Spektakël i Liverpulit në ditën e Balotelit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2014 | 8:35

Spektakël i Liverpulit në ditën e Balotelit

ZherardMario Baloteli ishte fjala që dilte nga gojët e të gjithëve përpara vërshëllimës startuese të ndeshjes, por në “White Hart Lane” nuk ishte dita e ëndrrave të tij. Pavarësisht se sytë ishin të gjithë drejtuar tek italiani, duke bërë edhe një dalje triumfale nga tuneli për kamerat, ishin këmbëshpejtët e Brendën Roxhersit ata që ia vodhën skenën. Menaxheri irlandezo-verior ka vënë një bast me veten për të rilindur edhe një si “Super-Mario”, i cili ka bërë të dështojnë shumë trajnerë të njohur, por ndoshta harroi se në “Anfield Road” ai po rrit një nga talentet më të mëdhenj të futbollit anglez: Rahem Sterling u provoi të gjithë skeptikëve se ai meriton më shumë vëmendje kur kaloi nënkampionët në avantazh pas 8 minutash me hapin e tij karakteristik. Starrixh, i spostuar në të djathtë për t’i lënë qendrën Balotelit, nxjerr një kryevepër teknike nga repertori i tij, duke gjetur Hendersonin në shtyllën e parë: mesfushori pret gjithë pasqyrën e mbrojtjes, duke i lejuar inteligjentit Sterling që të çmarkohet dhe shënojë me Spërsat e dorëzuar. Pavarësisht se Kabul dhe Rouz e panë aksionin si spektatorë, Liverpuli nuk e përsëriti dot rezultatin 5-0 të sezonit të shkuar.
Super start – Baloteli për pak sa nuk shënoi, ndërsa djemtë e Roxhersit dominuan kontrollin e topit në 25 minutat e para. Por sulmuesi italian rastet e tij i shpërdoroi, ndërsa meriton vlerësim maksimal për përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme për të ndihmuar skuadrën. 24-vjeçari mund të kishte shënuar kur Xherrard i dha një kros nga thellësia, por topi u përplas në kokën e tij dhe përfundoi drejt e në duart e Hugo Lorisit. Pas gjysmë ore lojë, Spërsat nisën të presojnë dhe gjetën hapësira në mbrojtjen e miqve, e cila e kishte të pamundur të kontrollonte Adebajorin. Shtatlarti togolez i dhuroi një rast të artë Çadlisë, por Minjolet bëri mrekullinë. Në pjesën e dytë, Sterling vazhdoi të torturonte mbrojtjen e Poketinos me përkëdheljet e topit dhe shpërthimet e pabesueshme. Por për ta vrarë përfundimisht ndeshjen mendoi Erik Daier me një rrëzim të panevojshëm në zonë të Xho Alenit. Nga pika e bardhë shfaqet kapiteni Xherrard, duke i treguar Balotelit se ai duhet të djersijë shumë për të qenë goditësi i penalltive te 18 herë kampionët e Anglisë. Por qershinë mbi tortë e kishte ruajtur Moreno. Mbrojtësi spanjoll me një inkursion nga mesfusha, e cila të kujtonte shpërthimet e Rises, shmangu Taunsendin për të shënuar me një diagonale të mrekullueshme me të majtën. Të kuqtë harrojnë disfatën me Sitin, ndërsa Poketino kuptoi se i duhet ende kohë për të ndërtuar skuadrën e ëndrrave. Pak metra më tutje Baloteli i shijoi 30 minutat e fundit të ndeshjes nga stoli dhe me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë. Në Liverpul ai mund të ketë gjetur një copë parajse për t’u qetësuar… të paktën tani për tani ashtu duket.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"