Sportisti dhe trajneri shembullor, miqtë rrëfejnë kujtimet me Skënder Kurtin: Gladiatori inteligjent që e donin të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2020 | 14:52

Sportisti dhe trajneri shembullor, miqtë rrëfejnë kujtimet me Skënder Kurtin: Gladiatori inteligjent që e donin të gjithë

Në muajin mars 2020 edhe në Shqipëri u deklarua prania e një virusi, i cili në fundvitin e 2019-ës kishte marrë zhvillim në Vuhan të Kinës. Ishte folur edhe për viktima, por askujt nuk ia pranonte mendimi dhe ndërgjegjja se mund të ishte aq i rrezikshëm për jetët njerëzore. U epitetua “Koronavirus”, ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë e artikuloi më shkurt me emrin “COVID-19”. Mandej ky virus u deklarua “armik”, madje i quajtur “i panjohur”, ndërsa lufta me të e pallogaritur se kur mund të përfundojë. Koronavirusi në një hark kohor shumë të shkurtër, jo vetëm u shtri në gjithë globin, por për fat të keq, e gjunjëzoi atë me mizori të pashembullt. Infektoi pa dallim vendesh, popujsh dhe individësh pavarësisht nga niveli i zhvillimit ekonomik e politik, demokratik e shoqëror, kulturor e shkencor, urban e rural etj.kURTI5

Viktima të këtij virusi do të bëheshin edhe shqiptarët këtej e përtej kufirit, disasyrësh krejt të rinj në moshë, edhe pse organet e specializuara shëndetësore u shprehën se shtresa më e ekspozuar dhe e rrezikuar është mosha e tretë. Kështu viktimë krejt i pafaj u bë edhe miku ynë i dashur, Skënder Kurti, edhe pse vetëm 61-vjeçar dhe fizikisht i fortë e me shëndet të mirë. Skënderi lindi 61 vjet më parë. U edukua dhe u rrit nën kujdesin e shtuar të prindërve dhe të familjarëve të tij. Qysh në rininë e hershme, duke pasur një fizik për zili, iu kushtua aftësimit të mëtejshëm të tij duke u marrë me aktivitet sportiv në disa disiplina. Por ajo që e tërhiqte më shumë ishte disiplina e sportit burrëror të boksit. Skënderi zotëronte gjithçka e ka të nevojshme kjo disiplinë sportive: ishte fizikisht i fortë, i shëndetshëm, kishte reflekse të mjaftueshme, kishte zemër të fortë, vullnet të tejskajshëm, dëshirë për ta ushtruar sportin, ishte human në shpirt e në veprime, ishte i apasionuar dhe motivuar pozitivisht për të fituar vetëm me meritë.

Specialistët e kësaj fushe e evidentuan si një prej të shumtëve që mund të bënte karrierë të merituar në sportin burrëror të boksit. Ishin po ata që e afruan, e njohën me të fshehtat e boksit, e stërvitën me pasion e durim, i kalitën durimin dhe shpresën se gjithçka do të shkonte si jo më mirë. Dhe rezultatet nuk vonuan. Skënderi që në hapat e parë të ushtrimit të boksit filloi të premtonte për një kampion të ardhshëm duke i ngjitur këto shkallë gradualisht dhe në vijë përpjetë. Ishte sportist shembullor duke respektuar të gjitha rregullat, normat dhe regjimin që kërkon ky sport specifik. Luftonte në ring jo vetëm si gladiator i papërmbajtur, por sidomos me inteligjencë dhe teknikë të lartë. Ishte human në përditshmëri por edhe në ring, duke u dhënë mundësi kundërshtarëve që të bënin lojë korrekte, të ndershme, që ashtu sikurse pranonin fitoren, të njihnin edhe humbjen, sepse sikurse thoshte shpesh Skënderi, në ring nuk ka të mposhtur dhe fitimtarë, por ka vetëm fitimtarë. Në vitin 1992 e më pas për disa vjet, Skënderi punoi në Gardën e Republikës si trajner i ekipit të boksit “Shqiponja” të Gardës së Republikës dhe më vonë edhe si trajner i Ekipit Kombëtar të Boksit.

