Shifrat e Superiores, Kukësi dhe Tirana në dorë të të huajve. Partizani gola “bio”, Skënderbeu i rinuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2019 | 15:40

Shifrat e Superiores, Kukësi dhe Tirana në dorë të të huajve. Partizani gola “bio”, Skënderbeu i rinuar

OLSI TUJANI

Partizani siguroi titullin e 16-të në historinë e klubit, pas 26 vitesh thatësirë. Ndërkohë, referuar shifrave, të kuqtë janë gjithashtu skuadra me më shumë vlerë në merkato apo edhe me moshën mesatare më të lartë. Golat vendës, apo renditje vetëm me golat e shënuar nga futbollistët e huaj.

partizani kampion

“Panorama Sport” ju sjell Kategorinë Superiore në sezonin që lamë pas, referuar të gjitha shifrave dhe të dhënave të mundshme për ekipet.

KLASIFIKIMI SIPAS VLERAVE

Në bazë të të dhënave, Partizani është skuadra më e shtrenjtë, referuar edicionit 2018-2019. Të kuqtë kryesojnë me një vlerë prej 5.98 milionë eurosh, ndërkohë që Kukësi është në vendin e dytë të podiumit në bazë të kësaj të dhëne. Vlera totale e nënkampionëve është 5.4 milionë euro. Skuadra e Laçit ndjek dhe më tej janë Teuta, Skënderbeu, Luftëtari, Tirana, Flamurtari dhe Kastrioti.

Capture

Kamza e dënuar që në mes të fazës së tretë me përjashtim nga kampionati dhe rrëzim në Kategorinë e Dytë me vendim të Komisionit të Disiplinës, e mbyll renditjen me një vlerë prej 114 milionë eurosh, edhe pse aktualisht është një skuadër pa lojtarë në përbërje. Sa i përket vlerës së lojtarëve, në bazë të këtyre përllogaritjeve, nisur nga numri i lojtarëve të federuar në edicionin që ka përfunduar dhe vlera totale e ekipeve, vlera mesatare e një lojtari të Partizanit është 239 mijë euro. Në radhë, vijnë futbollistët e Kukësit me vlerë mesatare 221 mijë euro secili dhe lojtarët e Laçit vlejnë mesatarisht 193 mijë euro.

MOSHA MESATARE

Kamza ka rënë nga kategoria me vendim të Komisionit të Disiplinës pas dhunës ndaj arbitrit Eldorian Hamiti, ndërkohë që në bazë të ekipit që ka pasur në dispozicion, renditet si skuadra e tretë me moshën mesatare më të madhe. 26 vjeç ishte mosha mesatare te kjo skuadër, ndërkohë si më të “plakurat” janë Partizani dhe Kukësi me moshë mesatare 26.1 vite. Mosha mesatare e Tiranës është 25.6 vite e ndjekur nga Flamurtari me 25.2 dhe Teuta me 25.1.

Kukesi

Kastrioti që luftoi deri në fund për mbijetesën, numëronte në ekip shumë elementë të rinj të ndërthurur me futbollistë me eksperiencë, ndaj mosha mesatare ishte më e ulët se skuadrat kryesuese, vetëm 24.2 vite. Skënderbeu ka një moshë mesatare 23.6 vite dhe ekipi me moshën mesatare më të vogël është Laçi, 23.5 vite.

KLASIFIKIMI ME GOLAT “BIO”

Tregu i huaj është bërë gjithnjë e më i pranishëm në vendin tonë. Kjo për vetë faktin se skuadrat e duan një futbollist të gatshëm, me eksperiencë dhe që të garantojë një numër të caktuar golash apo edhe për faktin se në akademitë e tyre punohet pak për të nxjerrë produkte. Ose në rastin kur ka të tillë nga ekipet zinxhirë, nuk u jepet kohë dhe besim në skuadrat e para.

Capture1

Pa bërë analizën pse ka apo nuk ka të huaj në elitën e futbollit shqiptar, në bazë të një renditjeje ku si masë merren vetëm golat e shënuar nga futbollistët shqiptarë, duke mos përfshirë autogolat, klasifikimi pëson një ndryshim të rëndësishëm referuar “transfermarkt”. Kampionët në realitet, Partizani, qëndrojnë sërish aty, duke treguar edhe se pjesa më e madhe e golave që kanë realizuar është “made in Albania”. Pra, gola shqiptarë.

