Stadiumi i ri në Vlorë, Rama e ka mendjen te… “Selman Stërmasi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2023 | 21:20

Stadiumi i ri në Vlorë, Rama e ka mendjen te… “Selman Stërmasi”

Përzgjidhet projekti fitues për stadiumin e ri “Flamurtari”, të Vlorës. Projekti i studios belge, “XDGA”, është shpallur fitues nga juria ndërkombëtare. Për stadiumin e Vlorës, garuan për finalen tri studio prestigjioze të arkitekturës bashkëkohore, “FUKSAS” nga Italia, ”OPPENHEIM Arkitekturë”, një bashkëpunim SHBA & Zvicër, si dhe “XDGA” nga Belgjika.

stadiumi

Projekti që rezultoi fitues solli idenë e një stadiumi ikonik të rrethuar me kulla, që do të shërbejnë për një pamje më të bukur. Sipas studios, do të ketë fusha sportive, pishinë, do të ndërtohen edhe disa ndërtesa, të cilat do të jenë të rëndësishme për më vonë.

“Për të zgjedhur fituesin pamë me kujdes termat e referencës të një koncepti të ri për qendrën e qytetit, së bashku me stadiumin. Nuk e kemi parë si një skemë më vete, por si një skemë që duhet të merren parasysh edhe aktorë të ndryshëm. Në pamë edhe fizibilitetin, kërkesat financiare dhe për këtë arsye kemi zgjedhur ‘XDGA’-në si fituese”, deklaroi juria, teksa shpalli edhe fituesin. Stadiumi do të ndërtohet në zonën e “Skelës”, në vendin ku gjendet impianti aktual.

I pranishëm në konkursin ndërkombëtar të zhvilluar në Vlorë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pranoi që në Vlorë janë në nivelin e kërkuar sa u përket terreneve sportive. ”Flamurtari meriton shumë më shumë sesa infrastrukturën sportive që ka sot. Me të gjitha ndryshimet e mëdha që janë bërë në Vlorë, ndryshimet në infrastrukturën sportive mbase nuk janë të merituara për Flamurtarin dhe për futbollistët e popullin vlonjat.

Futbolli, pa dyshim që është loja më e bukur në botë, më e bukura dhe më e ndjekura në Shqipëri, më e dashura edhe për vlonjatët, ka tri elemente kryesore: atë të edukimit, bazën materiale dhe infrastrukturën sportive.

Në Vlorë, thashë mbase nuk jemi në nivelin e kërkuar. Ato pak investime që janë bërë në futboll, janë bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit, qoftë fusha në Pyllin e Sodës, qoftë ndriçimi në stadiumin e Vlorës, apo qoftë edhe fusha e Orikumit.

Unë dua ta përsëris thirrjen edhe këtu në Vlorë, që të bashkëpunojmë me njësitë vendore, me klubin Flamurtari, të bashkëpunojmë me bizneset e vendit për të ndërtuar më shumë fusha për fëmijët e Vlorës. Ne tashmë e kemi nisur një bashkëpunim për një akademi me Sokol Kushtën, me legjendën e futbollit vlonjat dhe atij shqiptar”, u shpreh Duka. Kryeministri Edi Rama u shpreh se Vlora prej kohësh e kërkonte një stadium siç i ka hije, ndërsa tha se projektet nuk do të ndalen me kaq.

edi-rama23

“Kjo është finalja e tretë e transformimit të futbollit dhe transformimit urban të tri qyteteve të rëndësishme, Korçës, Durrësit dhe Vlorës. Me këto ndërhyrje synojmë që të përfitojmë jo vetëm stadiume të reja, por edhe qendra të jetës sociale dhe të jetës ekonomike, të cilat do të rrisin fuqinë e të gjitha qyteteve në të gjitha asetet.

Së shpejti do të hapim dhe kantierin e “Selman Stërmasit”, deklaroi, ndër të tjera, Rama. Ndërkaq, çudia është që megjithëse është miratuar projekti i ri, nuk dihet ende se sa do të jetë kapaciteti i stadiumit. Idrizi e ka kërkuar me 30 mijë vende, Rama ka lënë të kuptohet deri në 16 mijë vende.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"