Starti i mirë i sezonit, mbrojtësi i Dinamos e thotë “troç”: Jo vetëm do ngjitemi, por fitojmë edhe… Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2022 | 13:30

Starti i mirë i sezonit, mbrojtësi i Dinamos e thotë “troç”: Jo vetëm do ngjitemi, por fitojmë edhe… Kupën

Dinamo e ka nisur mirë kampionatin, me 2 fitore dhe 1 barazim. Kryeson renditjen dhe kjo ndërprerje e shkurtër e kampionatit e gjen në kushte komode. Stafi blu shpreson të ketë këtë periudhë ndonjë nga lojtarët e dëmtuar për të përballuar më mirë sfidat e Kupës së Shqipërisë dhe kampionatit. Përveç Prodanit, që do të mungojë gjatë, dëmtime kanë pasur Bardhi dhe Imami.

allmuca

GARA – Ilir Allmuça është një nga dy rikthimet te Dinamo, bashkë me Asion Dajën. Ai u rivesh blu në verë pas tri vitesh dhe tani shpreson të përjetojë momente sa më të bukura me skuadrën, ku u formua si futbollist. Titullar në krahun e majtë të mbrojtjes, kryeqytetasi ka një eksperiencë të konsiderueshme për ta ndihmuar Dinamon për të realizuar objektivat e saj sezonalë. Falë organizimit të klubit dhe skuadrës që është ndërtuar, ai beson se Dinamo do të shkojë larg.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai flet për shumëçka, nga rikthimi, te gara dhe pretendimet.

“Së pari, jam shumë i lumtur që jam rikthyer në ekipin, ku unë u rrita si lojtar. Jam rikthyer pas 3 vitesh dhe më duket sikur nuk jam larguar asnjëherë në fakt. Në kohën kur isha te Dinamo kishte shumë probleme, por tani është krejt tjetër gjë. Klubi ka një projekt ambicioz për të rikthyer Dinamon e madhe dhe unë jam shumë i kënaqur që jam pjesë e këtij projekti. Jemi akoma në fillim të kampionatit. Kemi zhvilluar vetëm tri ndeshje dhe skuadra akoma nuk është në 100% të mundësive të saj. Besoj se me kalimin e javëve Dinamo do të rritet në lojë dhe do të bëjë paraqitje edhe më të mira, që do ta ndihmojnë të krijojë shkëputje në kreun e tabelës së renditjes. Kampionati do të jetë i fortë dhe ne do t’ia bëjmë shërbimin çdo ndeshjeje maksimalisht, pa parë emrin e kundërshtarit. Do të jemi seriozë në çdo moment dhe qëllimi ynë është të fitojmë çdo ndeshje për të kënaqur drejtuesit dhe tifozët”, u shpreh fillimisht 25- vjeçari.

AMBICIET – Teksa u ndal te synimet, ai qartëson se në planet e klubit është edhe Kupa e Shqipërisë.

“Dinamo e këtij sezoni mund të shkojë shumë larg, sepse klubi ka ndërtuar një ekip të fortë, me shumë lojtarë me eksperiencë, të ndërthurur me djem të rinj. Kam shumë besim se do të shkojmë larg, jo vetëm në kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë. Dinamo do të jetë faktor absolut këtë sezon, nuk ka dyshim se rikthimi në Superiore është vetëm çështje kohe. Ky emër i madh i futbollit shqiptar meriton të jetë gjithmonë mes më të mirëve. Ambiciet janë të mëdha dhe ne kemi detyrën t’i konkretizojmë në fushë tani”, përfundon Allmuça.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"