Titulli, kampionët “votojnë” Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2021 | 23:47

Titulli, kampionët “votojnë” Vllazninë

Nuk i përzgjodhëm rastësisht! Ata janë të gjithë trajnerë kampionë. Kanë filozofi të ndryshme dhe pa dyshim histori të veçanta, por sot askush më shumë dhe më mirë se ata nuk mund të flasin për titullin. Janë njerëz që e kanë shkruar historinë në futbollin tonë. Kanë duruar presione, u kanë bërë ballë intrigave brenda dhe jashtë klubit, kanë qetësuar koka të nxehta, kanë bërë shembuj talente dhe i kanë marrë më të mirën një grupi që ndoshta edhe mund të mos ishte projektuar në fillim për kampion. Ka edhe një arsye tjetër se përse kemi zgjedhur pikërisht këta: sepse sot janë jashtë konfliktit të interesit. Nuk punojnë në ndonjë klub të Kategorisë Superiore dhe aq më pak te pretendentët për titull. Natyrisht, kanë edhe pak subjektivizëm, sepse historia e tyre si lojtarë apo trajnerë me një fanellë edhe mund të ndikojë disi në analizën që bëjnë, por në fund të fundit mbeten profesionistë. Ata e dinë se kush po e “gatuan” më mirë titullin këtë sezon në Superiore dhe flasin me argumente. Konkluzioni i “votave” të tyre në “Panorama Sport” është befasues. Për të 12-të këto personazhe, ka vetëm një favorite: Vllaznia.

vllaznia speciale

Neptun Bajko: Kanë disiplinë dhe liri veprimi

Neptun Bajko mendon se gara do të jetë e fortë, por sërish Vllazninë e sheh më të favorizuar. Ish-trajneri kampion i Partizanit në sezonin 1986-1987 vlerëson disiplinën dhe lirinë e veprimit te loja e kuqebluve. “Vllaznia po pasqyron një nivel të mirë loje. Ka një ekip të harmonizuar, luan futboll të pastër dhe shumë, shumë të disiplinuar. Brenda kësaj disipline lojtarët çuditërisht janë lënë të lirë të shprehin aftësitë e tyre. Kjo është një meritë e madhe e trajnerit dhe ekipit. Është pak herët për të folur për titullin kampion, qoftë edhe me diferencën që ka krijuar Vllaznia, sepse kampionatit asnjëherë nuk i dihet, por mendoj se ekipet që do ta rivalizojnë deri në fund do të jenë Partizani, Tirana dhe deri diku, nëse ndodhin ndryshime, edhe Kukësi. Teutën e shoh si një rival të fshehtë, por nuk e di se deri ku do t’i shkojnë pretendimet”, u shpreh 72-vjeçari.

