Stafa: Teuta të thotë fjalën e saj, me Skënderbeun sfidë vendimtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 22:29


Stafa: Teuta të thotë fjalën e saj, me Skënderbeun sfidë vendimtare

Teuta është në kërkim të tri pikëve dhe zhbllokimit të sulmit, që korrespondon me pesë javët zhgënjyese. Të dielën në Durrës duhet mposhtur Skënderbeu për të mos humbur hapin për vendet e para.

sTAFA

Ish-mbrojtësi i ekipit të Teutës, Shaqir Stafa, ka komentuar ecurinë e skuadrës durrsake në këto 13 javë kampionat dhe beson se ky grup me cilësitë që ka, mund të synojë lart në renditje, pse jo, edhe titullin kampion.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Stafa tregon edhe angazhimin e tij pas lënies së futbollit të luajtur, si dhe sjell pjesën e tij të përjetimit të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, që ka lënë pasoja të mëdha tek ishmbrojtësi.

Shaqir, me çfarë po merreni aktualisht, pasi e keni lënë futbollin e luajtur?

Për momentin jam trajner në akademinë Shqiponja, ku stërvis lojtarë të moshës U-11, së bashku më mikun tim Vangjel Mile.

 Si e përjetuat tërmetin e 26 nëntorit që preku Durrësin? 

Është një ndjesi shumë e keqe. Më është prishur komplet shtëpia. Pamë tmerrin me sy në ato momente dhe ishte një përjetim shumë i keq dhe shumë i frikshëm. Shyqyr Zotit, shpëtuam pa dëmtime njerëzish, por vetëm dëme materiale. Kisha shumë pak kohë që e kisha marrë shtëpinë, pasi jetoja me prindërit. Por ndodhi çfarë ndodhi, çfarë të bëjmë tani? Dola me shpejtësi, mora vajzën e vogël në krahë, pasi u tremb shumë dhe kemi qëndruar jashtë derisa situata u qetësua.

 A e keni ndjekur Teutën gjatë këtij sezoni dhe si ju duket skuadra?

Natyrisht që e kam ndjekur, pasi Teuta është ekipi ku jam rritur si futbollist. Ka një skuadër simpatike, me lojtarë të rinj, por edhe pak eksperiencë brenda. Deri më tani ka bërë mirë, pavarësisht ndeshjeve të fundit që nuk ka arritur të marrë pikët e plota. Mendoj se ka pasur një ngërç, që i ndodh çdo ekipi gjatë një kampionati, por besoj dhe shpresoj se ndaj Skënderbeut të rikthehet te fitorja.

 Si e parashikoni këtë duel, duke ditur se Skënderbeu vjen pas një momenti të mirë? 

Sigurisht, do të jetë një ndeshje shumë e fortë, tek e cila unë besoj se Teuta mund të marrë maksimumin. Me një fitore të mundshme, i afrohet ndjeshëm objektivit. Teuta duhet ta konsiderojë si një sfidë mjaft vendimtare, të cilën duhet ta fitojë.

Mendoni se kjo skuadër mund të pretendojë për titull?

Objektivi është i vështirë, por ambicia duhet të mbetet. Motivi është i fortë, mbështetja është e madhe. Natyrisht që Teuta ka element të talentuar, por dhe një grup harmonik dhe me eksperiencë që premton shumë për të ardhmen. Pse të mos besojnë te titulli? Pra, janë të gjitha mundësitë që ekipi ta thotë fjalën e vet me forcë në ndeshjet e ardhshme. Natyrisht, këtu ka një meritë të madhe dhe trajneri Shkëmbi, që ka punuar mirë me grupin.

A mendoni se ka shumë diferenca në Kategorinë Superiore? 

Besoj se diferencat janë të pakta. Kampionati shqiptar është më i fortë fizikisht dhe skuadrat kanë tendencë të marrin rezultat dhe ta mbajnë portën të paprekur. Shumë skuadra janë dobësuar dhe do të ketë rivalitet deri në javët e fundit.

Zamir Qypi – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com