Startet e sezonit / Gjashtë vite pa fituar sfidën hapëse të Superiores, Partizani nuk “ndez” në të parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2022 | 11:27


Startet e sezonit / Gjashtë vite pa fituar sfidën hapëse të Superiores, Partizani nuk “ndez” në të parën

Partizani nis ditën e nesërme në orën 19:30 në stadiumin “Elbasan Arena” rrugëtimin në Kategorinë Superiore për sezonin 2022-2023. Përballë do të jetë Egnatia, një rival mjaft i komplikuar për të kuqtë në sezonin e shkuar, sidomos në ndeshjet si pritës për “demat”.

Foto P. Pashollari

Foto P. Pashollari

Kalendari i këtij sezoni u duk fatlum për Partizanin për faktin se për herë të parë pas katër sezonesh, të kuqtë e nisin kampionatin me një ndeshje si pritës.

Megjithatë, fatkeqësia në këtë rast është se ndaj Egnatias do të luhet jashtë kryeqytetit për shkak se në “Air Albania” po mbillet bar i ri dhe impianti më modern i vendit nuk është i gatshëm për ndeshje. Ky fakt i pengon jo pak tifozët për të qenë të shumtë në numër në betejën e parë të sezonit.

Gjithsesi, mbështetja për “demat” nuk pritet të mungojë.

STATISTIKA – Në këtë nisje të kampionatit si pritës, Partizani do të tentojë të hapë një kapitull të ri për sa u përket starteve të sezoneve, sepse e shkuara nuk është aspak e ndritur.

Që nga ngjitja në Kategorinë Superiore në sezonin 2013-2014 të kuqtë numërojnë vetëm dy fitore në ndeshjet e para në Kategorinë Superiore.

Ata kanë mundur me shifrat e pastra 0-2 Kastriotin në transfertë pikërisht në sezonin e rikthimit në elitë dhe pas dy vitesh kanë startuar me fitore ndaj Luftëtarit, sërish në transfertë me shifra minimale.

javet

HUMBJET – Partizani nuk “ndez” me të parën prej gjashtë sezonesh, teksa në pesë të fundit kanë regjistruar po aq humbje në ndeshjet e para. Një statistikë e hidhur për të kuqtë, që tashmë duket se është shndërruar në një “tabu” për t’u thyer.

Laçi, Skënderbeu, Kukësi, Kastrioti e Teuta kanë përfituar njëra pas tjetrës nga starti i mefshtë që të kuqtë i bëjnë tradicionalisht sezonit. Mbetet për t’u parë se çfarë rezervon trajneri Kolela dhe skuadra e tij në këtë fillim të ri.

LAÇI – Kurbinasit janë ekipi që shorti i ka vënë më shpesh përballë Partizanit në nisje të sezonit.

Bardhezinjtë janë përballur me “demat” plot tri herë në 9 sezone gjithsej dhe kanë arritur të regjistrojnë dy barazime në sezonet 2014-2015 dhe 2015-2016 me rezultate identike, 1-1.

Më pas në sezonin 2017-2018 kurbinasit kanë mundur të fitojnë me shifrat 0- 2, duke marrë avantazhin në përballjet me karakter të tillë.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL