Stadiumi drejt shembjes, ish-futbollisti Gega: Lojë korruptive! Nëse kjo realizohet, Lezha “varroset” përfundimisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2022 | 21:36


Stadiumi drejt shembjes, ish-futbollisti Gega: Lojë korruptive! Nëse kjo realizohet, Lezha “varroset” përfundimisht

Lajmi për prishjen e stadiumit “Besëlidhja” nuk është pritur mirë në Lezhë dhe sidomos nga më nostalgjikët dhe ata që kanë kontribuuar dhe shkëlqyer për këto ngjyra. I tillë është rasti i Gjovalin Gegës, ish-futbollist i viteve ‘70-‘80. Ai është kundër idesë së hedhur nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu për ndërtimin e një tjetër impianti dhe në një tjetër truall, aq sa e quan këtë një lojë korruptive.

Gjovalini

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mendon se në vendin ku qëndron prej një jete ai impiant, mund të ndërtohet një i ri me kapacitet deri në 10 mijë vende. I duket absurde që në çdo qytet vetëm investohet, ndërsa në Lezhë flitet për shembje.

Stadiumi “Besëlidhja” pritet që të shembet dhe aty do të ndërtohet një qendër atraktive. Si e gjykoni këtë plan të Bashkisë Lezhë?

Stadiumi i Lezhës ka shumë vite që është ndërtuar aty dhe aty e ka vendin. Pavarësisht se hapësirat i janë ngushtuar nga ndërtimet e reja, përsëri ka vend për t’u shndërruar në një stadium deri në dhjetë mijë vende. Ai pozicion që ka tani, e përballon këtë kapacitet. Mua sinqerisht po më vjen keq nga një deklaratë e tillë. Shembja e stadiumit mua më duket një lojë korruptive që prek drejtpërdrejt interesat publikë të qytetit për të kënaqur orekset e disa personave.

Flitet se do të ndërtohet një stadium i ri me kompleks fushash. A mendoni se bëhet kjo menjëherë pas shembjes së stadiumit ekzistues?

Nuk besoj. Ende nuk është përcaktuar vendi. Edhe nëse e gjejnë truallin, jam i bindur se do ta caktojnë shumë larg qytetit. Aty ku toka do të jetë me çmim shumë të lirë. Pra, në një vend të papërshtatshëm.

Ndërtimi i mundshëm i stadiumit të ri larg qytetit, a krijon pasoja?

Pasojat do të jenë shumë të rënda. Tifozët nuk do të kenë mundësi të shkojnë e ta ndjekin aq larg. Ne jemi një komunitet i varfër. Njerëzit jetojnë me bukë, djathë e ullinj, ndaj nuk kanë mundësi financiare për të marrë biletën e jo më të shpenzojnë për rrugëtimin e parkingun.

Shembja e stadiumit për t’i hapur rrugë një kompleksi ndërtimi mendoni se bëhet për të ndërtuar një stadium bashkëkohor me të gjithë parametrat?

Absolutisht jo. Kjo bëhet për interesa ekonomikë të një grupi të caktuar. Pra, për interesa korruptivë. Të gjitha stadiumet që janë ndërtuar apo rikonstruktuar sot në Shqipëri janë në vendin e tyre të origjinës. Aty ku ka pasur ndërtime afër tyre janë prishur duke u kompensuar pronarët e tyre sipas ligjit. Pse vetëm në Lezhë duhet të prishet stadiumi? Kjo pyetje do përgjigje nga organet kompetente.

Beselidhja-Partizani Kupa

Në vitet kur ju ishit pjesë e Besëlidhjes, a kishte interes të madh të lezhjanëve për ta ndjekur skuadrën nga shkallët e stadiumit?

Kur kam lozur unë me Besëlidhjen, ka qenë koha më e artë e historisë së saj. Gati shumicën e kohës kemi milituar në elitë. Ka pasur futbollistët më të mirë të të gjithë historisë së sajë, si Xhabir Gruda, Paulin Deda, Gjergj Filipi, Fehmi Rama, Salvador Kaçaj, Gëzim Hasku e shumë të tjerë. Në atë periudhë vetëm në stërvitje na ndiqnin 700- 800 tifozë.

Ditën e ndeshjes nuk i zinte vendi, madje mbusheshin edhe plepat përreth. Më vjen keq për Besëlidhjen e sotme që nuk po e gjen rrugën e rikthimit. Tani që duan t’i prishin edhe stadiumin, pra shtëpinë e saj historike dhe legjitime, Besëlidhja varroset përfundimisht.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL