Stadiumi ters për verdheblutë, asnjë pikë në “Elbasan Arena”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2019 | 22:28

Stadiumi ters për verdheblutë, asnjë pikë në “Elbasan Arena”

Humbja e fundit në shtëpi ndaj Besës ka rënduar së tepërmi pozitat e verdhebluve në klasifikim. Skuadra luajti në “Elbasan Arena” pas plot 80 ditësh mungesë, por rikthimi në shtëpi rezultoi i hidhur, sepse u mundën me rezultatin 1 me 3 nga Besa.

Elbasani

Duket se edhe faktori fushë Elbasanit nuk i jep asnjë avantazh dhe këtë e thonë statistikat e këtij sezoni. Në tri ndeshjet e vetme që kanë zhvilluar në stadiumin e qytetit, nuk ka grumbulluar asnjë pikë, duke u mundur në të gjitha rastet. Fillimisht me Apoloninë në ndeshjen hapëse, më pas me Devollin dhe tani me Besën, duke rezultuar një ekip i “brishtë” në shtëpinë e vet.

Ndryshe nga sa ndodh me ekipet e tjera të kësaj kategorie, për Elbasanin faktori fushë nuk ka asnjë vlerë, madje deri tani shifrat tregojnë se e kanë pasur problem, sepse shtatë pikët e deritanishme i ka marrë në transfertë dhe në fusha asnjanëse. Megjithatë, humbja me Besën djeg më shumë, sepse e lë Elbasanin në vendin e fundit, ndërkohë që javët po kalojnë. Kjo disfatë bën që Elbasani të qëndrojë në kuotën e shtatë pikëve dhe në situatën ku janë, shpëtimin e shohin vetëm te ndonjë ndërhyrje që mund të bëjnë në muajin janar, atëherë kur hapet edhe merkatoja e dimrit.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"