Ishte një ekip simpatik, me boksierë që kishin dëshirë e vullnet të garonin në ring, edhe pse dihet, që si në gjithë disiplinat e tjera sportive, shpërblimi material nuk njihej, përjashtuar ndonjë fletë lavdërimi, diplomë apo kupë, që akordohej si stimul moral. Megjithatë, ky ekip ishte nga më të mirët dhe më dinjitozët në vend. Edhe pse kompletohej me boksierë joprofesionistë, por thjesht si ushtarë të shërbimit të detyrueshëm, ai konsolidohej nga muaji në muaj, nga viti në vit, vetëm në sajë të vullnetit dhe stërvitjes këmbëngulëse të sportistëve, por krejt natyrshëm edhe të punës plot pasion të trajner Skënderit. Në këto vite ekipet më të mira në boks ishin ai i Shkodrës, “Shqiponja” e Gardës së Republikës, ai i Tiranës, i Vlorës, i Beratit, i Durrësit, i Korçës dhe ndonjë ekip tjetër me më pak pjesëmarrës por edhe talente. Skënderi edhe pse trajner, me boksierët ishte më shumë sesa shok, sesa pjesë e ekipit, duke u stërvitur bashkë me ta në çdo hapësirë kohore dhe duke u transmetuar përvojën e tij mjaft të pasur.Skender Kurti

Ishte i ëmbël në komunikim, i rreptë në kërkesë, i barabartë me të gjithë, u dëshironte veç arritje e suksese, i motivonte pozitivisht, i merrte në mbrojtje edhe kur tejkalonin ndonjë veprim pa dashje, rrinte gjithë kohës me ata pavarësisht dallimeve në moshë. Skënder Kurti si trajner e synonte fitoren e ekipit që drejtonte, e ushqente motivin e tij për fitore, i nxiste boksierët që të lakmonin fitoren, i udhëzonte në ring për veprimet që duhet të bënin ata, por nuk u ushqente të lakmonin më tepër sesa meritonin. E thamë më lart që ekipi më rivalizues dhe më i fortë e i suksesshëm ishte ai i Shkodrës. Skënderi trajnerin e Shkodrës e kishte patur kundërshtar në ring, por edhe koleg e shok për shumë vite. Jashtë ringut me të shkëmbente përvojën sportive, ashtu sikurse ndante edhe gëzimin e fitoreve, por edhe përgjysmonte keqardhjen për humbjet sportive. Ndërkohë, në ring e kishte rival “të papajtueshëm”, bënte gjithçka që t’i rrëmbente fitoren kundërshtarit. Dhe pas kësaj, përsëri shokë e miq shumë të mirë. Këto ditë që na mungon fizikisht Skënderi, kemi parë mjaft vlerësime që i janë bërë edhe nga personalitetet shtetërore, por sidomos nga bota e sportit të boksit, e shokëve dhe e miqve të tij, të cilët për hir të së vërtetës duhet pranuar se i pati të shumtë, por edhe të sinqertë.

Ernest Koçi, boksieri shkodran që ka arritur shkallë të larta edhe në boksin profesionist, për trajnerin e tij Skënderin, me çiltërsi pohon edhe se Skënderi vazhdimisht e inkurajonte me fjalët: “Besim! Fitore! Fitore! Fitore, ka qenë kryefjala e tij. Fatkeqësisht u nda nga ne, nga jeta. I uroj ngushëllime familjes dhe të gjithë botës së sportit. Ishte një dhimbje e madhe, nuk gjej fjalë të përshkruaj dhimbjen për profesor Skënderin. Për të gjithë brezat do të mbesë një motiv”. Është në traditën dhe moralin e popullit tonë, që për atë që ndërron jetë të evidentohen anët pozitive të tij. Por për ne shokët e Skënderit, ai mbetet shembull i pozitivitetit, i buzëqeshjes, i shpirtbutësisë, i fjalës së mirë e të ëmbël, i sjelljes korrekte. Skënderi mbetet një shembull i mirë i familjarit dhe prindit të dashur, i mikut të besueshëm që “ta heq” litarin nga fyti, i shokut të mirë dhe bujar, i sportistit shëmbullor dhe i trajnerit të apasionuar. Me dhjetëra herë jemi shprehur në shtyp për ekipin e boksit “Shqiponja”, i cili ka bërë dhe lënë emër të mirë edhe në sajë të kontributit të mikut tonë të dashur Skënder.

