Skuadër shumëkombëshe dhe kryetare e djathtë, quajeni “Vllaznia e çudirave”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2021 | 20:26

Skuadër shumëkombëshe dhe kryetare e djathtë, quajeni “Vllaznia e çudirave”

Vllaznia e këtij sezoni po magjes Shkodrën, por jo vetëm atë. Është pa dyshim një rast për t’u studiuar edhe për faktin se ka lëvizur më shumë se kushdo në merkato para fillimit të këtij sezoni dhe brenda një kohe të shkurtër iu imponua Superiores.

Vllaznia festa e golit

Të krijosh një shkëputje prej 9 pikësh pas vetëm 13 ndeshjesh të luajtura ndoshta do ta kishte zili edhe Skënderbeu i epokës së artë të titujve radhazi.

Megjithatë, tashmë qyteti që ndryshe quhet djepi i futbollit shqiptar, ka me çfarë të krenohet në këto ditë të vështira me pandeminë dhe krizën financiare globale. “Panorama Sport” rendit disa fakte dhe ato që mund të quhen edhe si çudira të këtij sezoni që “rrethojnë” skuadrën aktuale.

* Vllaznia është i vetmi klub tërësisht në varësi të bashkisë dhe të vetmes bashki që kryetaren (Voltana Ademi) e ka të opozitës…

ademi-1

* Ka trajner Tomas Brdariçin, një gjerman me origjinë kroate që flet disa gjuhë të huaja.

* Një sponsor shkodran (Alban Xhaferi), një trajner gjerman (Tomas Brdariç) dhe një drejtor kroat (Matko Djarmati). Treshe e çuditshme, por e suksesshme për momentin në Shkodër.

* Është skuadër shumëkombëshe, sepse luajnë lojtarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mal i Zi, Bosnja, Afrika dhe Brazili…

* Është rast për t’u studiuar, sepse mori 15 lojtarë në verën e 2020-ës dhe sot kryeson bindshëm klasifikimin.

* Shkodra, ose “fabrika e sulmuesve”, sot krenohet me Ardit Hoxhajn, Haris Dilaverin dhe Ismael Dungën. Pra, një vlonjat, një boshnjak dhe një kenian…

* Në startin më të mirë të sezonit në dekadën e fundit klubi është i përfshirë në procesin e privatizimit. Bashkia ka nxjerrë në shitje 100% të aksioneve me një ankand të hapur.

* Aksionet e Vllaznisë i duan të gjithë, por asnjë nuk po i blen…

* Ka stadiumin më të mirë, ka skuadrën më bindëse, por nuk ka tifozët. Dhe jo tifozë dosido, por “Made in Shkodra”, që e djegin stadiumin në momente të tilla…

* Trajneri Tomas Brdariç është gjermani i dytë që drejton shkodranët në historinë e klubit. Në vitin 2006 për 6 muaj kuqeblutë i drejtoi Ulrih Shulze, por iku pa lënë gjurmë…

Vllaznia

* Vllaznia është skuadra që shënon më tepër se kushdo në Superiore pas 13 javësh (22 gola). Gjithashtu, shkodranët kanë një ekuilibër për t’u admiruar, pasi kanë pësuar vetëm 9 gola. Më pak se kuqeblutë kryesues kanë pësuar vetëm Teuta (6), Partizani dhe Tirana (nga 8).

* Statistika të çmendura me Vllazninë ka sulmuesi nga Kenia, Ismael Dunga, i cili në 7 ndeshje, nga ku vetëm 3 prej tyre e ka nisur nga minuta e parë, ka shënuar 4 gola. Më pas sulmuesi u largua drejt Kenias për probleme dokumentacioni. Befas klubi shkodran e nxori në shitje, teksa kërkon të përfitojë një shumë prej 130 mijë eurosh.

* Golashënuesi më i mirë i Vllaznisë dhe i Superiores pas 13 javësh kampionat është sulmuesi Ardit Hoxhaj me 7 gola. Në fillimin e sezonit 26-vjeçari vlonjat nuk u preferua titullar.  Ai ka luajtur vetëm 7 ndeshje nga minuta e parë, por është ndër sulmuesit më efektivë në Superiore, teksa në vetëm 653 minuta në fushë, ka realizuar 7 herë, madje në takimin ndaj Skënderbeut shënoi 4 gola në fitoren 5-1.

* Vllaznia afroi në merkaton e verës plot 15 lojtarë, duke ndryshuar skuadrën në masën 60%, por pas 13 javësh kampionët e sheh veten të shkëputur me 9 pikë nga ndjekësit.

* Ardit Hoxhaj, Aleksandar Isaevski, Enes Isufi, Bojan Zogoviç, Viktor da Silva Matos, Uheid Hoxha, Demir Imeri, Mehdi Çoba, Nertil Hoxhaj, Kristofer Mandiangu, Ismael Dunga, Arlind Kalaja, Eni Imami, Haris Dilaver dhe Fjoart Jonuzi firmosën për klubin shkodran muajin gusht dhe shtator.  Trajneri Brdariç nuk ka aktivizuar për arsye të ndryshme në kampionat vetëm Isufin, N.Hoxhajn, U.Hoxhën dhe Mandiangunë.

* Futbollistët e mbetur nga sezoni i kaluar që kanë luajtur më së shumti në formacion kanë qenë Mevlan Adili, Erdenis Gurishta, Ardit Krymi, Herald Marku dhe Arsid Kruja.

* Portieri malazez, Bojan Zogoviç, si dhe kapiteni Erdenis Gurishta janë rekordmenë të minutave në këto 13 ndeshje, duke mos munguar asnjëherë. Si për ironi të fatit, këtë javë mbrojtësi do të pushojë për shkak të plotësimit të kartonëve të verdhë.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"