Speciale/ Shkëndija, “kombinati i talenteve” që solli modën holandeze

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2018 | 21:38

Speciale/ Shkëndija, “kombinati i talenteve” që solli modën holandeze

Nga UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Askush nuk e kishte menduar se ajo ditë e ftohtë janari, gjysmëshekulli më parë, do të shënonte fillimin e një cikli epokal të një futbolli ndryshe në Shqipëri, me mentalitet e stil të ri loje, tejet modern, atletikofizik e argëtues të ngjashëm me futbollin total holandez të kohës. Cilët ishin 21 nxënësit e parë që krijuan Shkëndijën, skuadra surprizë që u shfaq aq befasishëm kur një formacion shkolle sfidonte pa bujë ato të traditës me rezultate tronditëse?

Si e kujtojnë sot disa nga protagonistët e kohës ditën e parë, ndeshjet e famshme, dashuritë, si u përhap fenomeni shkëndijas në Shqipërinë futbollistike pas viteve ’70? Kush ishte Zyber Konçi, strategu që themeloi futbollin si filozofi sportive duke e kthyer në programe shkollore? Nga Hoxha, Gjonaj te Sulaj, disa nga të paharruarit që nuk jetojnë më. Të rrëfesh për Shkëndijën nuk mjaftojnë dy faqe apo më shumë gazete, ndoshta më shumë se edhe një libër apo film, pasi e tillë ka qenë dhe mbetet historia unike, me futbollistë e trajnerë protagonistë, aktorët kryesorë të saj.

shkendija

Ideja gjeniale e Zyber Konçit

Nisur nga disa iniciativa si krijimi “Dinamoviti i Ri” (1958), kontributi i Xhavit Demnerit e mjaft specialistëve të moshave në rrethe, që kishin krijuar traditën dhe ishin të angazhuar në seleksionimin e fëmijëve të talentuar, hapin cilësor, atë historik, me idenë për hapjen e një shkolle të mesme me profil futbollin, do ta realizonte Zyber Konçi. I diplomuar në Pragë për Edukim Fizik me specialitet futbollin, trajner i Dinamos, kombëtares në fillim të viteve ’60, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, u krijuan kushtet që kjo shkollë të startonte, duke u vendosur pranë IKF-së me drejtor Kiço Karagunin, si dhe stafin pedagogjik të saj. Skuadra do të kishte emrin Shkëndija, si një gjetje simbolizuese e përfaqë- suese të një brezi plot “shkëndijë”, shpresë e entuziazëm që do t’i afrohej e servirej futbollit shqiptar. Me ngjyrë jeshile dhe një stemë në gjoks, kjo ka qenë fanella tradicionale e saj në vite.

Fillimi, një njoftim te “Sporti”

Historia e kësaj shkolle nis kur, në “Sporti Popullor” të 19 dhjetorit 1967, në faqen e katërt, nga Drejtoria e IKF “Vojo Kushi” jepet njoftimi në pak rreshta se më 15 janar do hapet Shkolla e Mesme e Mjeshtërisë Sportive. Konkursi do të bëhet nga datat 3-10 janar 1968, sipas grafikut të seleksionimit të bërë. Gjatë një jave, fusha e futbollit gumëzhinte nga fëmijë, që testoheshin nën vëzhgimin specialistëve të njohur Z. Konçi, L. Boriçi, S. Dedja, Z. Gjinali, S. Jareci, R. Resmja, S. Peqini, A. Mazreku, I. Bellova, etj., duke përfshirë edhe specialistë të IKF-së, si ato të atletikës, lojërave me dorë, gjimnastikës, mjeshtrit A. Marko, M Deliadhisi, G. Kavaja, mjeku K.Gaqi etj.

