Speciale/ Rivalët e përjetshëm, Reali sfidon sërish një italiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 17:25

Speciale/ Rivalët e përjetshëm, Reali sfidon sërish një italiane

Rikthimi i Champions-it e përball Realin e Madridit me një rival italian. Është i dyti i sezonit, sepse edhe në fazën e grupeve u përballën me Interin, të cilën e mundën 2 herë (3-2 dhe 0-2). Pavarësisht fakit se transalpinët janë rivali i përjetshëm i madrilenëve në kompeticionet kontinentale, Atalanta kurrë nuk ishte përballur në 76 duelet e mëparshme. Diçka e tillë ka ndodhur për faktin se për bergamaskët është sezoni i dytë që luajnë në Champions. Do të bëhen rivali i nëntë në këtë sfidë të nisur prej vitesh. Tetë ekipet e tjera janë Juventusi (21 ndeshje), Interi (17), Milan (15), Roma (12), Napoli dhe Lacio (4), Torino (2), Fiorentina (1).

real madrid juventus

MILANI, I PARI – Në edicionin e parë të Kupës së Europës në sezonin 1955-1956-të, Reali i Madridit u përball me rivalin e parë italian. Milani ishte kundërshtari në gjysmëfinale dhe më 19 prill të vitit 1956 nisi dueli i përjetshëm. “Galaktikët” fituan 4-2 me golat e Hektor Rial, Hoselito, Olsen dhe Di Stefano. Milanistët ngushtuan diferencat me Nordal dhe Skiafino. Gento foli dhe tregoi se çfarë do të thotë të përballesh me një skuadër italiane. “Ishte viti i parë dhe po përballeshim me skuadra që nuk i njihnim. Milani na tregoi shumë shpejt se çfarë ishte e aftë të bënte. Ishte e rregullt, e disiplinuar, e shpejtë dhe me dy fenomenë si Skiafino dhe Nordal. Rreth tyre lëvizte 90% e skuadrës dhe loja e ekipit. Atë ndeshje mësuam se çfarë do të thoshte të luaje me kundërsulm. Pjesa e parë ishte fenomenale me 5 gola. Gento kujton që loja e Milanit nuk kishte lidhje fare me lojën e Realit. “Ata ishin mjeshtra të qarkullimit të topit dhe nxjerrjen në sulm. Luanin shumë horizontalisht dhe kur ne shkonim për t’i sulmuar ata luanin pas shpinës tonë. Ishin mjeshtra edhe të vonesës. Atë mbrëmje më markoi Çesare Maldini, i ati i Paolos. Ishte një mbrojtës tipik italian, i fortë, i gjatë dhe shumë i shpejtë. Teknikisht ishte më pak i mirë sesa djali i tij, por ishte markues perfekt”, tregon Gento. Në ndeshjen e kthimit Milani fitoi 2-1, por kronikat thonë se Reali ishte shumë më mirë në lojë dhe u kualifikua në finalen e parë kontinentale.

NGA BARDH E ZI, ME NGJYRA – Pas ndeshjes së parë, duelet Milan-Real Madrid u bënë si derbi në ato vite. Një tjetër finale e fituar nga madrilenët me rezultatin 3-2 dhe një tjetër në çerekfinale. Duhet të kalonin 24 vite që të shihnin njëritjetrin në sy dhe në atë kohë kuqezinjtë ishin skuadra më në modë e futbollit. Stërviteshin nga Saki dhe dhuronin spektakël në fushë. Në dekadën e parë të shekullit të ri u përballën 6 herë, por gjithmonë në fazën e grupeve (2002-2003) një fitore për çdo skuadër (2009-2010), një fitore e Milanit dhe një barazim (2010-2011), fitore e Realit dhe një barazim.

DY CHAMPIONS ME JUVEN – Pavarësisht se “Zonja e Vjetër” është ekipi italian, me të cilin është përballur më shumë, deri në sezonin 1961-1962 nuk ishin sfiduar kurrë. Madrilenët kishin 5 kupa dhe juventinët merrnin pjesë për herë të tretë në këtë kompeticion. Ishin çerekfinalet. Reali fitoi me golin e Di Stefanos në Torino, por në duelin e kthimit fitoi Juventusi me golin e Sivorit. Gjithçka u zgjidh në Francë, ku madrilenët fituan 3-1. Më pas kanë luajtur në 6 eliminatore të tjera, ku bardhezinjtë fituan 4 dhe madrilenët 2. Por, dy ekipet janë përballur edhe në 2 finale Champions-i dhe aty kanë triumfuar spanjollët. Në Amsterdam rezultoi vendimtar goli i Mijatoviç, ndërsa në sezonin 2016-2017-të triumfuan me rezultatin 4-1. 21 duelet në total plotësohen me 4 ndeshje në fazën e grupeve, me dy fitore të juventusit, një të Realit dhe 1 barazim.

INTERI FITOI FINALEN – Ndeshja e parë kundër Interit është luajtur në sezonin 1963-1964 dhe ishte dramatike për madrilenët. Skuadra zikaltër fitoi Champions-in e parë në finale me “Galaktikët” me rezultatin 3-1 dhe Di Stefano u largua nga skuadra. Pas këtij momenti, madrilenët kanë fituar 6 nga 7 duelet, 3 në Champions, 1 në Kupën e Kupave dhe 2 në Kupën e Kupave. Interi fitoi gjysmëfinalet në sezonin 1966-1967-të. Dy sfidat e fundit në fazën e grupeve plotësojnë galerinë e 17 ndeshjeve mes tyre. Reali është përballur me Romën në fazën e grupeve me 6 fitore për spanjollët, 1 për Romën dhe 1 barazim. Sa u përket eliminatoreve në Champions, Roma është kualifikuar një herë dhe spanjollët një herë tjetër. Skuadra spanjolle nuk numëron asnjë humbje ndaj Napolit dhe Lacios. Maradona ishte protagonisti në sezonin 87-88, ku madrilenët fituan në “Bernabeu” dhe barazuan në Itali. Me Lacion janë luajtur ndeshje në fazën e grupeve, me 2 fitore të spanjollëve dhe 2 barazime.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"