Starti negativ/ Kukësi prek fundin, verilindorët si kurrë më parë në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2020 | 10:16

Starti negativ/ Kukësi prek fundin, verilindorët si kurrë më parë në Superiore

Pas tri javëve të para të kampionatit, Kukësi mbetet skuadra e vetme në Kategorinë Superiore që ka një pikë të grumbulluar dhe zero gola të shënuar.

kukesi

Në start, skuadra e Gegës është mundur nga rivalët direkt, Tirana dhe Partizani me të njëjtin rezultat, 2-0, dhe ka barazuar me zero me zero në Durrës kundër Teutës. Si kurrë më parë në historinë e saj, në tetë vite në Superiore, Kukësi shënon rezultatin më negativ.

REKORD NEGATIV

Kukësi rikthehet 8 dhe 7 vite pas në kohë duke thyer rekordin më negativ në tre javët e para, atë të sezonit 2012-2014 dhe 2013-2014 ku pikërisht në javën e parë Kukësi humbte 1- 0 ndaj Lushnjës më 31.08.2013 dhe më pas 0-3 në “Zeqir Ymeri” ndaj Vllaznisë. Më pas nënkampionët fitonin në Korçë, duke bërë kthesën e madhe.

Ndërsa në sezonin e parë të tyre në debutim ka marrë tre barazime radhazi ndaj Luftëtarit, Vllaznisë dhe Apolonisë. Pra, tre pikë në dy sezonet e para në elitë pas tri javësh ndërsa këtë sezon, ka vetëm një pikë të grumbulluar. Diçka e pazakontë për Kukësin…

ARSYET E KËSAJ ECURIE

Shkaqet pse nënkampionët kanë këtë start negativ, të çojnë në faktin se këto rezultate janë produkt i ndryshimeve të jashtëzakonshme që skuadra pësoi gjatë kësaj merkatoje. Duket që ekipit, edhe pse ka një trajner kampion si Skënder Gega, do i duhet kohë që të gjejë ekuilibrat e nevojshëm. Sakaq, Gega nuk ka qëndruar në stol ndaj Teutës pasi gjendja e tij shëndetësore për shkak të Koronavirusit është jo e mirë.

TJETËR SFIDË FERRI

Kalendari për këtë sezon ka qenë i pamëshirshëm për Kukësin, pasi që në start verilindorët janë përballur me ekipe mjaft të forta rivale si Tirana e Partizani, të cilat i ka humbur me të njëjtin rezultat. Sikur mos të mjaftonin këto dy takimet, rivali tjetër ishte Teuta.

Kukësi, si për ta kompletuar startin e “ferrit”, në takimin e radhës do të ndeshet me Laçin, një skuadër mjaft të fortë. Trajneri në detyrë, Rrahman Hallaçi dhe drejtori Nderim Nexhipi do të gjejnë dy ish-lojtarët e tyre Emiljano Mustën dhe Erhun Obanor si kundërshtarë në fushë, ndërsa në drejtim në kuadër të menaxhimit ish-drejtorin e Kukësit, Naim Halili. Njeriu që e njeh më së miri Kukësin ndër vite.

S. SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"