Seleksionimi nga klubet dhe Spartakiada

“Ka qenë një orientim që klubet të seleksiononin fëmijë të talentuar, të datëlindjes 1951-’52. Unë, Zëri, Tufa, Gjonaj ishim te Dinamo, kur Skënder Jareci na thotë se ishim zgjedhur nga klubi për të konkurruar në janar për në Shkollën e Mjeshtërisë”, tregon Mehmet Spahiu, ish-nxënës i asaj shkolle. Ndërsa Astrit Hafizi shprehet: “Në qershorin e ’68-ës, zhvillohej Spartakiada e Pionierëve, ku Zyber Konçi, Myslym Alla, Anton Mazreku ndiqnin nga afër elementin e ri për shkollë. Kujtoj se ne të përzgjedhurit nga ky turne e filluam direkt pa konkurs shkollën, sepse emrat tanë kishin shkuar në qytetin ku jetonim dhe në tetor na njoftuan të shkonim në Tiranë”.

shkendijaa

Cilët ishin 24 nxënësit e parë

Të gjithë 14-15-vjeçarë: A. Hoxha, Sh. Kurti, P. Gjonaj, L. Tagani, V. Zëri, M. Spahiu, B. Tufa, Xh. Puka (Tiranë); V. Ajazi, A. Bulku, E. Zalla (Durrës); B. Hushi, F. Kosova, A. Arkaxhiu (Kavajë); A. Medja, R. Koxhja (Shkodër); A. Sulaj, L. Curi, L. Malaj (Vlorë); Gj. Ballço (Korçë); M. Gurma (Sarandë). Këta kanë qenë 21 nxënësit e parë, të cilët, të hënën e 15 janarit, u ulën në bankat e të parës shkollë të mesme me profil futbolli në Shqipëri, e cila, ndryshe nga sistemi arsimor që kishte nisur në shtator, do të startonte pesë muaj më vonë. Ndërkohë, në shtator të 1968, do të fillonin shkollën edhe 14 fëmijë të grupit të dytë të datëlindjes 1953: M. Fagu, A. Hafizi, F. Paçrami, M. Konomi, B. Çela, S. Lubonja, D. Shehu, N. Barbullushi, I. Stavre, Ll. Lala, Th.Laçi, A. Halili, Dh. Lulo, A. Shapllo. Ndërsa në grupin e tretë, atë të sezonit 1969-’70, do të pranoheshin: Luarasi, D. Gëzdari, V. Bifsha, D. Bajaziti, L. Sherko, F. Skëndo, V. Capo, A. Toqi, A. Qipo.

Kur Shkëndija luante në Kategorinë e Parë, edhe pse një skuadër shkollë, kishte njëkohësisht edhe dy ekipe të tjera konkurruese pjesë- marrëse në aktivitetin zyrtar, një në Kategorinë e Dytë dhe një me të rinjtë, si asnjë klub tjetër.

Në garë, dominim pa konkurrentë

Pasi ka fituar Kupën e Rinisë duke mundur në finale Dinamon, më 17 maj 1970 ajo shpallet dy herë kampione me të rinjtë, me diferencë 12 pikë nga ekipi i dytë, Lokomotiva, me një golaverazh tronditës (69-7). Ndeshjet i zhvillonte te fusha e shkollës, në terrene jo të përshtatshme, rrallë në stadiume. E para, edhe në Kategorinë e Dytë në sezonin 1970-’71, kampion pa rivalë, me një dominim absolut, në vjeshtën e sezonit 1971-’72, skuadra fiton të drejtën të luajë në Kategorinë e Parë me 14 skuadra. Për të forcuar skuadrën, Konçi afron dy lojtarë të ardhur nga grupi i dytë: Astrit Hafizin e Musa Fagun. Ndihmës ka Shyqyri Rrelin, ndërsa Bahri Ishka drejton ekipin që luan në të Dytën.

Futboll spektakolar, një Holandë e vogël

Skuadër e panjohur, që vinte nga Kategoria e Dytë turne, që reflektonte pak interes e publicitet, aq më shumë për një skuadër shkolle si Shkëndija, informacioni ishte minimal. Por futbolli që tregoi shumë shpejt do të ishte tronditës: spektakolar, i shpejtë, me individualitete, lojë kolektive e harmonizuar, përgatitje e lartë fizike, befasi, qarkullim topi, tipike dhe karakteristika të një futbolli që po shpërthente në Europë.

