këtë të shtunë, skuadra kuqeblu do të luajë ndaj Laçit, aty ku nisi sezonin me një rezultat spektakolar. Bardhezinjtë kanë qenë si një mace e zezë për shkodranët në vitet e fundit.

Megjithatë, pas triumfit ndaj Kastriotit, një tjetër trepikësh në Shkodër do të thoshte shumë për vazhdimësinë. Kalendari i rezervon Vllaznisë më shumë ndeshje brenda sesa jashtë fushe në katër javët e ardhshme.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"