HAFIZI

Astrit Hafizi: Qetësi shpirtërore, janë të bashkuar

Lidhja e tij me Vllazninë dihet, ndaj nuk ka si të mos jetë i lumtur për këtë rizgjim. Flasim për Astrit Hafizin, trajnerin që u dha titullin numër 7 shkodranëve në sezonin 1991-1992. “Vllaznia po bën diçka që kishte kohë pa e bërë. Ajo që më bën përshtypje është mënyra e drejtimit të ekipit. Është krijuar një qetësi shpirtërore, të cilën ndoshta shumë ekipe të tjera nuk e kanë. Ajo ngarkesë psikologjike që ushtrohet rëndom ndaj skuadrës nga drejtuesit në mënyrë të veçantë dhe reflekton në anën tekniko-taktike, te shkodranët nuk po ndodh. Dhe kjo është kryesorja. Është krijuar një grup shumë i mirë e solid. Luftojnë të gjithë bashkë, gëzohen të gjithë bashkë, hidhërohen të gjithë bashkë dhe nuk ka rëndësi e kisha unë apo ti fajin. Edhe kur shënojnë, nuk i japin rëndësi se kush shënoi… E shikoj këtë nga jashtë, nga ato gëzime që ata kanë pas ndeshjes, pavarësisht se kanë fituar një ndeshje e nuk kanë fituar kampionatin apo një kupë, por kjo tregon që skuadra mbahet gjithmonë në tonus pa u shprehur shumë me deklarata, me mendime, por gjithmonë duke qëndruar me këmbë në tokë, do vazhdojmë, do ecim përpara, do të kemi një mundësi për të manovruar, kuptohet edhe kundërshtari që po gabon nga java në javë. Secili po gabon në mënyrën e tij. Dhe në fund më kryesorja, është edhe tradita, emri dhe unë mendoj që emri, tradita luan rol të madh. Mund të rizgjohet sado që është rrëzuar në tokë. Ajo ka mundësi të ngrihet, sepse ka një emër, ka një fanellë, ka një stemë, që edhe ajo influencon sadopak në krijimin e këtyre rezultateve. Dhe në fund, unë mendoj që është një profesionist shumë i mirë ai që po drejton ekipin. Unë nuk kam nevojë ta shoh as në stërvitje dhe nuk kam nevojë të komunikoj me të, por duke parë skuadrën si luan në fushë, si e interpreton lojën, mua më lë të kuptoj që trajneri është shumë i mirë, koncepti i lojës – sepse ne kemi thënë Vllaznia luan futboll, luan futboll, por kishte nja 10 vjet që nuk luante futboll – ndaj unë mendoj që është koncepti i lojës dhe ka një meritë të veçantë sepse është edhe për arritjen e skuadrës, në ecje të skuadrës, sepse gjithmonë ajo kurorëzohet me fitimin e një titulli. Megjithatë, na lë të mendojmë se rruga drejt titullit po shkon për Vllazninë”, tha 67-vjeçari.

Josa1

 

Mirel Josa: Diferenca e pikëve jep siguri

Për Mirel Josën, Vllaznia është në një nivel tjetër. Dhe kur e thotë këtë një trajner që ka marrë 5 tituj kampion (një me Tiranën në 2003-2004 dhe katër me Skënderbeun në sezonet 2012–2013, 2013–2014, 2014–2015, 2015–2016), duhet marrë në konsideratë. “Unë do të gaboj nëse nuk them që Vllaznia po i bën gjërat më mirë sesa skuadrat e tjera. E para, shoh një diferencë pikësh sigurie me ekipet e tjera. Është normale që gjatë rrugës Vllaznia mund të gabojë, qoftë skuadrat e tjera mund të gabojnë. Por, unë kapem te kjo, sepse kur kam drejtuar skuadra si Skënderbeu, Tirana e të tjera dhe kam qenë me diferencë pikësh shumë përpara, pretendimi i skuadrave që kishim nga mbrapa ishte jo kartoni, jo… Por, nuk ka mundësi që një skuadër që ka humbur gjithë këto pikë gjatë kësaj periudhe të mos bëjë edhe ajo hapin pas të vetin. Kështu që, qoftë Partizani, qoftë Teuta, qoftë skuadrat e tjera që janë më pas Vllaznisë, Tirana, Laçi deri tani kanë gabuar dhe si ka mundësi që këto skuadra të mos gabojnë nga ky moment deri në fund të kampionatit. Edhe Vllaznia mund të gabojë, por unë bazohem te ajo që Vllaznia ka gabuar një herë dhe ne të gjithëve na futi në dilemë pas humbjes që pësoi me Kukësin në Shkodër. Por shkodranët treguan se u ringritën shumë shpejt, që në ndeshjen pasardhëse. Unë mendoj se skuadra që është për kampione, mund të bëjë hapa falsë se është normale në çdo kampionat, jo vetëm në këtë tonin, por edhe di të ringrihet shpejt. Skuadrat që dinë të ngrihen shpejt tregojnë se kanë baza që janë ndërtuar që në fillim të kampionatit. Me kalimin e javëve nuk kanë pasur luhatje dhe kampionatin e fiton pikërisht ajo skuadër që ka më pak luhatje, qoftë në lojë, qoftë edhe në rezultat. Vllaznia e ka treguar këtë që në momentet e para. Duhet të themi një gjë, që të fitosh një ndeshje 1-0, me rezultat të ngushtë, është shumë pozitive për një skuadër sepse ka përkujdesje edhe në mbrojtje, por di edhe të godasë kundërshtarët, sikurse goditi Vllaznia Kukësin në ndeshjen e fundit dhe nuk e goditi vetëm duke qenë cinike, duke pritur, por e goditi edhe në lojë”, theksoi 57-vjeçari.

