Spektakël por jo fitues, Pogradeci ndal Lushnjën kryesuese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2016 | 17:06

Spektakël por jo fitues, Pogradeci ndal Lushnjën kryesuese

Pogradeci dhe Lushnja ndajnë nga një pikë pas barazimit 3-3 në javën e nëntë të Kategorisë së Parë, që i jep fund fazës së parë.

Lushnja ne Pogradec

Në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” ishin vendasit ata që gjetën epërsinë me Liçkollarin në të 13-n, por miqtë u përgjigjën me Alban Bizhytin pas 11 minutash.

Me baraspeshën 1-1 skuadrat iu drejtuan dhomave të zhveshjes, ndërsa pas pushimit sfida ishte akoma më e zjarrtë.

Minuta e 70-të solli sërish avantazhin për ekipin liqenor me Shtyin, megjithatë gëzimi zgjati vetëm tetë minuta pasi Branica riktheu baraspeshën me një supergol.

Emocionet vijuan deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, me Bangurën që realizoi për Pogradecin në të 85-n dhe kapitenin Çela që vulosi barazimin përfundimtar një minutë para përfundimit të kohës së rregullt.

Pas këtij barazimi, Lushnja e mbyll gjysmën e parë të kampionatit në krye me 23 pikë, nëntë më shumë se Tomori që do të presë Elbasanin të shtunën. Kurse për pogradecarët kjo ishte pika e dhjetë dhe skuadra e trajnerit Festim Fetollari e sheh veten përkohësisht në pozitën e pestë, ndërkohë që ka për të luajtur edhe ndeshjen e prapambetur me Elbasanin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"