Starti më i zi në 5 sezone, klubi i Kategorisë së Parë më keq se Luftëtari që nuk ka luajtur asnjë ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2020 | 14:03

Starti më i zi në 5 sezone, klubi i Kategorisë së Parë më keq se Luftëtari që nuk ka luajtur asnjë ndeshje

Elbasani i këtij sezoni është katastrofë. Pas një faze të plotë të luajtur, kanë shënuar 1 gol dhe pësuar 20. Për më tepër, asnjë pikë e koleksionuar në 7 ndeshje të luajtura. Më keq se kaq nuk mund të shkonte. Madje, edhe më keq sesa Luftëtari, që nuk ka marrë pjesë fare në kampionat. Që verdheblutë do të kishin një “malore” përpara, kjo dihej, por që ekipi të arrinte deri në këtë gjendje, as më pesimistët nuk e mendonin. Megjithatë, si një skuadër eksperte në vitet e fundit sa i përket mbijetesës, në Elbasan ka ende shpresë dhe këtë ia japin… statistikat.

egnatia elbasani

KRAHASIMI – Fill pas rënies nga Superiorja në të Parën në sezonin 2014-2015, në Elbasan kanë milituar pesë herë në Kategorinë e Parë dhe një herë në të Dytën. “Panorama Sport” u ka bërë një krahasim shtatë javëve të para të këtij sezoni, me shtatë javët e para të katër sezoneve të tjera në këtë kategori dhe ajo që të bën përshtypje janë pikët, të cilat nuk kanë qenë asnjëherë me bollëk. Ironia e fatit lidhet pikërisht me pikët, ku në sezonin 2016-2017 që grumbullonin më shumë pikë gjatë këtyre viteve, plot 6, në fund ranë nga kategoria, ndërsa sezonet e tjera shpëtuan.

Kështu, një vit më parë verdheblutë grumbullonin vetëm tri pikë në shtatë javët e para, me një fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa para dy sezonesh numëronin vetëm një pikë, por në fund ia dolën të qëndronin në kategori. Në sezonin 2015-2016 kishin katër pikë dhe sërish në fund mbijetuan. Ndaj, duke pasur parasysh historinë e këtyre viteve në këtë kategori, për Elbasanin është diçka normale një nisje e tillë, edhe pse ky sezon ka gjasa të jetë akoma më i vështirë.

Elbasani ia ka dalë thuajse gjithnjë që në fazën e fundit të kampionatit të marrë pikët e mbijetesës dhe për këtë arsye në klub nuk ka ende shenja paniku, pasi ka shumë javë kampionat dhe për më tepër që tani do të nisin pushimet dhe kanë mundësi për të bërë afrime që mund t’i mundësojnë të përforcojnë skuadrën. Por gjithsesi, nisja e sezonit 2020-2021 mund të cilësohet si më e dobëta në historinë e këtij klubi, ku përveçse janë në kuotën e zero pikëve, kanë edhe një bilanc negativ të golave, një të shënuar dhe 20 të pësuar.

fds

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"