STATISTIKA/ Asnjë sekondë pushim në kampionat, Strakosha regjistron tjetër arritje Itali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2020 | 8:41

STATISTIKA/ Asnjë sekondë pushim në kampionat, Strakosha regjistron tjetër arritje Itali

Gjithnjë në fushë me Lacion. Asnjë sekondë të humbur. Thomas Strakosha ka regjistruar një sezon rekord me Lacion, duke u renditur në krye të Serisë A referuar minutave të luajtura në këtë kampionat me shumë çudi dhe ndalesa. Jo vetëm kaq, por numri një i portës së Lacios e gjen veten edhe mes pesë portierëve që kanë numrin më të lartë të ndeshjeve që i kanë zhvilluar pa pësuar gol.
notizie-lazio-strakosha-scaled
REKORD MINUTASH
Asnjë minutë të humbur. Ky është shënimi që ka bërë “Transfermarkt” për statistikat e portierit shqiptar. Thomas Strakosha ka luajtur në çdo sekondë që Lacio ka qenë në fushë për llogari të Serisë A këtë sezon.
11111111111111111
Shqiptari është në krye të listës për minutat e zhvilluara teksa ka qenë në fushë për 3420 minuta. Njësoj si portieri shqiptar ka bërë edhe Huan Muso i Udinezes, i cili gjithashtu ka shënimin se nuk ka humbur asnjë minutë përgjatë këtij kampionati. 25- vjeçari shqiptar i ka zhvilluar të 38-të ndeshjet duke u bërë lojtari me numrin më të madh të minutave në të cilat është aktivizuar këtë sezon në Serinë A.

NDESHJE PA GOL
222222222222

Për portierët ka një sërë faktorësh që i bëjnë të renditen mbi njëri-tjetrin në fund të një kampionati. E teksa në Itali është ulur sipari i ndeshjeve për sezonin 2019- 2020, Thomas Strakosha e gjen veten mes pesë portierëve me statistikat më të mira këtë sezon. Kur bëhet fjalë për numrin e ndeshjeve pa pësuar gol (Clean Sheets), numri një i Kombëtares shqiptare ka zhvilluar 11 ndeshje nga 38 këtë sezon pa iu prekur rrjeta. Në total, bëhet fjalë për 28.9% të ndeshjeve të tij këtë sezon, që Strakosha ia ka dalë t’i luajë pa pësuar gol. Në krye të këtij klasifikimi është portieri i Udinezes, Huan Muso. Ai ka zhvilluar 36.8 % të ndeshjeve të këtij sezoni pa pësuar gol, në total 14 nga 38. Në vend të dytë është milanisti Donaruma me 13 pa pësuar, 36.1% të 36 ndeshjeve që ka zhvilluar. Shezni, i shpallur kampion me Juventusin ka ruajtur portën e bardhezinjve pa pësuar në 11 nga 29 të zhvilluara, 37.9%.

ETRIT BERISHA
berisha

Në këtë klasifikim është i përfshirë edhe portieri tjetër i Kombëtares, Etrit Berisha. Teksa në muajt e fundit nuk ka qenë pjesë e SPAL për shkak të dëmtimit në gishtin e dorës, portieri shqiptar është renditur në vend të 21-të. Me 26 ndeshje të zhvilluara, Berisha ka ruajtur në 3 prej tyre portën të paprekur me totalin prej 11.5%. Portieri i Kombëtares ka bërë më mirë në këtë aspekt se portierët Alfonso të Breshas, Pegolo i Sasuolos, Mirante i Romës si dhe Marko Sportielo i Atalantës.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"