Të gjithë që vraponin, markonin, topi nuk adresohej pa mendim, me një mentalitet argëtues e fitues, futboll entuziast, me element atletiko-gjimnastikorë, qëndrueshmëri, forcë, shkathtësi, tekniko-taktik, duke sjellë një tjetër filozofi në futbollin kombëtar, me një stil loje modern, të ngjashëm me atë që ofronte Holanda, futboll total i saj bazuar në elementet tekniko-fizikë, futbollistë me moshë të re, të talentuar, që drejtoheshin nga një strateg si Zyber Konçi. Shumë shpejt skuadra fitoi simpatinë e tifozëve dhe, në shumë vite, Shkëndija e Mjeshtërisë Sportive u kthye në një kombinat të vërtetë futbolli.

shkendija kavalla

Debutim tronditës për “big”-ët

Debutimi ka qenë i jashtëzakonshëm, në veçanti ndaj Partizanit, që fitohet 2-1 me dy gola të Sulos e Fagut në prani të mijërave spektatorë kuriozë, duke shkaktuar një tërmet të madh në “Qemal Stafa” për të kuqtë. Por, ndaj 17 Nëntorit skuadra thyhet nga një gol i “liverpulçes” tiranase që ndëshkoi shkëndijasit. Renditja përfundimtare: Vllaznia kampione me 40 pikë, 17 Nëntori, Dinamo, Partizani, Labinoti, Besa dhe në vendin e gjashtë Shkëndija, ndonëse pa asnjë eksperiencë e traditë me 29 pikë (12/ 5/9).

Pastaj vendi i tetë në sezonin 1972-’73, në të cilin Dinamo është kampione dhe në atë 1973-’74, sërish vendi i gjashtë me 27 pikë me Vllazninë, e para me 37 pikë. Këto janë tre konkurrimet e para historike të Shkëndijës në Kategorinë e Parë. Për t’u kujtuar janë edhe disa nga golat historikë, si ato të Sulajt e Fagut ndaj Partizanit, të Zërit ndaj Vardarit në Shkup, ku ndeshja filloi dhe mbaroi me topin në këmbët e tij, tregolëshi i Sulajt ndaj Dinamos etj.

Një skuadër plot talente

Në portë Hoxha, shtatlartë, portier ajri… Për të vijuar me mbrojtësin energjik Kurti, në daljet në sulm në krah, si dhe Çuri nga e majta i zgjuar, i pagabueshëm. Mbrojtjen e kompletonin dy qendrorët Gjonaj dhe Gurma. Një tandem shtatlartë teknik, i fortë në lojën në ajër e tokë, në dyluftime, të shpejtë, që i jepnin siguri këtij reparti duke u alternuar në mbulime, organizim e daljet përpara. Pastaj mesfusha:

Ballço, Hafizi, ndonëse me karakteristika të ndryshme, ishin në sintoni dhe oksigjen për skuadrën, forcë e fantazi, spektakël: Ballço i palodhur, i kudondodhur; Hafizi organizator, racional me shikim periferik e pasim të saktë, ndërsa Zëri një ndër talentet më të spikatura që ka parë futbolli për aftësi teknike, ku shquhej si një driblues i jashtëzakonshëm. Në sulm Bulku, një kursor krahu i shpejtë, ndërsa nga majta Musa Fagu, një tjetër talent, klasik sulmues në atë pozicion. Dhe si qendërsulmues Agron Sulaj, një model i lojtarit golashënues. Elegant, njohës i mirë i zonës, portës, goditës nga të gjitha pozicionet me të dyja këmbët, i fortë në ajër, përplasje. Një 4-2-4, 4-3-3 që ndryshonte sipas rrethanave që ofronin situatat. E tillë ka qenë loja e Shkëndijës, ritëm, agresivitet, presion, karakteristika që demonstronte ai grup, titullarë e rezerva.

