“Aventura” e bujshme e rënies së dytë të Vllaznisë së Shkodrës…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 17:46

“Aventura” e bujshme e rënies së dytë të Vllaznisë së Shkodrës…

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Pjesa e tretë

“AVENTURA” E BUJSHME E RËNIES SË DYTË TË VLLAZNISË SË SHKODRËS…

E, ndërsa Partizani e Dinamo shpërthejnë në plot gola 4-2 e 6-0, befasia e madhe është fitorja 2-1 e Vllaznisë brenda në Tiranë me 17 Nëntorin me gola të Zija Hallunit e Ramazan Rragamit, ndonëse nëndorasit kryesojnë për bukur nja 60 minuta me golin e Nuri Bylykut. Por pjesa e dytë është e shkodranëve. Ata zëvendësojnë portierin Hoxha me të riun Zija Dani dhe duhej të vinte minuta 90 e 17- vjeçari Ramazan Rragami të shënojë golin e tij të parë në Kampionatin Kombëtar, pikërisht në minutën 90! Vllaznia fitonte kështu, edhe ndeshjen e dytë me 17 Nëndorin, kësaj radhe 2-1, mbas asaj 2-0 në Shkodër, duke qenë autor i 3 prej 4 golave Zija Halluni. Skuadra shkodrane luftonte thjesht për të mos rënë një Kategori më poshtë dhe çudia ishte se nga 3 fitore që kishte arritur, 2 ia kishte rrëmbyer mû 17 Nëndorit që ishte në treshen kryesuese të Kampionatit. Kjo ishte një nga çuditë e këtij Kampionati. Për fat, kemi këtë pamje tejet të çmueshme:

Java 15 * 04.06.1961

04.06.1961. Tiranë. Stadiumi

“Dinamo”:

17 NËNDORI – VLLAZNIA

1-2

17 NËNDORI: Metani, Saraçi,

Frashëri, Kasmi, Baçi, A.Mema,

Rada, E.Shehu, Bylyku, Ishka,

Xhaçka.

VLLAZNIA: H.Hoxha

(Z.Dani), Çapaliku, S.Zmijani,

Hasa, R.Ragami, H.Kraja, Dervishi, Preza (Medja), Z.Halluni,

Rakiqi, Çefa.

GOLAT: Bylyku 32′ / Z.Halluni,

R.Rragami 90′.

GJYQTARË: I.Doraci,

F.Bakllava, Th.Noti.

04.06.1961. Vlorë. Fusha sportive e qytetit:

FLAMURTARI – DINAMO

2-4

FLAMURTARI: Mina (A.Sulo),

Ibrahimi, Elmazi, Dupi, Sallata,

Thomai, Davidi, Llupa, Gjyli, Ferko, Shehu.

DINAMO: Qoshja, N.Çaushi,

Halili, Halluni, H.Verria, N.Jareci,

Vorfi, S.Jareci, Bushati, Lubonja, Tallushi.

GOLAT: Lubonja, Lubonja, Sallata 30′, S.Jareci 51′, Lubonja, Ferko 67′.

GJYQTARË: R.Kuka, R.Pregja, J.Malo.

03.06.1961. Tiranë. Stadiumi

“Dinamo”:

PARTIZANI – TOMORI

6-0

GOLAT: Deda, Pano 25′, Seferaj 44′, Kraja (II, 11-m), Pano (II),

Ndini 90′.

04.06.1961. Kavajë. Fusha

sportive e qytetit:

BESA – LABINOTI 2-0

BESA: Sh.Topi, A.Karriqi,

E.Gjoci, Daiu, Lilamani, Daja, Felahi, Saraçi, Gërmani, Gavardari,

Dimroçi.

LABINOTI: Xhani, A.Stringa,

Kallajxhiu, Halilaj, Shëngjergji,

Krati, Gurakuqi, Rudi (Greça), Shkalla, Kovaçi, Guzi.

GOLAT: Dimroçi (I), Saraçi 22′.

GJYQTARË: H.Arbana,

D.Djepaxhia, M.Tiko.

SHIKUES: 8000.