Shkelqim-Muca1-490x276

Shkëlqim Muça: Nuk tronditen edhe kur humbin

Shkëlqim Muça di gjithashtu të “nuhasë” kur një ekip është një hap para të tjerëve, derisa si trajner i është dashur të përvetësojë 4 tituj (3 me Tiranën në sezonet 1994-1995, 1999- 2000, 2006-2007 dhe atë me Dinamon në 2009-2010). “Në fillim isha pak skeptik prej optimizmit dhe vrullit të fillimit, por tani mendoj që është konsoliduar mirë. Ka rritje edhe në lojë. Vllaznia, Teuta, Partizani, Tirana, këto janë katër ekipet, por Vllaznia është një hap më përpara. E them këtë sepse nganjëherë ne që e shohim nga jashtë mendojmë që ‘e mo ky s’ka ekip, do të thyhet një ditë…’. Por nuk është kështu, sepse duke e parë nga ndeshja në ndeshje, sheh që përveç aspektit psikologjik i cili ka qenë i mirë që në fillim me fitoret e para, edhe me etjen për të fituar. Tani Vllaznia është rritur shumë edhe sa i takon pjekurisë në lojë. Një pjesë e mirë e lojtarëve janë rritur shumë, si p.sh. Gurishta, Krymi, Marku, Hoxha, lojtarë që kanë qenë në Shqipëri, por nuk dukeshin dhe duke parë sa janë ngritur këta, çdo njeri që merret me këtë punë e sheh qartë që niveli i tyre sa vjen e rritet dhe pjekuria taktike. Kur i sheh në lojë, vëren se lojtarët janë përmirësuar shumë. Duket që aty punohet me themel, nuk është rastësi. Unë i jap rëndësi trajningut dhe drejtimit. Vllaznia është pjekur shumë dhe është shumë vështirë të thyhet. Edhe në një ndeshje që u thye, skuadra reagoi menjëherë. Tirana e vjetshme, p.sh., në momentin kur mori superxhiro, mundi Kukësin dhe Partizanin, u bë e pathyeshme. Po ata lojtarë ishin edhe me trajnerët e tjerë, por ndryshuan në aspektin taktik, grupi u bë më harmonik, u bë entuziast gjithë skuadra, stoli dhe këto janë shumë të rëndësishme në futboll. Sepse, ekipet e tjera, një humbje dhe tronditen, si Kukësi, jo ka një lojtar që ankohet pse s’luan e të gjitha këto… Kjo është arsyeja”, deklaroi 60-vjeçari.

sulejman mema

Mema: I pashë me Teutën, diferencë e frikshme…

Sulejman Mema është bindur se shkodranët e kanë shtruar rrugën drejt titullit në ndeshjen kundër Teutës. Trajneri që i ka dhënë dy kampionate Tiranës (në sezonet 1995-1996 dhe 1998-1999), e komenton kështu garën e këtij kampionati: “Deri tani unë shoh skuadrën e Vllaznisë nga mënyra se si po luan, nga motivimi, nga mentaliteti që kanë. Nuk e them këtë prej rezultatit, por kam parë që kanë pasur stabilitet. Edhe kur skuadra është mundur, ka ditur të reagojë dhe kur ndodh kjo, është pozitive. Nuk e humbet entuziazmin. Kjo është pozitive. Unë e kam parë në fushë skuadrën dhe edhe pse gati 50 për qind e skuadrës është ajo e mëparshmja, tani është ndryshe nga ekipet e tjera. Po të them për Kukësin, e shoh shumë të vështirë sepse atë karakter që i duhet futbollit nuk e ka. Tirana po u rregullua me Seferin, mund ta shoh pozitivisht, por të shohim si do të vazhdojë. Sa për Partizanin, Daja mbi të gjitha di të administrojë shumë mirë situatën. Por deri tani shoh Vllazninë. Edhe ju vetë duhet të jeni të bindur për nga mënyra se si luan kjo skuadër. E pashë me Teutën dhe kishte diferencë shumë të madhe. Gjatë gjithë kohës, edhe me 10 lojtarë ata e fituan takimin dhe ishin shumë më mirë se të tjerët”.

