Stadium 2 milionë dollarë, klubi i Kategorisë së Parë projekton elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2021 | 23:49

Stadium 2 milionë dollarë, klubi i Kategorisë së Parë projekton elitën

Pas 3 javësh do të nisin punimet në “Arena Egnatia”. Projekti i publikuar gjatë muajit korrik nga ana e klubit pritet që të marrë jetë shumë shpejt. Gazeta “Panorama Sport” zbulon se stadiumi i ri nuk do të jetë vetëm në 3D, por një realitet i prekshëm. Gjithçka është gati dhe pritet që impianti të kushtojë të paktën 2 milionë dollarë. Një investim aspak i vogël, e sidomos për një skuadër që militon në Kategorinë e Parë. Megjithatë, presidenti Agim Demrozi nuk ka në plan që të kursehet. Ai i ka vendosur qëllim vetes që të ndërtojë një klub model e të jetë gati për elitën.
unnamed
Hapat e parë i kanë hedhur prej kohësh në fakt. Kanë krijuar një ekip që kryeson me meritë Grupin B, ka korrektësi maksimale me pagesat dhe, mbi të gjitha, kushte perfekte stërvitshmërie. Jo më larg se një javë më parë inauguruan edhe kompleksin në Lekaj, një fushë që do ta kishte zili çdo ekip i elitës. Qëllimi i rrogozhinasve është i qartë: duan ngjitjen. Janë në rrugën e duhur, derisa fazën e parë e mbyllën në krye. Për të mos vendosur në rrezik objektivin, drejtuesit po punojnë edhe me merkaton.
138170688_3539368496175978_5348494277693228693_n
Bruno Puja prezantohet si lojtari i ri i Egnatias

Zyrtarisht dje ka firmosur Bruno Puja, portieri që pjesën e parë të sezonit e mbylli me Kastriotin. Por, nuk do ta lënë me kaq. Kanë në plan që të bëjnë edhe dy afrime të tjera. Gugash Magani pret një sulmues dhe një qendërmbrojtës, për të kompletuar organikën dhe shtuar rivalitetin. Kërkimet vazhdojnë, por emra konkretë nuk ka. Trajneri ka vendosur një kusht: Do lojtarë cilësorë dhe jo sa për numër. Drejtuesit shpresojnë që të “peshkojnë” të duhurit para se të mbyllet tregu i transferimeve.

ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"