Capture (1)

E, për çastin, të duket se Vllaznia shpëtoi. Kjo nuk do të ndodhte assesi. Vllaznia klub parësor në historinë e Shqipërisë në eufori të plotë, edhe mbas fitores së Tiranës me 17 Nëndorin – megjithatë, nuk do të shmangte zbritjen për herë të dytë një kategori më poshtë. Kjo ngaqë ajo humbet brenda në Shkodër 0-1 me Labinotin, duke zbritur në vendin e fundit me vetëm 9 pikë të fituara në tanësi. Në këtë ndeshje të stadiumit të Shkodrës, me gjithë epërsinë e vendasve, ajo ka dy episode vendimtarë, madje njeri për sot e kësaj dite më se historik. Edhe pse në pjesën e dytë Vllaznia mbetet me 10 lojtarë për shkak të përjashtimit të Haki Krajës, skuadra e Elbasanit duket sikur nuk do ta pengojë Vllazninë për të mbërritur te fitorja shpëtimtare.

Është një rast vërtet i rrallë. Lëshimi duket krejt i qartë, e madje edhe 11-metërshi i arritur për shkodranët, më shumë se për zotësinë e tyre, vjen si një dhuratë “e bukur” prej vetë elbasanasve. Duket se goli i miqve i minutës 49 realizuar prej Kovaçit, është si diçka e pavetëdijshme. Labinoti “ndërton” ndërkohë 11- metërshin për shkodranët. Ndërkaq, portieri Dylgjeri, duket sikur vë buzën në gaz dhe është krejtësisht indiferent. Mirëpo Vllaznia ia dhuron topin nga pika e bardhë në duart e tij që duken si të palëvizshme! E vërteta është se gjatë ndeshjes Dylgjeri ka luajtur shumë mirë, por në këtë çast të duket se nga larg i ka ardhur urdhri që të bëjë indiferentin. Autori i humbjes së 11-metërshit është futbollisti i përvojës së madhe, Qamil Medja, historikisht një nga futbollistët më të shquar në historinë shkodrane. Ai rrëmben topin dhe ia dhuron duarve të Dylgjerit. Kronikani, gazetari i shquar Rifat Uruçi shkruan këto fjalë që kanë mbetur në histori:

“…Është i dënueshëm, – shkruan Uruçi, – rasti i futbollistit Qamil Medja që gjuajti lehtë penalltinë duke ia dhënë në dorë portierit, në një kohë kur nga trajneri, për këtë qëllim ishte caktuar një futbollist tjetër…”.

Vllaznia e kishte marrë tashmâ rrugën e rënies për në një Kategori më poshtë. Do të jetë java e parafundit, e 17- ta, ajo që vulos dënimin e dytë historik për klubin e Shkodrës. Gjithçka përcaktohet përmes duelit me Traktorin në Lushnjë. Është 18 qershor 1961 dhe 4-1 për lushnjarët e papërmbajtshëm të plot katër golave: Xhoxhi, Kuka, Turku, Gogoni! Kjo ishte ndeshja që arrin të shuajë çdo iluzion apo shpresë shkodrane dhe që mbas pesë vjetëve (1956) për vetëm 1 pikë më pak nga Traktori, do ta çojë përsëri Vllazninë në Kategorinë e Dytë. Për çudi, ashtu si dhe pesë vjet më parë përsëri së bashku me Tomorin e Beratit. Dhe më e pakta që mund të thuhet është kujtimi ynë për e pakta gjashtë lojtarë mjaft të mirë të 11- shit lushnjar: Th.Mitrushi, S.Gjoci, H.Sherifi, M.Xhoxhi, H.Haxhiu me në krye Kristaq Gogonin i cili shpejt do të bëhet një nga lojtarët më universalë në historinë e futbollit shqiptar. Ku e keni sot skuadrën e Lushnjës, që me episodet e bujshme që krijonte, ka qenë një ndër më të këndshmet e Kampionatit të Shqipërisë?…

3 (1)

