Starti kundër “maces se zezë” të sezonit historik, Emiliano Vila: Partizanit i tregojmë se jemi kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2021 | 21:12

Starti kundër “maces se zezë” të sezonit historik, Emiliano Vila: Partizanit i tregojmë se jemi kampionë

Emiliano Vila mendon se Teuta do t’i bëjë një nisje të mbarë kampionatit. Durrsakët luajnë nesër në orën 19:45 kundër Partizanit në stadiumin “Elbasan Arena”, teksa kjo ndeshje hap edhe kampionatin për sezonin 2021-2022. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori me më shumë eksperiencë i durrsakëve flet për këtë takim, pritshmëritë që ka, si dhe situatën te kampionët në fuqi.

Vila

Emiliano, më në fund të premten nis kampionati. A jeni gati për ndeshjen me Partizanin?
Po, natyrisht që jemi gati. E kemi përgatitur me shumë seriozitet këtë ndeshje. Do të mundohemi të marrim kontrollin e lojës që në start. Pres që të kemi sa më shumë në zotërim topin dhe të shfrytëzojmë rastet për shënim. E dimë se çfarë na duhet për të fituar në këtë ndeshje të parë, që e luajmë në fushë asnjanëse.

Besoni te fitorja ndaj të kuqve, që i kishit rivalë deri në fund në sezonin e kaluar?
Objektivi është të marrim tri pikët. Duhet të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të fitojmë. Partizani është një skuadër që ka ndryshuar shumë nga vjet, por ne duam të fokusohemi vetëm te loja jonë. Na pret një ndeshje e vështirë, pasi kundërshtari është shumë i fortë fizikisht. Ata mbrojnë mirë dhe janë gjithmonë të rrezikshëm në kundërsulme. Kemi para disa ndeshje të tyre dhe të gjithë e dimë se si duhet të sillemi në fushë. Besoj se në fund do të arrijmë të marrim tri pikët, por ndaj një ekipi si Partizani, duhet te djersijmë shumë. Një nisje e mbarë e kampionatit do të na jepte një moral të lartë për vazhdimësinë.

Të dyja ekipet vijnë pas angazhimit në Kupat e Europës, por me ndryshimin që Teuta luajti më shumë ndeshje se Partizani. Fakti që së fundmi fituat Superkupën, mendoni se ju bën favoritë ndaj të kuqve?
Si gjithmonë, starti i sezonit është i rëndësishëm. Të dyja ekipet kanë qenë të angazhuara në Europë dhe besoj kemi bërë mirë. Tani kemi një ndeshje shumë të rëndësishme, pasi duam të tregojmë që jemi ekipi kampion. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, ndaj besoj që do të kalojmë me sukses këtë takim, ashtu si bëmë në Superkupë.

Të kuqtë ishin skuadra e vetme që nuk mundët në sezonin e kaluar. Është ky momenti i duhur për t’i mundur?
Në çdo ndeshje ne futemi për të bërë mirë. E thashë që do të jetë përballje e vështirë. Kundërshtari është shumë i fortë, por edhe ne jemi të tillë. Objektiv primar kemi fitoren dhe unë besoj se do t’ia dalim.

Kur do ta shohim golin e Vilës?
Besoj se do të vijë në momentin e duhur, por nuk ka rëndësi kush shënon, pasi më shumë duam të fitojmë dhe të festojmë të gjithë së bashku.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"