Start i gabuar në Pogradec, Shyti: Jemi “të uritur” për pikë, kthehemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 21:12

Start i gabuar në Pogradec, Shyti: Jemi “të uritur” për pikë, kthehemi

Pogradeci është “i etur” për pikë. Humbja në Sarandë nuk ka lënë shije të mirë, por vend për demoralizim nuk ka. Lojtarët kanë mbledhur forcat dhe janë gati që të presin Besën. Gjasat janë që të jenë më të plotë, pasi pritet rikuperimi i Artion Alillarit. Do të jetë një duel i vështirë, por liqenorët nuk mund t’ia lejojnë vetes dy gabime radhazi dhe sidomos në start. I këtij mendimi është edhe Ildian Shyti, mesfushori që iu bashkua këtë verë grupit.

shyti

E nisët me një humbje sezonin. Çfarë ndodhi në Sarandë?
Humbja mund të ketë ardhur nga disa faktorë, qoftë edhe nga rastësia. Shpërdoruam shumë raste, por unë them se ishte shpërqendrimi që na ndëshkoi dhe këtu veçoj momentin kur pësuam gol. Pastaj e ndiem mungesën e Alillarit, ndërsa Liçkollari sakrifikoi sepse ishte i dëmtuar.

Si e shihni këtë ekip?
Pogradeci është një ekip që një sezon më parë bëri paraqitje shumë të mirë. E kam gjetur ekipin me disa ndryshime. Ka pasur të larguar, por edhe afrime. Unë e njoh mirë grupin e futbollistëve dhe them me bindje se shumë shpejt do të shihni lojërat e bukura dhe fitoret e Pogradecit.

Pse latë Egnatian dhe u rikthyet në Pogradec?
E kam thënë edhe herë të tjera, jam larguar vetëm për arsye familjare dhe asgjë tjetër. Atje kam lënë miq shumë të mirë, që nuk kam për t’i harruar.

Ka të bëjë me faktin se para pak ditësh u bëtë baba?
Natyrisht që po. Doja t’i qëndroja pranë bashkëshortes gjatë periudhës së shtatzënisë. Tani që dhe djali erdhi në jetë, duhet të jem pranë familjes.

Cilat janë pikat më të forta të këtij grupi?
Nuk dua të ndalem në detaje, por ju siguroj se grupi është arma jonë më e fortë. Ne punojmë shumë në çdo drejtim dhe besoj që vetëm duke punuar do të arrijmë suksesin që të gjithë presin. Kemi objektiva të qartë që tashmë dihen, por ju siguroj se nga java në javë do të jemi më lart në çdo drejtim.

Ndeshja e radhës kundër Besës, a mund të gabojë dy herë radhazi Pogradeci?
Besa është një ekip shumë i mirë dhe luan futboll të bukur, por ne jemi të uritur nga humbja me Butrintin. Kështu që, do të marrim vetëm tri pikë, nuk ka rrugë tjetër.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"