Stadiumi i Lezhës drejt prishjes, kryebashkiaku Pjerin Ndreu: Ja plani…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2022 | 20:00

Stadiumi i Lezhës drejt prishjes, kryebashkiaku Pjerin Ndreu: Ja plani…

Stadiumi “Besëlidhja” do të prishet. Në një takim të zhvilluar nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu me biznesmenët që operojnë në territorin e Bashkisë Lezhë, është prezantuar edhe ky plan. Me shembjen e këtij impianti, do t’i hapet rrugë një investimi madhor në qytet. Në të do të ndërtohet një qendër multifunksionale, ku do të ketë edhe një parking nëntokësor dhe nuk do të mungojë as zona e gjelbër.

Lezhe-7

Deri këtu nuk ka asgjë që nuk shkon, problemi qëndron se ku do të ndërtohet stadiumi i ri. Nuk ka ende një ide të qartë për këtë pjesë, ndonëse ekzistojnë dy variante. Një opsion është që vendndodhja e tij të jetë në hyrje të qytetit dhe tjetri në dalje. Ngërçi momentalisht qëndron diku tjetër, nuk është siguruar ende financimi i duhur për këtë projekt. Deri tani në të gjitha planet rregulluese të diskutuara të qytetit të Lezhës, ende nuk është paraqitur një projekt për zhvendosjen e stadiumit “Besëlidhja”. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një investim publik apo me PPP.

KRYEBASHKIAKU – Për të mësuar diçka më shumë për këtë histori, “Panorama Sport” kontaktoi me Pjerin Ndreun. Numri një i Bashkisë Lezhë është treguar i rezervuar, ndonëse pranoi shenjen e stadiumit.

68808683_906914976310686_2102893301827895296_n_5229

“Është ende herët për të dhënë një prononcim. Ka plan për një qendër multifunksionale, me stadium e fusha e të tjera. Pra, për një kompleks”, tha shkurtimisht ai. I pyetur nëse bëhet fjalë për jashtë qytetit ekzistues, kryebashkiaku u përgjigj prerazi: “Kaq!”

FSHF – Ishte fundi i vitit 2021, kur nga FSHF-ja u dha lajmi i madh se do të ndërhyhet në stadiumin e Lezhës. Me anë të një njoftimi që bënë më 29 dhjetor në faqen zyrtare, ata konfirmonin miratimi e planit për të investuar në stadiumin “Besëlidhja” dhe paralajmëronin se shumë shpejt do të shndërrohej në një impiant modern. “Një nga vendimet e miratuara në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF ka qenë investimi në stadiumin ‘Besëlidhja’ të Lezhës, që do të bëjë të mundur rikthimin e këtij impianti në kushte moderne.

Më konkretisht do të ndërhyhet në rinovimin e strehës së tribunës qendrore, duke bërë edhe sistemimin e çatisë dhe riparimet e dëmeve të kryera si pasojë e lagështirës në dhomat e zhveshjes. Gjithashtu, do të mundësohet edhe pajisja me stola në të gjithë tribunën qendrore. Shuma e investimit do të jetë e konsiderueshme dhe ky investim bëhet në kuadër të angazhimit të FSHF për zhvillimin e infrastrukturës sportive, rëndësinë e këtyre investimeve për akademitë e futbollit si edhe duke pasur parasysh domosdoshmërinë për mbështetjen e futbollit në nivel klubi.

Punimet në këtë stadium do të nisin së shpejti, ndërkohë që FSHF prej disa javësh përmes investimeve po ndërhyn njëkohësisht në disa stadiume dhe fusha në të gjithë vendin, duke rritur ndjeshëm cilësinë e futbollit në vendin”, njoftonte dy muaj më parë federata.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"