Tirana

Mirëpo, ndjekësi në klasifikim, Kukësi, zbret frikshëm në këtë renditje. Verilindorët renditen në vend të nëntë. Tirana, e cila siguroi mbijetesën në dy javët e fundit, renditet në vend të pestë referuar klasifikimit me gola të shënuar vetëm nga futbollistët vendës. Kamza e mbyll këtë renditje në vend të fundit. Skënderbeu katapultohet në vend të dytë, ndërkohë që për gola shqiptarë, Laçi zë vendin e tretë. Teuta në vend të katërt dhe Flamurtari plotëson renditjen në vend të gjashtë. Skuadra e Kastriotit ngjitet në vend të shtatë në bazë të kësaj përllogaritjeje.

RENDITJA “PËR TË HUAJT”

Në rregull, shpesh ankohemi se të huajt janë të shumtë dhe se nuk lënë vend për futbollistët shqiptarë që të kenë mjaftueshëm hapësirë. Po sikur të bëhet një llogaritje e klasifikimeve se si do të renditeshin ekipet vetëm në bazë të golave që shënohen nga të huajt? Pa përfshirë autogolat, kampion në këtë renditje do të ishte Kukësi, i cili do të kishte 57 pikë në këtë klasifikim.

Capture2

E radhës, Teuta me pesë pikë më pak. Tirana ngjitet me katapultë për një vend nderi. Sigurisht, Sentamu e Ngo, dy pika referimi në sulmin e bardhebluve në edicionin që lamë pas, ndaj nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe 24 herë kampionët janë në të njëjtën kuotë pikësh me durrsakët. Flamurtari ndjek në këtë renditje me 42 pikë dhe në mesin e artë, vendi i pestë, është Kastrioti. Ka 12 gola të realizuar nga futbollistë të huaj dhe koleksionon 9 fitore, 14 barazime e 12 humbje. Partizani zbret ndjeshëm dhe e gjen veten në vend të gjashtë, duke treguar qartë se këtë sezon nuk ka qenë aspak “në dorë të të huajve” për golat e shënuar.

Skënderbeu, Luftëtari, Laçi dhe Kamza plotësojnë gjysmën e poshtme të kësaj tabele, duke treguar se këto janë ekipet me më pak gola të shënuar nga futbollistët e huaj. Shembulli për t’u ndjekur? Kamza. Ama, vetëm në rast se do ta kishte përfunduar kampionatin dhe do të kishte pasur në skuadër vetëm lojtarë shqiptarë, por në fakt, kryeqytetasit kanë luajtur vetëm pak më shumë sesa gjysmën e kampionatit.

GOLAT BRENDA KOHËS SË RREGULLT

Skënderbeu i këtij edicioni nuk ka të njëjtat cilësi në përbërje apo edhe në atë që ka treguar në fushë, krahasuar me vitet e mëparshme. Korçarët janë një ekip që i zgjidhin ndeshjet pa pritur kohën shtesë. Njësoj edhe Partizani dhe Kukësi, të cilat diskutuan mes tyre për titullin kampion dhe vendin e parë që të çon në kualifikueset e Ligës së Kampionëve. Këtë e tregon edhe renditja vetëm me golat që janë shënuar brenda kohës së rregullt, pa përfshirë kohën shtesë.

Capture3

Pjesa dërrmuese e Superiores nuk pëson ndryshime, me përjashtim të Luftëtarit dhe Laçit. Kjo tregon se me përjashtim të këtyre dy të fundit, pak janë golat që janë shënuar përtej 45-së dhe 90-të minutave, në kohën shtesë. Kastrioti është skuadra e renditur në vend të nëntë, gjithashtu pa ndryshuar nga renditja reale në kampionat. Mirëpo, skuadra që duket se në ADN-në e saj lufton edhe përtej minutës së 90-të, është Laçi.

Kurbinasit zbresin nga renditja reale, që tregon se përtej 90-ës kanë shënuar gola më shumë sesa të tjerët. Me kurbinasit në vend të tetë, rezulton që kanë shfrytëzuar në maksimum minutat e akorduara nga gjyqtarët e katërt për shtesë. Tirana është një tjetër skuadër që mban renditjen e saj reale, të shtatin vend.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"