Starova bën lëmsh formacionin, përgatitjet e derbit me mungesa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2017 | 11:15

Starova bën lëmsh formacionin, përgatitjet e derbit me mungesa

Partizani ka mbyllur dje përgatitjet për derbin, por nuk ishte e thënë që trajneri Sulejman Starova ta kishte të plotë grupin edhe në këtë seancë. Nëse ditë më parë nuk u përgatiten me skuadrën kapiteni Alban Hoxha dhe mesfushori Mentor Mazrekaj, dje ka qenë radha e Lorenc Trashit për të pushuar. Hoxha dhe Mazrekaj janë përgatitur normalisht me grupin dhe janë të gatshëm për takimin e sotëm.

partizani

Trashi është lënë pushim dje, pasi lojtari mori një goditje në fund të seancës së ditës së mërkurë. Sipas drejtuesve të klubit, Trashi pritet të jetë gati dhe dje ka ndjekur një terapi speciale, në mënyrë që të mos e përkeqësonte dëmtimin. Në asnjë seancë Starova nuk e ka pasur të plotë grupin, kështu që edhe formacionet që ka praktikuar nuk shikohen realë. Madje, dje nuk janë lejuar kamerat që të filmojnë gjatë seancës stërvitore.

FORMACIONI

Seanca e djeshme ka qenë më e shkurtër se përgatitjet e tjera të kësaj jave. Pas disa ushtrimeve me karakter fizik, vëmendja ka kaluar te përgatitjet e karakterit tekniko-taktik. Në pjesën e dytë të seancës trajneri Starova ka provuar edhe një formacion të mundshëm për ndeshjen e sotme, por nga ajo që u vu re në fushë gjasat janë që “Bobi” e bëri lëmsh njëmbëdhjetëshen.

partizani formacioni

Mbase këtu ka ndikuar edhe mungesa e Trashit dhe përgatitja për herë të parë me grupin e Mazrekajt. Formacioni që praktikoi dje Starova në stërvitje ishte: Hoxha në portë, Kalri dhe Fejzullahu në krahët e mbrojtjes, ndërsa Krasniqi dhe Malota në qendër. Ramadani dhe Vila përbënin dyshen para mbrojtjes dhe para tyre vepronin Tora në të majtë, Batha në qendër dhe Cetkoviç si mesfushor i djathtë. Në majë të sulmit ishte Ekuban.

Ndonëse trajneri Starova i përzjeu kartat në seancën e djeshme, me shumë mundësi pritet që Partizani të luajë në ndaj Tiranës si në derbin e fundit, ku fituan 2-1. Pra, pritet që Trashi të jetë mbrojtës i majtë, ndërsa Mazrekaj ta nisë nga fillimi. Me këtë rreshtim mbeten jashtë Kalari dhe Cetkoviç, pikërisht dy lojtarët që gjuajtën dje kur ekipi praktikonte goditjet standarde. Të kuqtë u kanë kushtuar vëmendje të veçantë dje goditjeve standarde, pasi në një pozicion të tillë u ndëshkuan në derbin e fundit nga Teqja, në fillim të pjesës së dytë.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"