S’pranoi të dilte në stërvitje pa firmosur me Flamurtarin, futbollisti serb largohet nga Vlora

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2020 | 10:26

S’pranoi të dilte në stërvitje pa firmosur me Flamurtarin, futbollisti serb largohet nga Vlora

Tarik Çmajçanin ka lënë Vlorën dhe është kthyer në vendin e tij, në Serbi. Vonesa e firmës në kontratë me Flamurtarin duket se ka bërë që mesfushori të largohet nga Flamurtari. “Panorama Sport” mëson se Çmajçanin ka kërkuar që përpara se të dilte në stërvitje me ekipin e ri, të ulej në bisedime me drejtuesit e klubit dhe të firmoste kontratën përkatëse, por kjo gjë nuk ka ndodhur dhe ai ka marrë këtë vendim. Drejtuesit e klubit vlonjat i kanë thënë se firma do të hidhej në një moment të dytë, ndërsa ai duhej t’i bashkohej grupi të drejtuar nga trajneri Dritan Resuli në stërvitje.
2626700317d9792c5e80765072da1ea6
Por serbit nuk i ka pëlqyer ky variant dhe pas disa ditësh qëndrimi në Vlorë, është kthyer në vendin e tij. Gjithsesi, ai mësohet se ka lënë të hapur një mundësi, duke u thënë drejtuesve të Flamurtarit se është i gatshëm të luajë për këtë ekip në momentin që do të jetë gati kontrata. Ardhja e 26-vjeçarit u konsiderua një përforcim i rëndësishëm për kuqezinjtë, por ish-lojtari i Teutës për momentin duket larg Flamurtarit.
flamurtari
KONTRATAT – Duhet theksuar se kontratat janë një problem në Vlorë. Asnjë lojtar që ka mbërritur në skuadër dhe i është bashkuar grupit në stërvitje, nuk ka firmosur ende një kontratë zyrtare. Deri më tani janë bërë vetëm dy afrime, maqedonasi Burak Menga dhe Alvi Ahmetaj, por edhe ata nuk janë zyrtarisht pjesë e Flamurtarit, sepse mungon firma. Ende nuk dihet pse po ndodh kjo vonesë e drejtuesve për të firmosur me lojtarët e afruar. Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, ka deklaruar më parë se merkatoja nuk është e bllokuar, por është fakt se Flamurtari nuk po federon asnjë lojtar të ri dhe mund të jetë e kundërta. Jo më kot shpesh është theksuar se vlonjatët do të bazohen te lojtarët e akademisë. Pritet të shihet në ditët në vijim si do të rrjedhin ngjarjet në Vlorë, ku drejtuesit thonë se do të afrojnë të paktën 5 lojtarë. Por është e vështirë që lojtarë të ndryshëm të binden të bashkohen me Flamurtarin në të Parën, nëse nuk u afrohet një kontratë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"