Bejkush-Birce-1

Bejkush Birçe: Vllaznia është dy hapa para

Trajneri që ka shpallur dy herë kampion Partizanin (1978-1979 dhe 1980-1981) dhe një herë Dinamon (1989-1990), mendon se Vllaznia ka bërë dy hapa para rivalëve në luftën për titullin. Bejkush Birçe, sot 77 vjeç, tregon edhe se kush mund t’i rrezikojë shkodranët. “Vllaznia është një skuadër që deri më tani ka merituar gjithçka në fushën e lojës, pasi nuk ia ka falur kush ndeshjet. I ka marrë fitoret duke luajtur në 100% për këtë qëllim në çdo takim. Nuk duhet të bëjë çudi në opinion fakti që Vllaznia po ecën mirë, sepse Shkodra ka qenë gjithmonë djep i futbollit dhe i kulturës. Nuk është një skuadër që doli nga dheu dhe ne duhet të befasohemi se është pretendente për kampion. Jo, Vllaznia e meriton të jetë në krye me këtë ekip dhe nuk është aspak çudi që ajo të dalë kampione. E shoh favorite me atë që po tregon këtë kampionat. Nuk shikoj ndonjë skuadër tjetër që ta rrezikojë. Në fillim u mendua se Kukësi kishte një kontingjent të mirë dhe mund të bënte diferencën, por nuk ndodhi kështu. Unë mendoj se Vllaznia ka bërë dy hapa para të tjerëve. Për shkodranët, në këtë moment, sukses do të jetë që organizimi i klubit të vazhdojë të mbetet në këto nivele, të jenë larg euforisë. Nëse fillojnë me probleme, duke përjetuar ndonjë humbje si dramë, do të kenë vështirësi. Askush nuk mund të thotë tani në futboll: ‘Unë nuk humbas kurrë’”, deklaroi fillimisht Birçe, për të folur më pas për skuadrat e kryeqytetit. “Partizani me 9 pikë larg duhet të bëjë një merkato të fortë në të gjitha repartet. Si të thuash, duhet të fuqizojë ekipin në atë pikë saqë kur ta shikojnë tifozët, t’u shkëlqejë syri. Mendoj se edhe këto ndeshje që ka zhvilluar, nuk janë të Partizanit që dëshirojnë tifozët. Ndërsa Tirana është një herë mirë, një herë keq. Kërkon të përmirësohet, gjen mundësitë, por edhe i largon ato që ka. Mendoj se janë probleme organizative të klubit”, përfundoi ish-trajneri që ka drejtuar edhe Kombëtaren shqiptare.

Ballgjini: Shkodranët një realitet, luftë me durrsakët deri në fund

Haxhi Ballgjini shpalli për herë të parë kampione Teutën në sezonin 1993-1994. Sot 62-vjeçari nuk është më aktiv në futboll si trajner, e megjithatë vazhdon të ndjekë me interes kampionatin. Nuk i largon dot nga gara durrsakët, ndonëse e pranon që kuotat më të larta i ka Vllaznia. “Tashmë Vllaznia është bërë realitet. Së pari, ka garanci pikët që ka marrë dhe faktin se ka kaluar shumë sprova nga ndeshja në ndeshje. Unë kam qenë një nga ata që nuk besoja dhe e kam parë me skepticizëm vazhdimësinë e Vllaznisë, por tani me plot gojën mund të them se kjo skuadër i ka rritur shumë kuotat për të dalë këtë sezon kampione. Teuta është ndërtuar për t’u shpallur kampione. Ka bërë shpenzime të mëdha në merkaton e verës dhe pret të shfrytëzojë kontingjentin e plotë që ka. Mori dy trofe në 100-vjetorin e themelimit dhe tani i ka të gjitha mundësitë për të tentuar edhe titullin. Oreksi është shtuar dhe drejtuesit e klubit e kompletuan Teutën me shumë lojtarë. Pavarësisht oshilacioneve që pati në fazën e parë të këtij kampionati, duke lënë shumë pikë rrugës, besoj se do të jetë në garë deri në fund. Normalisht pretendentë seriozë shikoj edhe Partizanin, por edhe Tiranën, paçka se është disi mbrapa me pikë”, theksoi ish-trajneri i “djemve të detit”. I pyetur në fund se cilin ekip shikon favorit, ai u shpreh: “Unë shikoj Teutën dhe Vllazninë si ekipet që do të luftojnë deri në fund për titullin kampion. Janë klubet që mund t’i veçoj nga të tjerat. Teuta ka lënë shumë pikë në Durrës dhe kjo është keqardhja më e madhe. Të marrësh 6 barazime në ndeshjet brenda nuk është një gjë e mirë”.

