Starton Liga Unike, kosovarët e Pejës eliminojnë Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2021 | 13:42

Starton Liga Unike, kosovarët e Pejës eliminojnë Vllazninë

Edicioni i parë i Ligës Unike, eventi i për bashkët i basketbollit me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova, ka ngritur dje siparin me ndeshjen hapëse ndërmjet Vllaznisë dhe Pejës të zhvilluar në pallatin e sportit në Rahovec, aty ku po mbahet edhe faza e parë “Final 8”.

VLLAZNIA PEJA BASKET

Që në takimin e parë u pa disniveli që ekziston mes skuadrave të të dyja vendeve, teksa Peja e dominoi takimin ndaj shkodranëve duke triumfuar me rezultatin 90—73. Kuqeblutë rezistuan vetëm në periodën e parë, duke fituar me 1 pikë, ndërsa më pas ishte skuadra kosovare ajo që e kontrolloi lojën, duke siguruar biletën për në fazën “Final 4”, që do të mbahet gjatë fundjavës në sallën “Dhimitraq Goga” në Durrës.

NDESHJA

Koshi i parë i Ligës Unike mban firmën e Vllaznisë, që realizon për 2 pikë me anë të Diksonit, ndërsa amerikani tjetër, Stanlej, i dërgoi shifrat në 4-0 për kuqeblutë. Por, Peja reagoi dhe gradualisht filloi ta kontrollonte lojën, për të marrë kryesimin 13-7. Megjithatë, në minutat e fundit të periodës së parë, Vllaznia luajti me entuziazëm dhe me një kosh për 3 pikë në limite të kohës nga Stanlej, 10- minutëshi i parë u mbyll 17- 16 për shkodranët. Por vetëm kaq, pasi më tej Peja nisi të dominonte, duke e fituar periodën e dytë 26-17, për të shkuar në pushim me 8 pikë avantazh. Edhe fraksioni i tretë shkoi në favor të skuadrës kosovare 23-19, që kryesonte 65-53 kur kishin mbetur edhe 10 minuta lojë. Peja e kontrolloi pa problem lojën deri në fund, duke fituar 25-20 në periodën e katërt, për ta vulosur fitoren me 17 pikë diferencë. Peja do të përballet tashmë në gjysmëfinale me Rahovecin, këta të fundit morën fitore në tavolinë pas tërheqjes së Teutës. Ndërkohë, sot do të luhen dy çerekfinalet e tjera: Goga-Tirana dhe Sigal Prishtina-G.Eagle Ylli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"