TRONDITJA E PARTIZANIT PARA SYVE TË ENVER HOXHËS…

11 qershori 1961. Është Java 16 që ka dramën partizanase. Dinamo fiton me Partizanin 2-1, duke ngushtuar në vetëm 1 pikë largësinë dhe vetëm mbas pak ditëve do të mbërrijë drama e dytë e tij, që do të çonin te zgjidhja unikale edhe për Europën, kur Shqipëria do të shpikte “golden goal”-in e famshëm për të përcaktuar titullin e kampiones së saj. Çka për çastin, po dukej se Partizanit, që kishte qenë 5 pikë mbi Dinamon, titulli po i rrëshqiste nga duart. U njoftua se në Stadiumin “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”) me kapacitet 10.000, ishin 20.000 spektatorë. Çka duhet besuar përderisa tribunat e ishin pa vende të ndara. Papritmas, në stadium ka ardhur vetë Sekretari i parë i KQ të PPSH, Enver Hoxha, një prani tepër e rrallë e tij në ndeshjet. “Ardhja e tij, – shkruan “Sporti popullor” u prit me një breshëri duartrokitjesh dhe thirrjesh entuziaste nga të pranishmit që brohoritën për shokun Enver Hoxha dhe për Partinë tonë të lavdishme të Punës”.

Ajo është një ndeshje, kronika e së cilës në kujtesën tonë si të pranishëm në tribunat e mbushura të stadiumit, duket të jetë mjaft e pasur. Minuta e tretë i përket 19- vjeçarit Namik Jareci të Dinamos. Ai u nda papritmas nga jeta në këtë vit 2020 dhe të vjen vërtet keq që asnjë koleg i tij nuk e mori pendën për ta nderuar siç duhet lamtumirën e tij. E kam fjalën për kolegë – gjyqtarë të futbollit, të cilët ai i merrte, si të thuash, për dore, dhe me zemërgjerësinë e qytetarit të klasit të parë, siç dhe ishte, ua mësonte arbitrimin. Sepse përveç futbollit të fushës së blertë pra, çka ai e ushtroi me plot forcë e pasion të madh, Namik Jareci do të bëhej një ndër gjyqtarët më të famshëm shqiptarë. Tash, duke u kthyer te futbollisti 19-vjeçar, Namik Jareci i vitit 1961, kujtoj se në të 3-ën minutë të kësaj ndeshjeje dramatike Partizani – Dinamo të epilogut të këtij Kampionati, ai ndal një top mû në vijën fatale të gjuajtur prej Jasharit të Partizanit. U tha se pikërisht kjo ndalesë fatale, vuri në pikëpyetje titullin e Partizanit, teksa ua mpaku në buzë tifozëve thirrjen “gol”. Për një çast, të dukej se ishte një epërsi e Partizanit, teksa Pano, e prapë Jashari, janë krejt afër golit. Mirëpo, është dinamasi Stavri Lubonja ai i cili zbulon golin e parë: dhe është 1-0 për Dinamon! E, kur sapo fillon pjesa e dytë, në të 48′, është Skender Jareci, vëllau i Namikut, që shënon golin e dytë për Dinamon, e cila për 20-25 minuta thuajse nuk përmbahet.

