Starton Formula 1, viti i revolucionit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2014 | 13:13

Starton Formula 1, viti i revolucionit

FormulaJemi gati. Ai që pritet të startojë sot është kampionati i botës në Formula 1, i cili në këtë sezon është më misterioz se kurrë. Asnjëherë më parë bota e automobilizmit kishte parë një sezon të tillë, i cili është plot me risi dhe makinat janë më të komplikuara se kurrë. Kush është e veçanta? Gjithmonë skuadrat kanë qenë në dijeni të forcës së kundërshtarit, ndërsa këtë herë nuk e kanë minimalisht idenë për potencialin e rivalëve. Shkon më fortë Mercedesi apo Uilliamsi? Po Red Bulli është vërtet në vështirësi si duket? Po rikthimi i Ferrarit kur do të jetë? Pyetje që, për momentin, nuk kanë asnjë përgjigje. Nëse një sezon më parë debatet më të mëdha kanë qenë të përqendruara te fuqia motorike, në sezonin që pritet të fillojë motorët e dikurshëm V8, V10, V12 do të zëvendësohen me V6, i cili do të përdoret nga të gjitha makinat. Risia motorike konsiston në faktin se motorët e rinj do të ushqehen nga energjia që vjen prej sistemit të frenimit dhe nga ajo që vjen nga tubat e shkarkimit. Më poshtë po analizojmë me radhë risitë e këtij sezoni.
Motori Të gjitha makinat do të përdorin motorin e ri V6, i cili është 60 kuaj fuqi dhe mund të arrijë një limit prej 15 mijë xhirosh në minutë.
Kamio Ndryshime shumë të rëndësishme edhe për sa i përket kamios së re, e cila nuk do të jetë më me shtatë marshe (siç ka qenë gjatë të gjithë historisë së Formula 1), por do të bëhet me 8. Risia është te marshi i indietros, pasi tani makinat mund të ecin edhe mbrapa.
Energjia e sistemit të ri Çdo njëvendëshe mund të mbështet te sistemi i ri motorik ERS, i cili adopton dy motorë elektrikë, që do të rikuperojnë energjinë e harxhuar nga sistemi i frenimit. Sistemi ERS ka dyfishuar fuqinë motorike krahasuar me një sezon më parë.
Pesha e veturës Pesha minimale është rritur nga 642 në 690 kilogramë.
Karburanti Në këtë sezon është i detyruar një limit i ri prej 100 kg karburant, që do të përdoret për çdo garë.
Struktura e makinave Gjithashtu ka ndryshuar edhe struktura e jashtme e mjeteve. Për të rritur sigurinë e pilotëve, në pjesët anësore të tyre do të vendosen dy cilindra për çdo krah, në mënyrë që në rast përplasjeje siguria të jetë e lartë. Ky ndryshim është ideuar për të parën herë nga Red Bull.

Alonso: Ende shumë mister rreth makinës
Piloti spanjoll i Ferrarit, Fernando Alonso, në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Marca”, ka analizuar tematikat e lidhura me garën e parë që do të zhvillohet të dielën. “Tani nuk mund të flitet për nivelin që do të tregojmë. Do të jemi pak më të qartë në 24-48 orët e ardhshme”, – tha spanjolli në konferencën e shtypit para garës së parë sezonale.

 Hamilton: Duam triumfin në të parën
Në konferencën e shtypit para garës së parë sezonale që do të zhvillohet në Melburn të Australisë, Luis Hamilton ka deklaruar: “Nuk ka rëndësi se kush fiton nga ne të dy. Ashtu si vitin e kaluar, do të ketë gara ku Niko do të jetë para meje dhe do të ketë të tjera ku unë do të jem para tij. Por, objektivi ynë është të zëmë vendet e para në çdo garë”, – tha kampioni i Formula 1 në vitin 2008.

Masa, dedikim për Shumakerin
Felipe Masa sot do të zbresë në pistë me një mesazh mbështetjeje për Mikael Shumakerin, legjenda gjermane e F1-it, i cili po lufton me jetën e tij. Piloti brazilian i Uilliamsit ka thënë se do të garojë me inicialet “MS” të stampuara në kaskën e tij në garën hapëse të kampionatit botëror në Melburn. Shtatë herë kampioni i botës është në gjendje kome artificiale që nga 29 dhjetori i vitit të kaluar, kur u godit në kokë në një shkëmb, pasi po bënte ski në një resort francez të Meribelit. Në një postim në “Twitter”, Masa i ka uruar shërim të shpejtë Shumit: “Mikael është gjithmonë me mua! Bëhu i fortë vëlla im. 19! Unë gjithmonë mendoj për atë çdo ditë. Çdo ditë lutem për të”, – shkruante Masa.
PËRGATITI: LEAR MAÇI

PILOTËT
1. Sebastian Fetel Red Bull
3. Daniel Riçiardo Red Bull
4. Maks Çilton Marusia
6. Niko Rosberg Mercedes
7. Kimi Raikonen Ferrari
8. Roman Groszhjan Lotus
9. Markus Erikson Katerham
10. Kamui Kobajashi Katerham
11. Serxhio Perez Force India
13. Pastor Maldonado Lotus
14. Fernando Alonso Ferrari
17. Xhules Bianki Marussia
19. Felipe Masa Uilliams
20. Kevin Magnusen McLaren
21. Esteban Gutierrez Sauber
22. Xhenson Baton McLaren
25. Zhan-Erik Vernje Toro Rosso
26. Danil Kviat Toro Rosso
27. Niko Hulkenberg Force India
44. Luis Hamilton Mercedes
77. Valteri Botas Uilliams
99. Adrian Sutil Sauber

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"