Starti i pestë më i mirë në historinë e Premier Ligës/ Arsenali, kështu arrin 100 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2023 | 23:16

Starti i pestë më i mirë në historinë e Premier Ligës/ Arsenali, kështu arrin 100 pikë

Arsenali ka përsh kuar gjysmën e rrugës së sezonit 2022-‘23 në Premier Ligë, duke grumbulluar 50 pikë në 19 ndeshje. “Topçinjtë” kanë lënë vetëm 7 pikë rrugës që kur nisi sezoni në gusht. Dhe skuadra e Artetës kryeson bindshëm klasifikimin +5 nga kampionët e Mançester Sitit, të cilët kanë luajtur edhe një ndeshje më shumë. Londinezët kanë eklipsuar gjithashtu edhe sezonin më të famshëm të klubit 2003-‘04, të cilin e mbyllën të pamposhtur.

arsenal

Por atëherë, skuadra e Arsen Vengerit kishte grumbulluar vetëm 45 pikë pas 19 javësh. Ata ngritën trofeun pa humbur asnjë ndeshje në 38 javë, pavarësisht se barazuan 12 herë. Por me ritmin aktual, lojtarët e Arsenalit e kanë vendosur veten në një pozicion të shkëlqyer për të fituar titullin e parë në 19 vite. Kjo është nisja më e mirë e një sezoni në historinë e klubit në Premier Ligë, po ku renditen ata në startin më të mirë në historinë e Premier Ligës?

Ata mund të jenë më mirë se skuadra e pathyeshme, por janë ende në vend të pestë në klasifikimin e përgjithshëm në këtë fazë të sezonit. Vendin e parë e mban Mançester Siti i sezonit 2017- ‘18. Skuadra e Pep Guardiolës grumbulloi 55 pikë deri në gjysmën e rrugës dhe shkroi historinë në fund, duke arritur shifrën e 100 pikëve me fitoren në javën e fundit. Bashkë me “Qytetarët” rekordmenë, renditet edhe Liverpuli, që në sezonin 2019-‘20 arriti të fitojë titullin e parë pas 30 vitesh. Djemtë e Jyrgen Klopit grumbulluan 55 pikë pas 19 javëve të para, duke e mbyllur sezonin me 99 pikë në total. Më pas vjen Çelsi i sezonit 2005-‘06, me 52 pikë pas 19 ndeshjesh.

Skuadra e Zhoze Murinjos fitoi titullin e dytë radhazi me 91 pikë në total. Dhe më pas mbetet vetëm një skuadër tjetër që ka eklipsuar numrin e pikëve të Arsenalit pas 19 javëve. Është Liverpuli i sezonit 2018-‘19, me 51 pikë pas 19 javësh, por në fund nuk arriti të shpallej kampion. Mançester Siti i la pas me vetëm 1 pikë, duke e mbyllur sezonin me 98 ndaj 97 të Liverpulit. Tani mbetet për t’u parë nëse Arsenali do të ketë një fat të ngjashëm, apo do t’i drejtohet titullit të parë në pothuajse dy dekada.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO  – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"