4

Ajo ishte ndeshja e sunduar prej episodeve të dy vëllezërve të paharrueshëm Jareci. Mbas pak Partizani sikur zgjohet, por nuk mund të bëjë më shumë se të shkurtojë në të 83′ me golin e Seferajt. Janë vetëm 7 minuta para mbarimit dhe dorëzimi i Partizanit është i pamënjanueshëm. Në tanësi përcaktohet si një lojë disi e turbullt e Partizanit dhe një qetësi e siguri taktike më frytdhënëse e Dinamos, e cila ngushton epërsinë e rivalit në vetëm 1 pikë. Dhe le të shkojmë tash te drama e dytë, te ndeshja e pashlyeshme që përfundimisht do t’i barazojë skuadrat. Është 22 qershor 1961. Një ditë më parë Dinamo fikson 6-0 ndaj Labinotit (Vorfi 2′, Duro 55′, Lubonja 40′, 54′ Bespalla 57′, S.Jareci 65′), skuadra e cila 25 ditë më parë kishte punuar bukur e mirë për dinamasit me fitoren e saj 1-0 ndaj Partizanit. Njëzetekatër orë më vonë, më 23 qershor, 17 Nëntori dhe Partizani shkojnë te drama 2-2 midis tyre, çka për kryesuesit e tronditur, duket si një humbje e titullit kampion. Partizani kryeson qysh në të 2′, me golin e Jasharit i cili shënon me krye. Gjithçka ecën nën tonin e epërsisë së Partizanit, por minuta 15 jep golin e barazimit për 17 Nëntorin: Bylyku te Rada dhe ky tund rrjetën e Maliqatit: 1-1! Partizani sikur qetësohet përfundimisht kur në të 40′ Pano me golin e tij e çon në 2-1 dhe ky rezultat do të ishte vetë fitorja e titullit kampion për skuadrën e tij. Nuk ndodh kështu. Ruajtja e këtij rezultati të titullit, nuk zgjat më tej se 28 minuta. Kemi hyrë në pjesën e dytë dhe çuditërisht Partizani kthehet mbrapa, me sa duket duke gjykuar se nuk duhet rrezikuar, por duhet ruajtur ky 2-1 aq i çmueshëm, çka e bënte Kampion të Shqipërisë mbas dy vjetëve. Llogaria nuk i del. Dhe në të 68′, 18-vjeçari Bahri Ishka sulmuesi i famshëm jo shtatlartë, por i papërmbajtshëm në shpërthimet e tij që nuk do të ndalnin për vite – harkon një top nga e majta. Maliqati sikur stepet ndoshta për një të dhjetë të sekondës dhe aty Enver Shehu tund rrjetën e Partizanit.

Është 2- 2 përfundimtar! Çka do të thoshte se Partizani e Dinamo do të bëheshin me pikë të barabarta (30). Partizani bindet se ka gabuar. Minutat e mbetura nuk janë pak, plot 22 të tillë. Partizani shpërthen përpara, madje edhe me mbrojtësin Deliallisi, ndërsa Resmja e Pano lëvizin sa nga e majta, në qendër apo e djathta, por asgjë më shumë se 2-2. Këtu është ndalesa e kësaj drame, të cilën 17 Nëntori i sigurt në vendin e 3-të, kishte luajtur për dinjitetin e emrit dhe të futbollit të shoqnisë së dikurshme që quhej “Sportklub Tirana”, emër te i cili për t’u kthyer, do t’i duheshin edhe plot 30 vjet. Dhe lojtarët e së cilës, siç theksohet nga shtypi, “zhvilluan një ndeshje burrërore, luftuan me ngulm për topin e parë, mbuluan mirë kundërshtarin dhe qenë të shpejtë e të qartë si në sulm ashtu dhe në mbrojtje”. Kështu shkruan gazetari i paharrueshëm Sabri Çelnikasi. Ndërsa në faqen e tij të parë “Sporti Popullor”, titullon si një rrëke këto verdikte të Kampionatit të këtij viti 1961:

“Dinamo e Partizani do të ndeshen edhe një herë për titullin.

“17 Nëndori i Tiranës në vendin e tretë”.

“Traktori mbeti në Kategorinë e parë”.

“Vllaznia e Tomori nuk i shpëtuan rënies në Kategorinë e dytë”.

RENDITJA 1961 QË AKUZON PA MËSHIRË “TË SOTMIT”…

Kampionati i vitit 1961 kishte përfunduar nën këtë pamje:

Java e fundit: * 25.06.1961

25.06.1961. Lushnjë. Fusha

Sportive e Qytetit:

TRAKTORI – FLAMURTARI

2-2

GOLAT: Kuka 2′, Ferko, ?, Xhoxhi, ?.

23.06.1961. Tiranë. Stadiumi

“Dinamo”:

17 NËNDORI – PARTIZANI

2-2

GOLAT: Jashari 2′, Rada 15′,

Pano 40′, E.Shehu 68′.

25.06.1961. Korçë. Stadiumi i

Korçës:

SKËNDERBEU – BESA 0-1

GOLAT: Saraçi 65′.