Nga një shkrim botuar në revistën “Policia Sot”, Nr. 2, viti 1995 të titulluar “Shqiponja dhe Martin Nikaj”, me rastin e ceremonisë për dhënien e titullit të lartë “Mjeshtër Sporti” akorduar Martin Nikaj (tashmë edhe ky i Ndjerë), po sjellim dy paragrafë. “Tashmë në ekipin ‘Shqiponja’ stërviten edhe boksierë të tjerë si: Sami Dushku, Asim Ahmeti, Shkëlqim Kraja, L. Seferi, Pirro Ymeri, Alket Muça, M. Bregu, S. Martincamaj, e deri më të rinjtë: F. Sula, A.Demneri e A. Caka. Për tri kampionate radhazi (1991-1994), Martini stërvitet dhe bokson me dëshirë në ekipin e boksit ‘Shqiponja’ të Gardës së Republikës… Martini asnjëherë nuk e sheh veten të shkëputur nga ekipi ‘Shqiponja’, i cili është riorganizuar dhe zhvillon stërvitje me programe e metoda bashkëkohore. Ky ekip, për tre vjet me radhë është renditur në vendin e dytë, i cilësuar si ekip që zhvillon luftë të ndershme sportive, si dhe me disiplinë të qëndrueshme teknike.kombw

Në kampionatin e fundit, nëntor 1994, ‘Shqiponja’ i dhuron boksit shqiptar 5 kampionë dhe 2 nënkampionë, 4 boksierë të këtij ekipi përfaqësohen në veprimtaritë ndërkombëtare, ndërkohë që për një vit, elementë të ‘Shqiponjës’ furnizojnë me boksierë cilësorë ekipet e rretheve… Suksesin e punës së tij, Martini e sheh edhe në ndihmesën e drejtpërdrejtë dhe përkushtimin profesional të trajnerëve Skënder Kurti e Ahmet Golemi. Çmon qëndrimin admirues të komandantit të vet, Zyhdi Dajti dhe të mjekut të ekipit B. Haxhia, të cilët janë njëherësh edhe sportdashës ‘personalë’ të tij. Martini do të shprehë fjalët më të mira edhe për drejtuesit e Gardës së Republikës, të cilët kanë dhënën ndihmesë konkrete në krijimin e kushteve të përshtatshme për jetesë e stërvitje të ekipit ‘Shqiponja’. Por fataliteti është fatalitet… Ai duhet pranuar ashtu sikurse vjen pa na pyetur… Më 23 mars 2020 në titrat e televizioneve prestigjioze u përhap lajmi i hidhur: Skënder Kurti, i evidentuar si i prekur nga Koronavirusi dhe i shtruar në spitalin infektiv, pësoi vdekje të gjatë klinike…

Ne shokët e tij që e njihnim për forcën fizike, por edhe për vullnetin e tij të fortë, nuk e besuam këtë njoftim… Besuam e shpresuam te forca e tij, se do ta mposhtë edhe këtë situatë ashtu sikurse kishte mposhtur dhjetëra në ring… Por jo gjithçka varet nga dëshira e mirë dhe shpresa e pashuar… Më 5 prill 2020, pas gati dy javësh, po mediat njoftuan se miku ynë, Skënderi i dashur, ndërroi jetë… Përsëri nuk deshëm ta besonim… Por ja që me fatin nuk mund të luhet… Ishte e vërtetë… Miku dhe shoku ynë i mirë kishte ndërruar jetë një ditë pasi bashkëshortja e tij e jetës ia kishte dalë me sukses infeksionit… Ai kishte qenë edhe çasti i fundit i ndarjes fizike me shoqen e jetës… Shkëmbyem mjaft biseda me shokë e miq të Skënderit… Patëm edhe dëshirën t’ishkonim në varrim, por në këto kohë të vështira, asnjë shërbim i tillë nuk qenka e mundur t’i bëhet njeriut të familjes, mikut, shokut…

Përmes këtyre radhëve shprehim keqardhje të thellë dhe të ndjerë për një NJERI-NJERI! Për një shpirt të gjerë e krenar! Për një njeri fisnik e human! Jemi besëplotë se Zoti do ta pranojë me zemër të hapur dhe se dheu do ta tretë me dhembje e lot të pashterur! Zoti do të gjejë mundësinë të ngushëllojë bashkëshorten dhe fëmijët e tij, familjarët dhe miqtë e tij! Të qoftë dheu i lehtë! Shpirti yt u prehtë në paqe e qetësi, se ashtu ishe ti: paqësor tej kufijve, i qetë si rrallëkush!

Halit Gjeçaj (Gjeneralbrigade në pension), ishkomandant i Gardës.

Sami Dushku, shok dhe koleg me të Ndjerin.

Safet N. Ramolli, ish-efektiv i Gardës së Republikës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"