Derbi, me Shkëndijën bëhen pesë

Shkëndija ka meritën se i dha tjetër rivalitet garës dhe takimeve derbi të Tiranës, e dominuar përjetësisht nga treshja Partizan-Dinamo-17 Nëntori. Gjithashtu, në vitet ’70 kemi edhe pjesëmarrjen në Kategorinë e Elitës të disa skuadrave modeste të periferisë së Tiranës, të cilat, ashtu si u futën, edhe dolën. Ndërsa Shkëndija qëndroi gati një dekadë. Madje, në sezonin e parë, atë 1971-’72 në Kampionatin e Kategorisë së Parë, janë 5 skuadra të kryeqytetit që formojnë derbin e madh: Bashkë me tre historiket, është edhe Shkëndija e Studenti, madje deri kur Shkëndija ka luajtur në këtë nivel, derbi i një qyteti, në këtë rast ai tiranas, ka pasur gjithmonë katër skuadra, nga më të veçantit edhe në Europë.

shkendija butrinti

Të gjithë në kombëtaret e kohës

Nga kapiteni i parë i saj, Vladimir Gjonaj, të gjithë kanë qenë protagonistë të ekipeve kombëtare, Shpresa, e të moshave. Por, i pari shkëndijas që ka luajtur me ekipin përfaqësues ishte Milto Gurma, kur në Bukuresht, më 29 tetor 1972 (EKB), trajneri e aktivizoi në mënyrë surprizë në mesfushë, Rumani-Shqipëri 2-0. Ishte një preferencë e trajnerit Myslym Alla për ta pasur në formacion, pasi e pëlqente mënyrën dhe stilin e tij të lojës. Edhe në Kupën Ballkanike… Shkëndija ka luajtur në Kupën Ballkanike vetëm në një sezon, atë 1972. Në një ditë me shi, terren të rënduar, kur skuadra greke Kavalla vjen në stadium me avion çarter vetëm pak çaste para fillimit të lojës, regjistrohet debutimi në “Qemal Stafa” i Shkëndijës në këtë turne: 5 maj 1972, Shkëndija-Kavalla 2-1 (Fagu, Bulku). Formacioni: Hoxha, Kurti, Gjonaj, Gurma, Hushi, Bulku, Sula, Zëri, Ballço, Hafizi, Fagu. Pastaj dy barazimet 1-1 në Shkup e Tiranë dhe humbja 2-0 në Etnikos të Kavallës. Renditja: Tri skuadra me katër pikë, por me golaverazh më të mirë në vendin e parë është Vardari, pastaj Kavalla e Shkëndija.

Dashuritë dhe moda e shkëndijasve…

Ndonëse të rinj, por shumë shpejt të njohur, kryesisht për banorët, vajzat e zonës përreth shkollës, por edhe gjimnazeve, veçanërisht të “Qemal Stafa”- s, kanë qenë djemtë e preferuar e të admiruar. Nxënëset që dilnin në dritaret e klasave, ndërpritej mësimi kur lojtarët e Shkëndijës kalonin, ose gjatë pushimit të madh e pas shkolle. Dashuritë e shkëndijasve me vajzat e Rrugës së Durrësit, por edhe anasjelltas janë të njohura. Të veshur mirë, djem modern, ata ishin të ftuar në mbrëmjet e të shtunave në gjimnaze, apo në ato vallëzimit te Pallati i Kulturës. Janë fejuar, martuar me bashkëshortet që kanë sot, ende pa mbushur 20 vjetët.

