Starton Kategoria e Tretë, Millan Baçi tregon organizimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2015 | 9:00

Starton Kategoria e Tretë, Millan Baçi tregon organizimet

kategoria e trete kevitaniSot starton kampionati për Kategorinë e Tretë. Pas përfundimit të sezonit të kaluar ku morën pjesë 19 ekipe dhe kampione u shpall skuadra e Kevitanit, që fitoi në finale ndaj Internacional Tirana në shifrat 2-0, këtë sezon do të marrin pjesë 20 ekipe. Skuadrat do të jenë të ndara në dy grupe me nga 10 secili.

Deklarata

Përgjegjësi i Kategorisë së Tretë pranë FSHF-së, Millan Baçi, në një prononcim për “Panorama Sport” u shpreh: “Ky kampionat gjatë këtij sezoni ka dy synime, pjesëmarrja e ekipeve B të skuadrave elitare dhe të Kategorisë së Parë, si dhe përfaqësimin e mjaft qyteteve të vogla për t’i dhënë një hov të ri futbollit në këto zona. Inkurajimi dhe zhvillimi i klubeve private për të bërë të mundur edhe masivizimin e këtij sporti. Për sa i përket krijimit të ekipeve B, kjo ka një rëndësi të veçantë për mjaft futbollistë të moshave, duke qenë një dritare e hapur për afirmimin e tyre të mëtejshëm, pasi mbushin moshën 19 vjeç, por njëkohësisht aktivizimin edhe të lojtarëve që nuk luajnë në ndeshjet e ekipeve të tyre të para. Me ndërtimin e strukturave të reja të bashkive, tashmë është shkurtuar edhe numri i ekipeve këtë vit, por gjithsesi puna jonë do të bazohet në krijimin dhe pjesëmarrjen e skuadrave sipas ndarjes territoriale, në bazë bashkie”, ka thënë Baçi.

Organizimi

Ndërkohë Baçi flet edhe në lidhje me organizimet e këtij kampionati, edhe qytetet ku ekipet do të luajnë.

“Në këtë sezon marrin pjesë 19 ekipe të ndara në dy grupe. Njëri grup do t’i zhvillojë të gjitha ndeshjet në Kamzë, ndërsa grupi tjetër në Elbasan. Përballjet e kësaj kategorie do të luhen ditët e enjte dhe të premte, nga dy ndeshje në ditë, si në Kamzë, po ashtu edhe në Elbasan. Kjo bëhet për arsyen e afërsisë gjeografike të ekipeve, për sa u përket shpenzimeve financiare të udhëtimit. Për pjesëmarrjen e ekipeve gjatë këtij sezoni kemi pasur edhe vështirësi, të cilat u krijuan nga shkrirja e disa bashkive e komunave ku na janë larguar mjaft skuadra, po ashtu edhe detyrimet financiare. Tashmë kemi bërë gjithçka gati për ta nisur sa më mbarë edhe këtë sezon”, ka mbyllur Baçi.

GRUPI A
Golemi FC
KF Mirdita
FC Eagles
KS Valbona
KF Kukësi B
Drini FK 2004
KF Bulqiza
Internacional Tirana
Vllaznia B
Sportingu FC

GRUPI B
KF Devolli
KF Skënderbeu B
KF Sopoti B
KF Spartaku
FC Flamurtari B
KF Turbina B
Gostima
Belshi
Shkëndija Durrës

Përgatiti: Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"