Stadiumi i Luftëtarit si “Big Brother”, Lala: Detyrim ta besojmë mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2020 | 11:27

Stadiumi i Luftëtarit si “Big Brother”, Lala: Detyrim ta besojmë mbijetesën

“Luftëtari duhet të besojë te mbijetesa përderisa matematika na lejon”. Ky është opinioni i qendërmbrojtësit Franc Lala për “Panorama Sport”. Lojtari 20- vjeçar, produkt i akademisë së Partizanit dhe me shumë të ardhme, luan sezonin e parë në Superiore me fanellën e bluzinjve. 

franc lala

“Jam munduar të luaj me shpirt në të gjitha aktivizimet që kam pasur hapësirë. Si të gjithë shokët e skuadrës, edhe unë nuk ndihem mirë pas humbjes me Flamurtarin. Mungesa e eksperiencës na ka penalizuar në shumë takime dhe na vjen keq se kemi humbur pikë të rëndësishme. Ndeshja e radhës është e vështirë, por me punë dhe besim, ne mund të arrijmë gjithçka. Do stërvitemi fuqishëm këto ditë dhe me besim do luajmë për rezultat pozitiv. E rëndësishme është të prodhojmë lojë të mirë, të mos pësojmë gol dhe, pse jo, për të marrë 3 pikët. Deri në fund të sezonit do jap maksimumin për Luftëtarin, pastaj e ardhmja ime do të vendoset nga drejtuesit për qëndrimin ose jo në skuadër”, ka deklaruar Lala.

ORGANIKA – Në prag të ndeshjes me Vllazninë, gjirokastritët do të jenë të plotë, pasi rikthehet nga dëmtimi edhe qendërmbrojtësi Armenis Kukaj. Në seancën e djeshme mungoi vetëm mbrojtësi i krahut të djathtë, Redon Dragoshi, i cili ka pësuar një kontraktim dhe në kujdesin e fizioterapistit të skuadrës, Juxhin Korbeci, ka vijuar me terapi. Në fazën e parë, gjirokastritët morën 1 pikë në Shkodër.

luftetari-bylis

FUSHA DHE KAMERAT 

Stadiumi “Gjirokastra” ka pasur një tapet mjaft të mirë në këto katër sezonet e fundit. Mirëpo, si për ironi të fatit, ky vit ka shënuar një përkeqësim të saj, në unison edhe me rezultatet e dobëta të skuadrës. Një ditë më parë, punëtorët e mirëmbajtjes së fushës bënë plehërimin, favorizuar nga kushtet e mira të motit. Jo vetëm kaq, pasi në impiant ka pasur edhe punime të tjera. Në ambientet e brendshme të stadiumit si dhe në pjesën e tribunës qendrore, janë instaluar kamera të reja. Me vendosjen e sistemit të kamerave në stadium, regjimi “Big Brother” bën të mundur që tifozët “vandalë” të jenë të survejuar, çka i penalizon edhe me Kodin e ri penal në rast dëmtimi të stolave të vendosur në tribunat A dhe B.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"