Sportisti rezultoi pozitiv me kokainë, Federata Shqiptare nuk fal. Përjashtohet trajneri i Apolonisë për 5 vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2021 | 18:03

Sportisti rezultoi pozitiv me kokainë, Federata Shqiptare nuk fal. Përjashtohet trajneri i Apolonisë për 5 vite

Peshëngritja shqiptare tronditet nga një tjetër rast dopingu. Shtangisti Arbër Çerçizi ka rezultuar pozitiv me kokainë në testin e antidopingut që kishte bërë gjatë kampionatit kombëtar që u zhvillua në datat 20-21 shkurt 2021 në Durrës. Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka marrë vendimin ekstrem duke e përjashtuar përjetësisht Çerçizin nga shtanga, ndërsa sportisti rezulton përsëritës në përdorimin e substancave të ndaluara.

Cekrezi

Ndëshkimit nuk i ka shpëtuar as trajneri i tij tek Apolonia, Riza Fejzullahu, i cili është dënuar me 5 vite. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti i Federatës së Peshëngritësve, Elez Gjoza, i cili përveç njoftimit për përjashtimin e Çerçizit, paralajmëroi dhe sportistët e tjerë që të kenë kujdes pasi do të kenë të njëjtin fat në rast se zbulohen duke përdorur substanca të ndaluara.

NJOFTIMI I FSHP-së.

“Federata Shqiptare e Peshëngritjes, gjatë zhvillimit të kampionatit kombëtar për të rritur të zhvilluar në datat 20-21 shkurt 2021 në qytetin e Durrësit, duke pasur si moto të saj luftën e pandërprerë ndaj fenomenit të dopingut i kërkoi OKAD-it në Shqipëri kontrollin antidoping për të gjithë sportistët pjesëmarrës në këtë kampionat. Pas marrjes së mostrave më datë 22.03.2021, vjen përgjigjja nga OKAD, sipas testit No LC 1001/21, ku ka rezultuar pozitiv me substancën kokainë sportisti Arbër Çerçizi. Të gjithë sportistët pjesëmarrës në kampionatin kombëtar dolën negativë, përjashtim bën sportisti i klub sport Apolonisë, z. Arbër Çerçizi, i cili doli pozitiv me substancën kokainë. Në këtë situatë, ku federata po lufton për sport të pastër, pasi është goditur nga ky fenomen dhe ky sportist është përsëritës, mblodhi Komitetin Ekzekutiv në mënyrë urgjente, sot (dje), më datë 25.03.2021, dhe vendosi masat ekstreme: Përjashtimin e sportistit Arbër Çerçizi përgjithmonë nga sporti i peshëngritjes si dhe pezullimin e trajnerit të klubit sportiv Apolonia për një periudhë 5-vjeçare, duke mos e lejuar të ushtrojë profesionin e trajnerit. Për çdo sportist, qoftë ai dhe medalist, që do të dalë pozitiv nga kontrolli i kërkuar nga federata do të ketë të njëjtën masë (përjashtim nga sporti). Me respekt, presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza”, shkruhet në njoftimin e federatës.

Kujtojmë që Arbër Çerçizi ka përfaqësuar edhe ekipin tonë kombëtar në evente të ndryshme ndërkombëtare, madje duke u futur edhe në zonën e medaljeve. Ndërkohë, në garën e fundit, në të cilën rezultoi pozitiv me kokainë, 24- vjeçari u rendit në vendin e tretë. Ai konkurroi në kategorinë e peshave 89 kg, duke regjistruar rezultatet 120 kg në stilin e shkëputjes dhe 130 kg në shtytje, për ta mbyllur dygarëshin me 250 kg.

ARTIM LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"