Speciale/ Ushtarë elitarë në Afganistan, zbulohen binjakët misteriozë që po “markojnë” Kristianon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2021 | 14:29

Speciale/ Ushtarë elitarë në Afganistan, zbulohen binjakët misteriozë që po “markojnë” Kristianon

Kristiano Ronaldo dhe familja e tij mbrohen nga dy vëllezër binjakë, të cilët kanë shërbyer si ushtarë në një njësi të forcave elitare në Afganistan. Truprojat e yllit të Mançester Junajtidit u panë për herë të parë ta shoqëronin sulmuesin portugez, ndërsa skuadra përgatitej për të udhëtuar drejt kryeqytetit të Zvicrës, Bernës, në shtator, për ndeshjen e grupit të Champions-it kundër Jang Bojsave.

bm

Ata janë punësuar vetëm pak muaj më parë dhe njëri nga binjakët u fotografua edhe në fillim të këtij muaji në festën e datëlindjes së vajzës së futbollistit, Alana Martina, që Xhorxhina organizoi në Madrid. Dy shoqëruesit e një prej futbollistëve më të famshëm të planetit quhen Serxho dhe Zhorzh Ramalheiro, dy ish-ushtarakë që shërbyen në Afganistan dhe më pas u bënë pjesë e sektorit të mbrojtjes së gardës portugeze që kujdeset për sigurinë e politikanëve apo gjyqtarëve. Revista e njohur portugeze “Flash” shkruan se binjakët janë punësuar nga Kristiano, pasi ata kërkuan që të largoheshin pa u paguar nga policia portugeze për të vijuar aktivitetin privat. Ata kanë edhe një vëlla të tretë, i quajtur Aleksandër, i cili edhe ai është pjesë e forcave të policisë.

DETAJET – “Serxho dhe Zhorzh vishen në mënyrë elegante edhe duken shumë normalë”, tregon një burim i afërt i tyre për mediat lokale portugeze. “Ata janë të aftë të përzihen me turmën, por janë të shpejtë edhe në mendim, shikim dhe veprim”. Rojet e sigurisë së CR7-ës ranë për herë të parë në sy kur binjakët e shoqëruan sulmuesin drejt aeroportit të Mançesterit në muajin shtator. Dy truprojat, identiteti i të cilëve atëherë nuk dihej dhe ngjalli kuriozitet të madh për tabloidet angleze, u fotografuan teksa ndihmonin Kristianon me zbritjen e bagazheve të tij përpara se të hynte në aeroport. Në atë kohë u raportua vetëm që portugezi kishte kërkuar mbrojtje të afërt për familjen e tij sapo ishte rikthyer në Mançester. Vëllezërit u panë sërish përkrah Ronaldos kur ai u rikthye në aeroportin e Mançesterit pas humbjes së fundit në Premier Ligë 4-1 kundër Uotfordit të shtunën. 36-vjeçari është i shqetësuar për sigurinë e tij, pasi është paralajmëruar se në Angli mund të jetë një “magnet” për bandat kriminale. Ai u rikthye në Mançester pas 12 vitesh, por gjërat prej atëherë kanë ndryshuar shumë edhe në termat e sigurisë.

b

E SHKUARA – Më herët, Kristiano është mbrojtur nga një ish-luftëtar i arteve marciale dhe një ish-parashutist elitar. Ky i fundit, i quajtur Nunjo Marekos, ishte truproja e futbollistit kur ai luante me Realin e Madridit. Identiteti i tij u zbulua në qershorin e vitit 2018 pas finales së Champions-it. Nunjo ishte lideri i një grupi, i cili argëtonte turmat gjatë ndeshjeve të demave në kohën e lirë. Ai jetonte në një qytet pranë Lisbonës ku ushtronte pasionin e tij. Një ish-luftëtar i arteve marciale i quajtur Goçalo Salgado u pa gjithashtu të kujdesej për sigurinë e sulmuesit gjatë finales së Ligës së Kampioneve në Kiev në vitin 2018. I cilësuar një “mal me muskuj”, 1.87 metër i gjatë, ai ka mbrojtur në të shkuarën edhe yjet e sërfit, Kelli Slejtër dhe Gabriel Medina, ndërsa rekordi i tij në shtatë ndeshjet e peshave super të rënda të MMA-së, regjistron 5 fitore me nokdaun mes viteve 2006 dhe 2011.

rn

FORCAT SPECIALE – Dy binjakët që kujdesen sot për familjen Ronaldo vijnë nga një vend i quajtur Ansiao, i cili gjendet pranë qytetit Pombal, dy orë me makinë larg Lisbonës. Ata iu bashkuan ushtrisë portugeze menjëherë pasi përfunduan shkollën dhe u rekrutuan nga njësia speciale e forcave të armatosura, “Komandot”, e cila u krijua në Angola në vitin 1962. Motoja e luftimit të tyre “Mama Sumae” është huazuar nga fisi që jeton në jug të Angolës, e cila përkthehet “Ja ku jemi, gati për sakrificën”. Kristiano dhe Xhorxhina njoftuan muajin e shkuar se ata presin ta shtojnë familjen e tyre me dy binjakë të tjerë. Kjo do të jetë hera e dytë që familja Ronaldo do të shtohet me binjakë. Kristiano është baba i katër fëmijëve. Fëmija i parë i Ronaldos dhe Xhorxhinës është vajza Alana Martina, e cila sot është 4 vjeçe. Dhe me familjen që sa vjen dhe shtohet, siguria duhet të jetë maksimale në Mançester, atje ku do të jetë shtëpia e yllit portugez për tri vitet e ardhshme, gjithnjë në rast se nuk ndodh diçka e jashtëzakonshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"