Sherri në sfidën Tomori-Naftëtari, flet ish-gjyqtari: Ja pse nxora të kuqin, nuk arbitrova më kurrë kuçovarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 22:19

Sherri në sfidën Tomori-Naftëtari, flet ish-gjyqtari: Ja pse nxora të kuqin, nuk arbitrova më kurrë kuçovarët

UVIL ZAJMI

Për të gjithë mjedisin sportiv, por jo vetëm, veçanërisht për arbitrin Pavllo Bukoviku, situata e krijuar në ndeshje dhe proceset gjyqësore nuk ishin normale dhe sigurisht që e tronditën. Kurrë në karrierë ish-lojtari i shquar dhe protagonist absolut i 17 Nëntorit legjendar të viteve ’70, mesfushor, nuk i kishte ndodhur të qenët në një situatë të tillë. Aq më shumë si arbitër. “Nuk e mendova se çfarë ngjau në fushë do të kishte ato pasoja. Kurrsesi të isha unë shkak për dënimin e tyre. Janë momente që gjenerojnë situata gjaknxehtësie, por që i mbeten fushës në përfundim të takimit”, thotë sot Bukoviku, i cili nuk ka aspak dëshirë t’i rikthehet atij takimi.

ffffkkk (1)

Çfarë ju kujtohet nga ajo ndeshje?

Kur në mesjavë më komunikuan se bashkë me anësorët Aleksandër Preka dhe Eqerem Caslli do të gjykoja të enjten në Berat atë ndeshje. Jemi nisur në mëngjes herët me trenin e parë deri në Lushnjë, pastaj me autobusin e linjës në Berat.

Brenda pak javësh sërish me Naftëtarin. Pse? 

Dy javë më parë e pata arbitruar Naftëtarin që barazoi 1-1 në Durrës. Me lojtarët kisha raporte korrekte. Si ish-futbollist e kuptoja lojtarin, gjendjen shpirtërore, emocionet, reagimin ndaj vendimit të një arbitri. Ndryshe të jesh arbitër, se je në dy pozicione të ndryshme.

Dhe vjen momenti kur u ndiet i fyer. Mund ta na thoni çfarë ndodhi saktësisht?

Ishte një ofendim i rëndë, nuk mund ta toleroja. Fyerja erdhi nga një lojtar brenda zonës. Ishin minuta të tensionuara, të lodhur, ngarkesë e madhe psikologjike. Nuk mund të them se çfarë fyerjeje ishte, por duke qenë se fyerja erdhi nga turma, m’u krijua ideja se ishte Koçi. Nuk e prisja, u befasova dhe reagimi im ishte i menjëhershëm, duke e ndëshkuar me karton të kuq. Pati tension, siç ndodh në të tilla raste, dhe acarimi midis meje e lojtarëve ishte i ashpër.

82617081_2874171675937705_4052087960563089408_o

Në dhomat e zhveshjes, lojtarëve iu vunë pranga. Ju informuan për këtë fakt?

Sigurisht që nuk e menduam se më pas do të kishte arrestime dhe dënime. Nga Berati ne u larguam me një mjet policie pa u njoftuar se çfarë kishte ndodhur më pas. Çështjen e kishte marrë prokuroria dhe vetëm pas disa ditëve na njoftuan se ne arbitrat duhet të paraqiteshim në Prokurorinë e Beratit. Nuk ka qenë e lehtë në shumë drejtime, nuk isha mësuar me situata si ajo.

Pati qëndrim nga FSHF-ja për ju? 

Jo, dhe kam arbitruar në Gjirokastër në javën e parë të fazës së dytë. Naftëtarin e kam gjykuar jashtë fushës së tij, ndërsa në Kuçovë nuk arbitrova më.

UVIL ZAJMI

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"