Spektakël dhe helme, ja çfarë përfaqëson sfida Juventus-Inter

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2017 | 13:02

Spektakël dhe helme, ja çfarë përfaqëson sfida Juventus-Inter

Pasi sistemoi me autoritet praktikat “Napoli” dhe “Champions”, Juventusi do të provojë që të bëjë tris në një sfidë të helmuar, një rivalitet të përjetshëm si takimi kundër Interit, pse jo, për t’i parakaluar ata në renditje dhe duke shpresuar që një tjetër armik historik, si Fiorentina, të ndalojë një Napoli, që duket se ka hyrë në krizë së fundmi.

Juventus-Inter

Por Interi do të jetë një kundërshtar aspak komod për faktin se ata janë skuadra e vetme e pamposhtur e kampionatit dhe deri tani ka shfaqur një ekuilibër perfekt mes soliditetit, fizicitetit, teknikës dhe shpejtësisë ofensive, por edhe një prodhueshmëri të frikshme falë Ikardit me 16 gola në 15 ndeshje, por pa harruar këtu edhe një Perisiç, gjithmonë vrasës në kundërsulm.

SPALETI ME JUVENTUSIN – Nga dështimi i sezonit të kaluar, te primati i sivjetshëm nën drejtimin e Spaletit. Trajneri i ri ka ditur t’i dhurojë Interit karizëm, eksperiencë dhe shpirt fitues, duke i transformuar zikaltrit në një pretendente kryesore për titullin kampion dhe me objektivin Champions më shumë se të arritshëm.

spaleti

Gjithsesi, Spaleti nuk ka pasur shumë fat në sfidat kundër Juves. Në kampionat, suksesin e parë në karrierë e arriti vjet, 3-1 në “Olimpiako”, pas dy barazimesh dhe 7 humbjesh. Me Alegrin, bilanci i tij ishte në barazim gjatë kohës së Kaljarit dhe të Milanit, por me të kaluar te Juventusi, “Konti Maks” është në avantazh 2-1 ndaj trajnerit aktual të Interit.

HIGUAIN SFIDON IKARDIN – Por Spaleti ndien se kjo e së shtunës mund të jetë mundësia e artë: do të jetë një sfidë mes dy mbrojtjeve të ashpra dhe dy sulmuesve argjentinas agresivë, Gonzalo Higuain dhe Mauro Ikardi. Këta dy të fundit do të jenë përballë njëri-tjetrit për herë të 10, me Higuainin që numëron 5 gola, ndërsa Ikardi vetëm 2 përballë “Pipitas”.

maxresdefault

SA SHUMË HELME – Të shtunën do të vihet në skenë kapitulli numër 233 i një “romani” 110-vjeçar dhe që ka dhuruar spektakël, por edhe shumë helme. Një herë, avokatët Anjeli (Juventus) dhe Prisko (Inter) duelonin në majën e shpatës, por pas penalltisë së mosdhënë Ronaldos dhe skandalit “Calciopoli”, u përdor edhe “automatiku”. Në vitet ’30, Ambroziana tentoi t’i kundërpërgjigjej 5-vjeçarit dominues të Juves, duke zgjuar shkëndijat e para, por në vitin 1961, zjarri u ndez plotësisht: fitore në tavolinë Interit për një ndeshje të ndërprerë, por federata, që në atë kohë kishte në presidencë Umberto Anjelin, urdhëroi përsëritjen e ndeshjes.

Juventus-Inter sherr

Morata, babai i Masimos, urdhëron që në fushë të zbresë skuadra e të rinjve dhe Juventusi fitoi 9-1. Më pas pasuan sfidat mes Interit të Helenio Herrerës dhe Juves punëtore të Heribertos, që fitoi titullin 1967… Por vullkani shpërtheu sërish dy dekada më pas, konkretisht në vitin 1983: autobusi i Interit goditet me breshëri gurësh dhe barazimi 3-3 i fushës shndërrohet në një fitore 2-0 në tavolinë për zikaltrit.

NGA IULIANO-RONALDO NË KOHËT E SOTME – Gjithsesi, shpërthimi i vërtetë që do të shenjtërojë edhe rivalitetin mes Juventusit dhe Interit, ndodh më 26 prill 1998: Inter-Juve luhet për titullin. Në Torino sfida starton me gol të Del Pieros, më pas Iuliano shtrin Ronaldon në zonë, por arbitri Çekarini lejon lojën, ndërsa më pas akordon një penallti për Juven, që Del Piero e gabon. Tymi vazhdon të duket në horizont në 2002- shin, por këtë herë të acaruar janë juventinët, për një barazim të Vierit në minutën e 95-të, pas një faulli të Toldos ndaj Bufonit. Në 2005-ën, Interi fiton në Torino, por De Sanktis nuk sheh goditjet e palejueshme mes Kordobas dhe Ibrës, të dënuar me provën televizive.

nuovo.archivio.foto.iuliano.ronaldo.rigore.538x358

Juventusi i Kapelos fiton titullin, që më pas i dhurohet në tavolinë Interit. Në gusht të po këtij viti, zikaltrit fitojnë Superkupën me një gol të rregullt, që De Sanktis i anuloi Trezegesë. Pasi rikthehen në Serinë A, Juventusi fitoi 2-1 në “San Siro”, por avantazhi i Kamoranezit ishte në pozicion jashtë loje. Me të zbarkuar Murinjo në Milano, portugezi ia dedikon akuzat e para anti-arbitra Sakanit, pas një Juve-Inter 2-1, me një gol të Melos në pozicion jashtë loje, koreve raciste kundër Balotelit dhe një ndeshjeje me dyer të mbyllura. Pas tripletës zikaltër, i takon Antonio Kontes që të rikthejë titujt te Juventusi, po në 2012-ën duhet të vuajë një humbje 3-1 në Torino, ndonëse ndeshja nisi me Taljaventon, që i lejoi një gol të parregullt Vidalit dhe nuk përjashtoi me të kuq Lihshtajnerin.

FBL-ITA-SERIE A-INTER-JUVENTUS

Pasi tek Interi u rikthye Mançini, skuadra vazhdoi serinë e saj negative edhe në Kupën e Italisë: Palasio gabon nga pika e bardhë, duke zhvlerësuar suksesin 3-0, që milanezët kishin mundur të rikuperonin në fushë. Vitin e kaluar ndodh suksesi 2-1 në “San Siro”, një nga buzëqeshjet e pakta të ish-trajnerit Frank De Bur (gola të Ikardit e Perisiçit), por në kthim, Kuadrado vendos me një predhë sfidën në Torino dhe lë Interin në vendin e shtatë të renditjes. Por tani, me Luçiano Spaletin është një tjetër gjë dhe Juventus-Inter rikthehet të jetë ajo që ka qenë gjithmonë, një duel për titullin…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"