Starova gati të hyjë në fushë, Duro-Nezirajt: Jepe topin, pallosh dreqi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2017 | 20:28

Starova gati të hyjë në fushë, Duro-Nezirajt: Jepe topin, pallosh dreqi!

UDHËZIMET E DY TRAJNERËVE GJATË NDESHJES

TRAJNERI I PARTIZANIT / Starova gati të hyjë në fushë, irritohet nga gabimet e lojtarëve

Tekniku i të kuqve, Sulejman Starova, shquhet si një trajner impulsiv, i cili gjatë gjithë kohës qëndron në këmbë dhe jep udhëzime për të tijtë. Edhe në sfidën me Flamurtarin tregoi “Bobin” që njohin të gjithë, ku për pak sa nuk hynte në fushë. Gjatë një momenti, përveç lojtarëve në fushë, shihet i irrituar dhe duke i bërtitur pankinës së tij, ndërkohë që pothuajse çdo aksion e shoqëronte me udhëzime.

starova

– Në momentin e shënimit të golit të Mazrekajt, Starova nuk u përmbajt duke u hedhur përpjetë nga gëzimi.

– Vila humb një top, gjë që nuk i pëlqen Starovës dhe i thërret: “O Vila…!”.

– Te goli i Trashit sërish Starova nuk e fsheh entuziazmin, ku duartroket dyfishimin e rezultatit.

– Vlonjatët kishin topin në zotërim dhe po sulmonin nga krahu i majtë, ndërkohë që Fejzullahu ishte shumë djathtas dhe Starova i tërheq vëmendjen: “Fejzo, hy në qendër…!”. Pas ndonjë gabimi të mundshëm të tij, shpeshherë tekniku ia vinte në dukje, duke i tërhequr vëmendjen edhe Torasës herë pas here.

– Pas disa minutave që po sulmonin kundërshtarët, Starova kërkon të “zgjojë” të tijtë dhe irritohet duke u bërtitur dhe turfulluar me veten.

– Në një moment të lojës, “Bobi” kthehet nga pankina e tij dhe dikujt nga stoli i thotë i irrituar: “Më lër rehat edhe ti, se s’ngeli puna aty!”.

– Pas një ndalese të lojës për arsye dëmtimi, Starova e shfrytëzon këtë moment për të dhënë udhëzimet e tij. Thërret Ramadanin dhe Cetkoviçin, duke i sqaruar se çfarë duhet të bënin në fushë.

– Në minutën e 73-të, kur edhe Flamurtari po dominonte lojën, Starova kthehet nga pankina duke u thënë se kishte ende shumë lojë: “17 minuta janë shumë”.

– Në fundin e lojës, kur një futbollist i Flamurtarit ishte i shtrirë ndërkohë që loja vazhdonte, Atanda me Malotën nuk llogarisin pozicionin jashtë loje dhe qëndrojnë me lojtarin e shtirë. Në këtë moment çohet Dalipi nga pankina dhe u thotë të dalin para. Pas tij, edhe Starova jo pak i irrituar u kërkon të njëjtën gjë futbollistëve.

TRAJNERI I FLAMURTARIT / Duro e ka me Nezirajn: Jepe topin, pallosh dreqi!

Përgjithësisht, Shpëtim Duro njihet si një trajner i qetë, me karakteristikën e tij që, një pjesë të lojës, e sheh i ulur në gjunjë, çka e bëri edhe përballë Partizanit. Më së shumti në sfidën e djeshme u kap me Nezirajn dhe Alveshin, sepse me sa duket bënë shumë gabime. Madje, gjatë zëvendësimit të Cetkoviçit, ai i kërkoi këtij të fundit që të dilte më shpejt, pasi po vononte lojën.

– Kur autobusi i Flamurtarit mbërrin në stadium, Duro shihet teksa takon një mik dhe provon pak nga ballokumet e Elbasanit. Më pas, pa filluar ndeshja, takon Edmond Haxhinë, duke fiksuar edhe një foto së bashku. Të njëjtën gjë bëri edhe me futbollistët e kuq nëpër korridoret e stadiumit, kur përfundoi ndeshja.

– Te goli i shënuar nga Mazrekaj, Duro nuk e fsheh zhgënjimin me të tijtë duke u kërkuar llogari lojtarëve për mënyrën sesi e lanë të lirë të godiste. I palëvizshëm dhe statik qëndron edhe te goli i Trashit, ndonëse turfullon me veten.

– Gjatë pjesës së parë, Alvesh i ikën mbrojtjes, por gabon në goditje, duke e detyruar Duron që t’i tërheqë veshin: “Hë mo Danilo…”. Edhe në një rast tjetër i tërheq vëmendjen pas rastit të humbur: “Çfarë bën?!”.

neziraj

– Duke parë që lojtarët e tij po humbin topa në fraksionin e parë të lojës, Duro bërtiste shpesh: “Luani më afër, o Nezir!”. “Çfarë bën aty o Nezir?!”, thërret Duro në një tjetër moment të lojës. Madje, në pjesën e dytë, e tejkalon pak me fjalorin ndaj Nezirajt: “O Nezir, jepe topin. Pallosh dreqi!”.

– Gjatë një ndërhyrjeje ndaj Alveshit, gjyqtari Koçi lejon avantazhin, por Duro nuk e mban veten: “Çfarë bën o Andi, o Andi!”.

– Në të 84-ën, kur do të dilte nga loja Cetkoviç, për shkak të vonesës, Duro i thërret: “Hë mo Cetkoviç, o Ando!”. Ndërsa nga tribuna i kthejnë përgjigjen: “Cetkoviç, mos e ha presionin”.

– Duke parë që Telushi po luante me topa të gjatë në disa raste, detyron Duron t’i bërtasë: “Jo top të gjatë se më çmende”.

– Në fundin e lojës, Flamurtari ka një goditje dënimi me Shkodrën dhe Duro i jep udhëzimet. Mirëpo, godet lojtari dhe sfera del jashtë, me Duron që nuk e fsheh zhgënjimin: “Çfarë bën mo Donjet?!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"