22.06.1961. Tiranë. Stadiumi

“Dinamo”:

DINAMO – LABINOTI 6-0

GOLAT: Vorfi 2′, Duro 35′, Lubonja 40′, 54′, Bespalla 57′, S.Jareci 65′.

25.06.1961. Shkodër. Stadiumi

“Vojo Kushi”:

VLLAZNIA – TOMORI 1-0

GOLAT: Z.Halluni 30′.

2 (1)

Nuk po dhimbet botimi këtu, i kësaj pasqyre tejet të çmueshme historiko-statistikore e cila ndoshta më tepër ia vlente ta ruaja për ndonjë libër të ardhshëm. Mirëpo, kur kujtoj se do “t’i detyroj” pjesëmarrësit e këtij Kampionati të paharrueshëm, që të ulen e të meditojnë sado pak e të kujtojnë veprën e tyre të pashlyeshme, atëherë aspak nuk më dhimbet. Edhe pse e di që plagjiatorët e pandreqshëm do t’i shfrytëzojnë keqas, duke i shtrembëruar jo pak, siç po ngjet këto kohë gjithandej. Dhe jo vetëm me historinë sportive të Shqipërisë… E pra, vështrojeni pak renditjen e këtij Kampionati me vetëm 10 skuadra sa dhe sot. Çka për një çast, të duket se kemi shkuar 60 vjet mbrapa. Po në të vërtetë na u dashka të mbështetemi fort te këto 60 vjet mbrapa. Vështroni pra:

DINAMO / Tiranë

LABINOTI / Elbasan

FLAMURTARI / Vlorë

BESA / Kavajë

TRAKTORI / Lushnjë

TOMORI / Berat

Janë plot 6 skuadra të qyteteve ndër më futbollistike të Shqipërisë të cilat nuk i kemi në kampionatin kombëtar datuar 2020 të shekullit XXI. I keni përjashtuar vetëm për një fakt: sepse mbas 60 vjetëve dëshironi një kampionat përsëri me vetëm 10 skuadra, çka ka përjashtuar keqas qytete të tanë të Shqipërisë. Jeni fajtorë të mëdhenj! Jeni fajtorë të një rreziku të krijuar po prej jush që po e mpak gjithnjë e më fort historinë, “etnografinë” e vërtetë, më saktë, gjeopolitikën e çmueshme të futbollit kombëtar. Dhe të gjithë heshtin. Hesht FSHF-ja! Heshtin televizionet kombëtare! Heshtin servilat e FSHFsë! Heshtin Qeveria, Ministria, që me sa duket as këta nuk duan t’i gëzojnë qytetarët e tyre me futbollin ndërqytetas. Hesht po aq dhe KOKSH i shpirtit olimpik. Dhe çudia e çudive: heshtin në mënyrë më sensacionale vetë këto qytete!

Të cilët deri në këtë shkallë nuk u patën nënshtruar as në kohën e regjimit diktatorial!… Dhe a e dini sepse? Sepse u mësuan tashmã të nënshtrohen kësisoj. Po në fund të fundit, a nuk janë ashtu si më 1961 pjesëmarrës të Kampionatit të Kategorisë së Parë, siç e kanë emërtuar me një vjedhje antihistorike “këta” të cilët sot krekosen me drejtimin absurd të Kampionateve të Shqipërisë apo të pompozitetit të “Superligës” së tyre? Ajo e cila me ndonjë përjashtim të vogël në shumicë thuajse është ngushtuar në rrjedhën e Shkumbinit apo vetëm paksa sipër tij? Sepse edhe Kukësi verilindor jeton në Tiranë. Lexues i dashtun, më fort se te asnjë, unë besoj tek ti. Vështroje me trishtim këtë Renditje të Kampionatit të vitit 1961. Është Renditja që akuzon pa mëshirë, jo ju, por “ata”! Më saktë “këta”. Bashkë do të ritakohemi me pjesën e katërt dhe të fundit të Dossier-it tonë historik…

Për vazhdimësi shih pjesën I dhe II në “Panorama Sport” të 6 dhe 11 nëntorit 2020.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"