Djemtë e Shkëndijës ishin protagonistë edhe në modë, me veshje moderne, pasi duke dalë jashtë shtetit u jepej mundësia që të sillnin diçka më shumë dhe krijuan kështu një “look” ndryshe e që dallonte kur dilnin shëtitje. Një magnetofon, muzikë, flokë të gjatë e barseta, duke imituar futbollistët e huaj në ato vite, por edhe kritika nga drejtues të shkollës, mësues dhe gati çdo të hënë në mëngjes në rreshtimin e zakonshëm, me “akuzën” si ndjekës mode, aq sa një pjesë e tyre do të shkonin te berberi për t’u qethur, pastaj të futeshin në mësim…

Si skuadër “jetime”

Shumë e re, pa histori e autoritet, pak tifozë, duke luajtur zakonisht të shtunën, që ishte ditë pune, Shkëndija ishte skuadra e familjarëve, shokëve, studentëve të përhershëm në shkallët e tribunës përballë që e ndiqnin në stërvitje, duke e shoqëruar edhe në qytetet e afërt, si Durrës, Kavajë, ku të çonte treni, pasi edhe vetë Shkëndija në shumë raste me tren udhëtonte, madje brenda ditës. Në raste sporadike, merrej hua autobusi i Studentit me shofer Bimin.

Një trajtim modest ushqimor, 80 lekë në mensën e shkollës, ku ishte edhe konvikti, që fillonte me gotën e çajit, pa asnjë mbështetje financiare, mungesë materialesh dhe shpeshherë nga ndeshja e të dielës, në mëngjes në dërrasë të zezë, po në provim. Por asnjëherë skuadër problematike, polemizuese me arbitrat, kundërshtarë, përkundrazi me mjaft admirues. Një ndër ta kam qenë edhe unë dhe i kam jetuar nga afër shkëndijasit, karrierën, angazhimet shkollore, ato jashtë saj. Madje, fillimet e mia si arbitër i kam pikërisht aty, kur trajneri i tyre Shyqyri Rreli më ofronte të drejtoja ndeshjet e kontrollit të ditës së enjte.

Si u përhap “Fenomeni Shkëndija”

në të gjithë vendin Në mbyllje të ciklit 7-vjeçar, në qershor të 1974-ës, pas shkollimit largohen shkëndijasit e parë, duke u kthyer te klubet e qyteteve nga kishin ardhur. Sulaj e Çuri te Flamurtari, Ballço në Korçë, Ajazi e Bulku te Lokomotiva, Gurma një vit qëndroi si asistent pedagog, pastaj te Luftëtari. Hushi e Kosova te Besa, Gjonaj, Zëri qëndrojnë te Dinamo, portieri Arjan Hoxha te Partizani etj. Bashkë me ta edhe trajneri Zyber Konçi, që merr drejtimin e 17 Nëntorit, ndërsa Shkëndija i besohet Shyqyri Rrelit.

Titullarë me klubet ku shkuan, ata i dhanë hov e ndryshim futbollit të qyteteve ku i mirëpritën, duke përcjellë tjetër filozofi e mentalitet dhe ngritur cilësinë sportive, forcuar skuadrat, e mbushur stadiumet me njerëz që vinin për të parë atë çfarë ata demonstronin në fushë. Jo vetëm si futbollistë, por vite më pas edhe si trajnerë të klubeve, deri në ekipet kombëtare si Sulo, Hafizi etj.

Ata që nuk jetojnë

Në vite, dekada disa prej tyre janë ndarë nga jeta. Arjan Hoxha portieri, vdekja e të cilit edhe sot ka mbetur enigmë. Shkëlqim Kurti, Petrit Gjonaj, Alfred Harxhi, Ardian Arra, Arjan Bakiri, Josif Gjergji, Agron Gjyrezi, Vangjel Capo, por edhe trajnerët Z. Konçi, L. Boriçi, B. Ishka, M. Alla, Th. Jançe, M. Ndini, drejtuesit e paharruar të IKF dhe më pas ILKF “Vojo Kushi”, profesorët, mjekët, punonjës, e mjaft të tjerë që e krijuan i dhanë jetë një institucioni me vlerë kombëtare historike, njerëz me kontribute sa sportive, aq njerëzore që fatkeqësisht nuk jetojnë më.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"