Sherr për një pozë, e pëson… fotografi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2019 | 23:38

Sherr për një pozë, e pëson… fotografi

RENI KAZIU

Gara këtë sezon në Superiore ishte shumë më e fortë se në kampionatet e kaluara dhe Partizani u shpall zyrtarisht kampion vetëm 3 javë nga fundi, ndërkohë që lufta për Europë dhe mbijetesë vazhdon e ethshme dhe me shumë gjasa do të vendoset në 90 minutat e fundit të një kampionati të gjatë prej 36 javësh.

60943682_656758808116505_379219215367798784_n

Ekipet, në disa raste, luanin me nervat e kundërshtarëve, në deklarata thumbuese apo “kunja” të hedhura në fushën e të tjerëve, duke përdorur edhe mjetet jashtë fushe për të shpërqendruar kampet e tjera. Në javën e 23-të të Superiores, nervat duket se nuk i mbajtën disa tifozë të Partizanit, në një moment kur kampionati ishte një fazë delikate të tij. “Demat” kishin shënuar të parët me Bardhin dhe kryesonin në takimin e “Selman Stërmasit”, por në minutën e 39- të të takimit ishte Andi Ribaj që shënoi për të barazuar shifrat për Flamurtarin. Siç ishte bërë zakon tashmë, rreth vlonjatit u mblodhën edhe lojtarët e tjerë të ekipit dhe ata po pozonin para fotografit të tyre.

Edhe pse në një pjesë të fushës ku nuk kishte tifozë të Partizanit, aty u afruan disa prej tyre dhe filluan të kapeshin me fotografin e kuqezinjve. Disa shkëmbime fjalësh dhe disa tifozë, që kurrsesi nuk mund të përfaqësojnë të gjithë tifozërinë e kuqe, kapërcyen rrethimin dhe u futën në fushë, duke filluar të godisnin fotografin Çimi Ramaj, duke dëmtuar edhe një nga aparatet e tij fotografike, të cilin më pas ia kthyen mbrapsht, por që për fat shpëtoi pa u thyer.

Përveç fotografit, në këtë mesele e pësoi edhe autori i golit, Andi Ribaj. Sulmuesi i ekipit të Dajës, në momentin e sherrit, u afrua te tifozët për të ulur gjakrat e për të sheshuar situatën. Por, sipas arbitrit të asaj ndeshjeje, Ribaj i kishte ofenduar tifozët dhe në atë moment e nxori me karton të kuq. Gjithsesi, kjo situatë e tensionuar tashmë është zgjidhur, dhe vetë fotografi i Flamurtarit, në ndeshjen e fundit që Partizani zhvilloi në Vlorë, shkoi para tifozërisë së organizuar “Ultras Guerrils”, duke u përshëndetur me ta dhe tifozët ultras të Partizanit deklarojnë se grupimi i tyre nuk ka asgjë me zyrtarin e vlonjatëve.

FOTOZHENIKËT E SUPERIORES

Nëse do të veçonim një nga gjërat më origjinale dhe të veçanta nga ky sezon i Kategorisë Superiore, pa dyshim që mes tyre do ishte edhe festa e ekipeve para fotografëve të tyre. Përveç festës individuale që çdo lojtar mundohet të ketë si një identifikim personal, këtë vit kanë rënë në sy edhe festimet e lojtarëve si një “trup” i vetëm. Diçka të tillë e ka bërë në disa raste ekipi i Flamurtarit, ku edhe në një situatë të vështirë financiare, me lojtarët muaj pa u paguar, ata kanë gjetur forcën dhe synimin, që të arrijnë fitore me peshë për të nderuar fanellën kuqezi.