dedjaaaa

Hysen Dedja: Një shembull për ato që ishin në Europë

Hysen Dedja mendon se Vllaznia është një shembull për t’u marrë. Trajneri që i shpalli kampion kuqeblutë në 1997- 1998, shprehet kështu: “Shoh Vllazninë pretendente. I kam ndjekur të gjitha takimet dhe më bindin. Ka bërë një organizim jashtëzakonisht të mirë, ka ndryshuar 100 për qind. Te Vllaznia funksionon gjithçka si një ekip që duhet të dalë kampion. Shoh një lidhje të ngushtë mes sportdashësit, bashkisë, sponsorit, drejtorit teknik, stafit dhe futbollistëve. Te Vllaznia ka një frymë që nuk e gjen tek asnjë skuadër tjetër, gjë që duhet ta kishin ekipet që morën pjesë në Kupat e Europës dhe kaluan nga një tur. Pra, siç e menduan ndoshta në letër më parë, si Teuta, Laçi, Tirana dhe Partizani menduan që ne tani po dalim, po bëjmë një hap më të madh. Në fakt, këto tri ekipe, se Tirana e bëri. Por, në organizim ishte më e shpejtë Vllaznia dhe për këtë mendoj se ajo mund të kurorëzohet edhe kampione”.

licaj

Liçaj: Nuk kanë emra, por grup të fortë

Është konciz. Nuk dëshiron që të zgjatet shumë, megjithatë mendimin e ka të qartë: Vllaznia merr titullin. Ky është opinioni i Edmond Liçajt, trajnerit vlonjat që ka drejtuar Flamurtarin në sezonin kampion, 1990-1991. “Kampionatin e fiton Vllaznia. Mendoj kështu, pasi Vllaznia është më e avantazhuar. Mjafton që të vazhdojë me këto ritme. Ekipi shkodran nuk ka emra, por ka grup. Ka shumë entuziazëm brenda ekipit, ndaj e shoh kampion këtë sezon”, tha shkurtimisht vlonjati.

faruk sejdini

Faruk Sejdini: Vllazni kujdes, mjaftojnë 3 humbje…

“Ne jemi të vdekur të pakallur”, kështu nis fjalën e tij “Xhaxhi” i Dinamos. Faruk Sejdini e peshon ndryshe mendimin e tij për këtë çështje, madje nuk ngurron që t’i japë edhe një këshillë Vllaznisë. “Vllaznia po tregon një konsolidim në kuptimin e lojës, por ka edhe avantazhin e pikëve, ndaj matematikisht dhe teorikisht është pretendentja numër një. Por, e theksoj: për momentin që flasim. Pse jo, edhe e fiton. Por, futbolli është i paparashikueshëm, ndaj ka edhe matematikën e pritshme, që do të thotë, bëhet fjalë për një diferencë e përkthyer në vetëm 3 ndeshje. Jo rrallëherë kanë ndodhur që 3 ndeshje edhe mund t’i humbësh radhazi, qoftë edhe përballë skuadrave të ashtuquajtura pa pretendime apo në pjesën e fundit të tabelës. Kështu që, gara është e hapur. Meqenëse ju më pyesni për tani, matematikisht është e pritshme që Vllaznia të triumfojë. Vetëm një gjë dua të them, që ky kampionat mendoj se do të jetë i paparashikueshëm sepse ishte i tillë edhe kur filloi. Sepse, ne patëm dy goditje: Një që ishte pandemia globale, siç e ka e gjithë bota dhe po shohim që kudo ka oshilacione të mëdha, por së dyti ne kishim edhe një budallallëk shqiptaro-kinez që e pengon kampionatin, edhe nja dy muaj pasi u hap mundësia për të luajtur pas pandemisë. E gjithë kjo, për shkak të bojkotit që të bëhej Liga. Kinezëri shqiptare që e pengon futbollin. Nëse të gjitha kampionatet nëpër botë patën vetëm goditjen që u dha Zoti, ne patëm edhe goditjen ‘alla shqiptare’ për trutë tanë”, u shpreh 70-vjeçari, i cili shpalli kampione Dinamon në sezonin 2001-2002.

