Starti më i dobët në 1 shekull, statistikat që turpërojnë “Djajtë” e Junajtid / CR7-a me shokë u dembelosën, vrapuan vetëm 95.6 km

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2022 | 23:56

Starti më i dobët në 1 shekull, statistikat që turpërojnë “Djajtë” e Junajtid / CR7-a me shokë u dembelosën, vrapuan vetëm 95.6 km

Mançester Junajti di preku rekorde të reja negative pas humbjes 4-0 me Brentfordin të shtunën, ndërsa Ten Hag kuptoi edhe njëherë se çfarë misioni të vështirë ka marrë përsipër.

_126275375_gettyimages-1242480771

Londinezët kryesonin me katër gola në pjesën e parë pas dy gabimeve të shpejta të De Geas, ndërsa humbja e javës së dytë, pas disfatës në “Old Trafford” me Brajtonin, vendosi rekorde historike negative për “Djajtë”.

KILOMETRAT – Ronaldo me shokë, përshkuan 95.6 km gjatë 90 minutave krahasuar me 109.4 km të lojtarëve të Brentfordit. Dembelosja e skuadrës së Ten Hagut e tërboi holandezin, që jo rastësisht e nxori skuadrën dje në stërvitje, në ditën e saj të pushimit.

PRESINGU – Lojtarët e Tomas Frenkut bënë 90 sprinte, ata të Ten Hagut 65. Dhe kur bëhet fjalë për presingun në sulm, nuk ka ende shenja që futbollistët e Ten Hagut të jenë përshtatur me presingun që kërkon holandezi. Me Ronaldon që udhëhiqte sulmin, me Rashfordin, Fernandeshin dhe Sançon pas tij, Junajtidi bëri vetëm 7 presingë në sulm ndërsa “Bletët” 21 në total.

KLASIFIKIMI – Pas humbjes së dy ndeshjeve të para të Premier Ligës, 2-1 në shtëpi me Brajtonin dhe 4-0 në Brentford, Junajtidi e sheh veten në fundin e klasifikimit për herë të parë në 30 vite. Hera e fundit ishte në gusht 1992 kur skuadra e Fergusonit u mund 2-1 nga Shef. Junajtidi dhe 3-0 në shtëpi nga Evertoni në dy javët e para, por atë sezon, ata në fund fituan titullin.

TRANSFERTAT – Dhe nëse kombinojmë këto dy humbje të këtij sezoni me ato ndaj Brajtonit (0-4) dhe Kristal Palasit (0-1) në dy takimet e fundit të sezonit 2021-‘22, ata kanë pësuar katër humbje radhazi në Premier Ligë, për herë të parë prej shkurtit 1979. Forma e tyre në transfertë është e tmerrshme. Tani ata kanë humbur 7 ndeshje radhazi në kampionat. Hera e fundit që arrinin në këtë pikë ishte viti 1936, kur u mundën 10 herë radhazi jashtë shtëpisë (shtator-dhjetor) dhe në fund ranë nga kategoria. Brentfordi regjistroi humbjen më të thellë në elitën e kampionatit anglez që prej 6-1 ndaj Grimsbit (prill 1938).

TEN HAG – Holandezi u bë trajneri i parë i Junajtidit, që humbet dy ndeshjet e para që prej Xhon Çapmanit në nëntor 1921. Atë sezon Junajtidit ra gjithashtu.

PJESA E PARË – Brentfordi shënoi 4 gola në harkun e 35 minutave dhe u bë vetëm skuadra e tretë që i shënon Junajtidit 4 gola në pjesën e parë të një ndeshjeje në Premier Ligë. Të tjerat ishin Totenhemi, 6-1 në “Old Trafford” në tetor 2020 dhe Liverpuli 5-0 gjithnjë në shtëpinë e “Djajve” tetorin e shkuar.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"