Stadiumi, Tirana hesht sa herë që Partizani bën kapriço

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2018 | 23:06

Stadiumi, Tirana hesht sa herë që Partizani bën kapriço

Të kërkosh të luash në të njëjtin stadium, një ditë pasi Tirana ka luajtur ndeshjen e saj, kjo është një kapriço dhe shkon deri në kufijtë e shpërdorimit. Partizani ka këmbëngulur dhe federata ka pranuar që të kuqtë të luajnë të shtunën në stadiumin “Selman Stërmasi”, i vetmi impiant i mbetur në kryeqytet pas prishjes së “Qemal Stafës”, fusha e të cilit “dhunohet” sistematikisht, sa herë që ka nevojë. Por, ajo që shqetëson në këtë rast është heshtja, që shkon deri në dorëzim e Tiranës.

Selman Stermasi

Mund ta kuptojmë marrëveshjen e bërë mes dy klubeve, mund të kuptojmë edhe dëshirën e Partizanit për të luajtur në të njëjtën ditë me kundërshtarët e tij, që do të përballet në Kupën e Shqipërisë, por ajo që nuk mund të mos kuptojmë është mospagimi i bardhebluve, atyre që kanë në pronësi stadiumin dhe mund të vendosin për të, pavarësisht një kontrate, marrëveshjeje xhentëllmenësh, përfitimesh financiare apo çfarëdolloj emri që mund t’i vëmë, për të mbrojtur asetin e tyre më të rëndësishëm, që dy skuadrat e tjera në kryeqytet e shohin si luks.

Të luash dy ditë rresht në të njëjtën fushë, siç edhe do të ndodhë në kushte të tilla atmosferike, është e frikshme dhe ndoshta e pakuptueshme se si stafi teknik i Partizanit pranon që të luajë në një terren, i cili do të jetë shkelur 24 orë përpara dhe lojtarët do ta kenë të vështirë që të tregojnë vlerat e tyre. Por, po aq jo normal duket një refuzim i Tiranës, që në këtë rast duhet të paktën t’i kishte kërkuar Partizanit, që të luante në një tjetër stadium, siç ka bërë edhe në të kaluarën, para se marrëveshja mes dy klubeve të realizohej.

stadiumi selman stermasi

Dhe alternativat në këtë drejtim nuk mungojnë. Për të mos shkuar deri në “Elbasan Arena”, ku Partizani ka qenë shpeshherë në të kaluarën mysafir, zgjidhja ishte mbrapa dere. Kamza luan në Kukës dhe nëse paguan të njëjtën shumë si në “Selman Stërmasi”, ose më pak, mund të luash pa asnjë problem aty, madje edhe të premten dhe kjo do t’u jepte të kuqve më shumë ditë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit.

Por, Tirana, përveçse ka humbur statusin e të qenit një skuadër e Kategorisë Superiore, duket se është kthyer edhe në një klub me mentalitet inferior, që mund të pranojë çdo vendim që të tjerët marrin, në heshtje dhe pa lëvizur as “gishtin e vogël” për të kundërshtuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"