61203247_444857769409604_6352045468716892160_n

Pas golave të shumë lojtarëve të vlonjatëve, ajo që binte në sy ishte se ata rreshtoheshin para fotografit të tyre dhe të gjithë pozonin si fotozhenikë, e ndonjëherë të jepnin përshtypjen se ishin “fotomodelë” të vërtetë. Një festim të tillë, ekipi i Flamurtarit e ka bërë në ndeshjen ndaj Tiranës në shtëpi, ose ndaj Teutës, por ajo që bëri më shumë bujë ishte pikërisht ndeshja në kryeqytet ndaj Partizanit, ku pas festimit në mënyrën e tyre tashmë tradicionale, tifozët e kuq u kapën me fotografin që po kryente shkrepjet dhe gjithçka degjeneroi në një sherr të madh në pjesën pas portës.

61285899_443979079497837_5216255914343923712_n

Ndërkohë, një festim të tillë, ku i gjithë grupi pozon si një i tërë para aparatit fotografik, e kanë bërë edhe te Kukësi, apo edhe “ushtarët” e Partizanit, ku të gjithë përdornin festimin me dorën në kokë, si një ushtar, të përdorur nga Bruno Telushi.

RESPEKT PËR TË KALUARËN

Në një kampionat të vogël si ky shqiptar, nuk mungojnë as transferimet e shumta dhe lëvizjet e lojtarëve nga njëra skuadër te tjetra. Edhe në këtë sezon, një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve nuk kanë zgjedhur të festojnë golat e shënuar përballë ekipeve ku kanë kaluar një pjesë të karrierës, apo edhe ku janë formuar. Respekt për ekipet e mëparshme kanë treguar lojtarë si Alla me Flamurtarin, pas golit të shënuar ndaj Kukësit, apo edhe vlonjati Telushi me Partizanin, teksa shënonte në javën e pestë ndaj Flamurtarit.

61008660_2277551252491740_422561216410419200_n

Gjithashtu, diçka të tillë te Kukësi e kanë bërë edhe Rexhinaldo e Rroca, pas golave shënuar ndaj Luftëtarit. Patrik Bardhi me Kastriotin dhe Masato Fukui në radhët e Kamzës nuk kanë festuar kur kanë shënuar ndaj Tiranës. I pari është rritur në akademinë e bardhebluve, ndërsa për japonezin ishte Tirana që i hapi dyert për t’u bërë i njohur në Superiore. Bregu dhe Gripshi gjithashtu kanë qenë lojtarët e Skënderbeut, që pas golave, respektivisht ndaj Luftëtarit e Teutës, kanë zgjedhur të mos festojnë. Nderim kanë shfaqur edhe lojtarët e Teutës. Bicaj nuk ka festuar pas golit të shënuar në javën e gjashtë ndaj Skënderbeut, ndërsa diçka të tillë e ka bërë edhe Progni, pasi i realizoi Partizanit, ku me “demat” ishte në gjysmën e parë të sezonit.

FESTIM PREJ “HULK”-U ME… PASOJA

Golat në minutën e fundit janë edhe ata që të shijojnë më shumë sportivisht, kur shoqërohen edhe me arritjen e fitores për ekipin. Një pjesë e konsiderueshme e golave në Superiore shënohen në minutat e fundit të ndeshjeve dhe shumë lojtarë nuk i kanë rezistuar tundimit për të hequr fanellën, e për të treguar muskujt, por që më pas shoqërohet edhe me karton të verdhë nga arbitri, edhe pse kartoni del në plan të dytë në këto raste.

60960647_1149159578601078_2203962833014620160_n

Me një festim të tillë, përmendim Gjonin e Laçit, me golin në minutën e 94-t ndaj Luftëtarit, apo Grecën, që në të njëjtën minutë shënoi për Tiranën ndaj Luftëtarit. Te bardheblutë diçka të tillë e ka bërë edhe Blazhevski, në ndeshjen e javës së shtatë ndaj Kastriotit. Gjithashtu, fanellën e kanë hequr pas golave edhe Rapo te Luftëtari apo Bregu në radhët e Skënderbeut, pas golit të shënuar në kryeqytet ndaj Partizanit. Në radhët e demave, “muskujt” i kanë treguar edhe Çinari në golin ndaj Teutës, apo Asani pasi i dha një pikë të artë ndaj Kukësit, me penalltinë e shënuar në ndeshjen e “Loro Boriçit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"