Rumenige “luan” finalen e fundit me Bajernin e Mynihut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2020 | 14:15

Rumenige “luan” finalen e fundit me Bajernin e Mynihut

PANORAMASPORT

 

Prej shumë kohësh, kampionati nuk është më një kënaqësi për Bajernin e Mynihut. Champions-i është trofeu që është kthyer në obsesion për skuadrën që dominon prej 8 vitesh Bundesligën. Nëse të dielën bavarezët do t’ia dalin të fitojnë Champions-in, ky do të ishte edhe triumfi i parë që do të kishte një kuptim për gjermanët. Për numrin dy të klubit, Karl Hainc Rumenige, do të ishte pika më kulminante gjatë karrierës së tij si drejtues në skuadrën bavareze.

RUMENIGE

Në 2001 ai, edhe pse pjesë e stafit, ishte nën hijen e Franc Bekenbauerit. Në 2013, në atë të Uli Hënesit. Këtë herë, e gjithë bota do të shihte punën e madhe që ka bërë me gjermanët. Mund të themi se është një nga sezonet më të suksesshme të Bajernit, duke parë edhe kohën e vështirë që po jetojmë.

E KALUARA

Rumenige njihet ndryshe si “Zot i krosimeve”. I lindur në “Lippstadt”, ai ngjiti menjëherë shkallët e karrierës duke u bërë një nga lojtarët më të mirë në Gjermani jo vetëm në rang klubesh. Të shumtë ishin pseudonimet për Kallen, i cili kishte fituar zemrat e të gjithë tifozëve të Bajernit në vetëm pak kohë. Jo vetëm si lojtar, por edhe si njeri, Karl Hainc ishte dhe mbetet një model për të gjithë. Në moshën 18- vjeçare ai debutoi me Bajernin dhe vetëm një vit më vonë mori pjesë në finalen e Champions-it. Në moshën 20- vjeçare, ai ngriti edhe trofeun e madh në finalen ndaj San Etienit. Në vitin 1984 ai u bë lojtari i dytë pas Maradonës, që transferohej për 11 milionë marka te një tjetër klub i madh, Interi. Ajo që i mungon Kalles është pa dyshim Kupa e Botës të cilën nuk e fitoi dot kurrë edhe pse shkoi dy herë në finale.

Rumenige

KARRIERA SI DREJTUES

Në vitin 1991 ai u zgjodh së bashku me Franc Bekenbauerin si zëvendëspresident në skuadrën e Bajernit. Atëherë ishte vetëm 36 vjeç. Në 2002, u zgjodh si CEO i klubit. Që atëherë ka fituar 18 kampionate me bavarezët. Se sa shumë ka bërë ai për Bajernin, as vetë ai nuk e di, por fakti është se ai ka qenë gjithmonë pjesë e këtij klubi që ka fituar gjithçka, që mund të fitohet një skuadër futbolli.

FUNDI

Në fund të 2021 gjithçka do të marrë fund për Rumenigen. Në sezonin që vjen, vendin e tij do ta zërë pasardhësi i tij, Oliver Kahn. Kështu është planifikuar të ndodhë. Kohët e fundit ka qenë më i qetë se kurrë më parë, por për një burrë në moshën e tij, është e vështirë të zësh vend në trena në të cilët ai nuk mund të ulet më. “Por më parë duhet të fitohet tripleta”, tha Rumenige pas fitores 3-0 ndaj Lionit në gjysmëfinalen e Champions-it.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"