Ernest Gjoka

Ernest Gjoka: Ekip agresiv dhe me ekuilibër

Të vetmin titull që Kukësi ka, e mori me të në drejtim (në sezonin 2016-2017). Ernest Gjoka po merr kënaqësi prej Vllazninë, por e paralajmëron që të shtojë disi dozën e agresivitetit. “Kur nisi sezoni, pretendentë shihja Kukësin, Teutën, Laçin dhe Tiranën. Partizanin me problemin e mbylljes së merkatos e shikoja një ekip që do të luftonte për një vend në Europë, por jo për titull. Megjithatë, si gjithmonë çdo vit, ka një ekip që bën surprizën. Këtë herë doli Vllaznia, që deri tani më ka dhënë shumë kënaqësi. Po tregon se është e denjë për t’u bërë kampione. Pse mendoj kështu? Sepse kam parë një ekip të ndërtuar me shumë kujdes dhe me mentalitet fituesi. Është një skuadër që jep në çdo ndeshje maksimumin në çdo aspekt, si fizik, taktik, por edhe të pathyeshëm nga ana mentale. Në futbollin e sotëm modern, një skuadër e tillë thyen çdo barrierë dhe mbi të gjitha shikoj shumë qetësi. Kjo sigurisht tregon që skuadra po menaxhohet me shumë profesionalizëm nga të gjithë: si drejtori teknik e deri tek puna e shkëlqyer e trajnerit, i cili ka fituar simpatinë e skuadrës dhe kjo është e dukshme në çdo ndeshje. Mendoj që Vllaznia po tregon se është një skuadër me disiplinë taktike në të dyja fazat e lojës dhe ka shumë ekuilibër. Lë shumë pak hapësira dhe agresiviteti për të fituar topin është maksimal. Edhe në fazën e sulmit, ku shpejtësia e daljeve dhe mbushja e zonës është në mënyrë perfekte dhe këto elemente i ka një skuadër shumë potente. Por, kampionati është shumë i gjatë në kohë dhe do të fillojë të bëhet akoma dhe më shumë agresiv nga skuadrat që kanë objektiv titullin”, u shpreh 50-vjeçari, i cili sot drejton Shkëndijën e Tetovës.

Tafaji

Alban Tafaji: Të avantazhuar, por Tirana ndryshoi

Alban Tafaji është gjithashtu në listën e trajnerëve që kanë fituar të paktën një titull. Trajneri që mori kampionatin me Tiranën në sezonin 2008-2009, nuk dëshiron që të heqë dorë nga klubi i zemrës. Gjithsesi, thellë-thellë e pranon që Vllaznia është më e avantazhuar. “Me afrimet me peshë që ka bërë Tirana në merkato, mund t’i japë tjetër drejtim garës dhe rivalitetit për titull. Megjithatë, me çfarë ka treguar deri më tani, them se Vllaznia është skuadra më e avantazhuar. Kjo, për faktin se ka avantazhin e pikëve, distancën që ka krijuar, mbështetur edhe me entuziazmin e grupit si dhe lojërat bindëse përballë thuajse të gjithë kundërshtarëve”, ka deklaruar 49-vjeçari, që aktualisht është zyrtar në federatë.

1 121

 

PËRGATITËN: JETMIR HALILAJ, JORGIS MEMO, ADELA MERKO, OLSI TUJANI, ERMAL SIKA

SHËNIM: Nuk janë marrë Shpëtim Duro, Ilir Daja dhe Sulejman Starova, pasi janë në aktivitet. Gjithashtu, janë lënë jashtë edhe Skënder Gega me Emanuel Egbonë, për shkak se e kanë nisur këtë sezon me një skuadër dhe gazeta nuk do të donte që t’i vinte në pozita ku edhe mund të paragjykoheshin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"