Stadium i rikonstruktuar dhe paga më të larta, projekti i Lushnjës për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2017 | 20:53

Stadium i rikonstruktuar dhe paga më të larta, projekti i Lushnjës për Superioren

Pas tri viteve, Lushnja iu rikthye Superi ores. Ndeshja e fundit me Bylisin hodhi poshtë çdo aludim dhe që tani klubi verdhejeshil ka nisur të mendojë për sezonin e elitës. Kryebashkiaku Fatos Tushe është shprehur se klubi mirëpret financimet e donatorëve të ndryshëm. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, Tushe deklaron se Lushnja nuk shitet, ashtu siç ishte përfolur për ndonjë tolerim të mundshëm në finalen ndaj Bylisit.

Fatos Tushe

TUSHE

“Ky ishte vërtet një emocion, por njëkohësisht na bën të ndihemi edhe krenarë sepse ekipi ynë i zemrës, Lushnja, tashmë ndodhet në Superiore. Ngjitja në elitë ishte falë punës së palodhur, të sportistëve, trajnerëve dhe teknikëve. Kjo fitore që u realizua me Bylisin në Lushnjë hodhi poshtë edhe legjendat urbane për shitblerje të ndeshjeve nga ana jonë. Lushnja as shitet dhe as blihet, por punon me devotshmëri dhe arrin ato rezultate që i kanë parë të gjithë.

Lushnja tifozet

Ne si Bashki e kemi mbështetur ekipin tonë të zemrës, por hyrja në Superiore është një përgjegjësi akoma më e madhe dhe sigurisht që na obligon më tepër për ekipin në drejtim të premiove apo lojtarëve cilësorë. Ne kemi biseduar edhe me donatorë të tjerë që mund t’i afrohen Lushnjës për ta bërë atë një ekip sa më rezultativ dhe që të na kënaqë me ndeshjet që do të zhvillojë. Bashkia është e gatshme për t’i kryer suportin e duhur të gjithë donatorëve.

Ne i kemi besuar dhe i kemi mirëkuptuar të gjithë donatorët me kontributet e tyre që mund të japin dhe i ofrojmë pa asnjë lloj hezitimi sepse kjo është në të mirën e punës sonë të përbashkët. Donatorët do të jenë mbështetja kryesore financiare, krahas Bashkisë që do të ketë një suport akoma më të përgjegjshëm duke u ngjitur në Superiore”, shprehet fillimisht Tushe duke lajmëruar se do të jetë sërish institucioni i qeverisjes vendore që do të zotërojë aksionet e klubit dhe do të mbajë peshën kryesore financiare.

STADIUMI

Siç dihet, impianti lushnjar nuk plotëson kushtet për Kategorinë Superiore dhe kërkon një ndërhyrje në të gjitha drejtimet. “Bëhet fjalë për ndërrimin e tapetit të fushës dhe nga ana e Bashkisë do të merren përsipër sistemimi dhe rregullimi i territoreve të stadiumit “Roza Haxhiu”, qoftë i ambienteve të brendshme, të pjesës ballore të tifozëve dhe në të gjithë territorin e stadiumit.

Ne marrim përsipër meremetimin, rregullimin, rrethimet, dhomat e zhveshjeve, pankinat, dushet, të gjithë pjesën tjetër të ambienteve të stadiumit. Federata do të bëjë ndërrimin e tapetit. Vendosjen e një tapeti të ri me bar natyral”, u shpreh Tushe. Kryebashkiaku do të kërkojë të ketë suksesin e radhës si president i klubit. “Pa dyshim që në vazhdimësi do të synojmë të mbijetojmë në Superiore”, mbylli kryebashkiaku-president Fatos Tushe.

lushnja fshf

Kështu, në periudhën e kësaj vere stadiumi “Roza Haxhiu” do të kthehet në një kantier ndërtimi. Impianti lushnjar është shumë i amortizuar pasi ka vite që nuk ka njohur një rikonstruksion të mirëfilltë. Dy ditë më parë, stadiumi i Lushnjës u vizitua nga zyrtarë të FSHF-së dhe u premtua se impianti do të ketë kushte shumë të mira pas rikonstruksionit që do t’i nënshtrohet.

PAGAT

Me propozimin e kryetarit të Bashkisë, Fatos Tushe, pritet që rrogat e futbollistëve të Lushnjës të rriten 150%. Rroga e një futbollisti te verdhejeshilët pritet të shkojë minimalisht 1 milion lekë të vjetër në muaj. Sezoni i Superiores së lushnjarëve pritet të ketë një bashkëpunim mes palëve. Me asetet që ka Lushnja, përfshi dhe tifozërinë që është një “donator” i rëndësishëm, shpresohet shumë që skuadra verdhejeshile të luftojë për të siguruar mbijetesën.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"