Starti më i dobët në elitë, Kukësi për revansh me “demat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2022 | 20:35

Starti më i dobët në elitë, Kukësi për revansh me “demat”

Nisja e këtij sezoni ka qenë më e dobë ta në historinë 10- vjeçare të Kukësit në elitë, duke grumbulluar vetëm dy pikë në katër takime.

KUKESI 4

Një ecuri që nuk mendohej aspak përpara nisjes së sezonit, për më tepër që edhe investimet e klubit kanë qenë jo të pakta, ku janë afruar shumë lojtarë në merkato. Gjithsesi, tani në kampin verilindor kërkojnë të lënë gjithçka pas dhe të fokusohen tek e ardhmja, ku përpara i pret një përballje e vështirë, siç është ajo me Partizanin këtë të hënë në “Kukës Arena”. Një fitore ndaj të kuqve do t’i largonte nga vendi i fundit që i rëndon aq shumë.

PARTIZANI- Sikur të mos mjaftonte nisja e dobët dhe vendi i fundit, Kukësi pret të bëjë kthesën pikërisht ndaj “maces së zezë”, siç konsiderohet edhe Partizani. Në bilancin midis tyre, verilindorët janë inferiorë në rezultate, duke hasur shpesh vështirësi, madje duke u mundur edhe thellë.

Rasti më i fundi është ai i sezonit të kaluar ku u mposhtën me shifrat 0-5, e cila përkthehet edhe si humbja më e thellë e kësaj skuadre në historinë e saj midis më të mirave. Situata me të cilën do të përballen nuk vjen aspak në favor të bluve, pasi sapo kanë ndërruar trajnerin dhe vijnë nga një goditje e rëndë psikologjike.

PRESIONI – Në një kohë kur fitorja nuk ka ardhur ende, në Kukës është një presion i madh për të marrë rezultatin. Në klub janë munduar që gjatë këtyre ditëve të largojnë sa të munden presionin nga skuadra, madje edhe vetë trajneri i ri është marrë me anën psikologjike.

Skuadra nuk po vuan vetëm mungesën e rezultateve, por edhe moralisht, sepse bëhet fjalë për një skuadër që nuk është mësuar të jetë në vendin e fundit dhe për më tepër të qëndrojë kaq gjatë pa fituar. Në njëfarë mënyre, stafi i ri teknik është duke u munduar t’i fokusojë lojtarët vetëm te ndeshja, pa menduar presionin që kanë mbi supe. Në Kukës nuk duan ta konsiderojnë si një ndeshje vendimtare, por sigurisht të rëndësishme, një tjetër javë pa fitore do ta rëndonte akoma më shumë situatën.

GRUPI – Për ndeshjen me “demat e kuq” ka shpresa se do të rikthehet të jetë i gatshëm sulmuesi i krahut, Edi Basha, i cili nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit për arsye dëmtimi.

Mirëpo, ka lajme të mira nga infermieria, sepse kroati është bashkuar me grupin dhe deri të hënën do shihet gjendja e tij fizike. Mungesa e vetme do të jetë ajo e portugezit Ferreira, i cili u ndëshkua me të kuqe në ndeshjen me Teutën. Pjesa tjetër është e gatshme, teksa i lind detyra trajnerit Dobi që të përzgjedhë më të mirët për të sfiduar kryesuesit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"