Speciale/ Rinisi shkolla, nga CR7 te Bogdani, ja studentët e zotë dhe rebelë të topit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2020 | 23:55

Speciale/ Rinisi shkolla, nga CR7 te Bogdani, ja studentët e zotë dhe rebelë të topit

Rinis shkolla… Për shumë vende në botë, dje startoi viti i ri mësimor, ajo “shëtitje” apo ajo “ngjitje e Everestit” jo vetëm për studentët normalë, por edhe për disa futbollistë.

SPECIALE

Ajo copë letre e famshme ka bërë të vuajë shumë prej yjeve të sotme të topit, por në të njëjtën kohë ka edhe mjaft raste, ku përveç shkëlqimit në fushat e lojës, futbollistët kanë shkëlqyer edhe në bangat e shkollës. Madje, janë diplomuar në shkenca të rëndësishme, duke treguar se përveç seriozitetit dhe karrierës në fushë, në një të ardhme pas futbollit mund t’i dedikoheshin një tjetër profesioni.

ERJON BOGDANI – Dhe një mes studentëve të ekselencës, të paktën në Shqipëri, por duke bërë shumë bujë në Itali edhe në vitet e kaluara, është edhe Erjon Bodani. Ish-bomberi i Rexhinës, Veronës, Salernitanës, Sienës, Kievos, Livornos e Çezenës në Itali, me të cilat ka shënuar 78 gola në total, por edhe i Partizanit në Shqipëri, Gençlerbirligit në Turqi e Dinamos së Zagrebit në Kroaci, shumë vite më parë është diplomuar në ekonomi dhe biznes.

Bogdani

Një titull shumë i rëndësishëm, që duke parë se si ka evoluar futbolli ndër vite, pa dyshim që e bën Bogdanin një vizionar. Ndonëse pas golave në fushën e lojës ai sot ka zgjedhur profesionin e trajnerit, sido që të jetë, ishbomberi shqiptar është i përgatitur edhe për një punë zyre, pas një skrivanie të rëndësishme në botën e ekonomisë dhe biznesit.

EKONOMISTËT – Si metronomë të zotë të mesfushës, përveçse të apasionuar të mëdhenj të fushës, Ksavi Alonso dhe Najxhel de Jong e kanë ndërtuar edhe një të ardhme alternative, nëse vitet pas largimit nga futbolli nuk do t’u japin një hapësirë. Spanjolli, i cili ka luajtur me klube prestigjioze si Sociedad, Liverpul, Real Madrid e Bajern Mynih është diplomuar në ekonomi dhe biznes.

Najxhëll De Jong

Me këtë diplomë, ai i lejon vetes jo pak hapësira në vazhdim për të pasur një rol drejtues në ndonjë klub apo larg fushës, ndonëse ndërkohë skuadra e Sociedad B e ka telefonuar ndërkohë. Ndërsa për holandezin Najxhel de Jong, shkolla ka qenë një prioritet edhe kur jepte ende shkelma të fortë në terrenin e lojës.

Gjatë kohës që ai vazhdonte të luante në nivele të larta, ku ka veshur fanellat e Milanit, Ajaksit, Hamburgut, Sitit, Los Anxheles Galaksi, Gallatasarajit etj., ka qenë i ndërgjegjshëm se ndoshta futbolli mund ta tradhtonte rrugës dhe shkolla shihej nga ai si një kamerdare shpëtimi:

“Kur je futbollist, nuk mund ta kesh sigurinë se do të kesh një karrierë të gjatë, prandaj një ‘copë letre’ duhet ta kesh gjithmonë në dorë, për të mos rrezikuar të mbetesh rrugëve pas tërheqjes nga futbolli”. Jo keq për një “pitbull” si De Jongu, që duke u rikthyer edhe te një episod me Ksavi Alonson në Botërorin 2010, e goditi aq fort në gjoks me shqelm, sa rrezikoi t’i çante mushkëritë.

PËR VJESHTË – 2016-ta për shembull ishte një vit i komplikuar për Kilië Mbapenë. Në atë periudhë gjente golin e parë në Ligën 1 me Monakon, për të shkëlqyer më pas në Europianin U-19.

mBAPE

Francezi sapo i kishte mbushur 18 vjeç, nuk i ka lënë asgjë mangët vetes, teksa përveç suksesit në fushë provoi edhe që të diplomohej atë verë. Por, si rrjedhojë e impenjimeve të shumta, ai u detyrua që ta shtynte për në vjeshtë (shtator 2016) marrjen e diplomës, pasi justifikimet e tij u pranuan edhe nga stafi i profesorëve-tifozë.

SHKENCA SPORTIVE – Andres Iniesta është një futbollist që shpesh ka vuajtur dëmtimet muskulore.

iniesta-cropped_knjak5zjoqa91kjit8cli9g8b

Dhe për të kuptuar më shumë se çfarë ndodh në trupin e një futbollisti apo atleti, vendosi që të studionte thellësisht lëndën dhe të diplomohej në shkenca sportive, por edhe si Profesor i Edukimit Fizik. Gjithsesi, për sportdashësit, pavarësisht diplomave të marra, Iniesta do të mbetet gjithmonë “iluzionisti” i topit.

SHKENCA POLITIKE – Ish-portieri belg i Liverpulit, Simon Minjole, është një doktor poliglot. I apasionuar pas studimeve, futbollisti, përpara se të transferohej në Britaninë e Madhe, ishte diplomuar në shkenca politike, në Universitetin Katolik të Lovanios, në Belgjikë.

goal_simonmignolet-cropped_1r8ocxraount1169vnqbaled13

Madje, ai është edhe një poliglot i njohur, duke qenë se flet edhe 4 gjuhë: anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe holandisht. Gjithsesi, në fushën e lojës diplomat nuk vlejnë, prandaj pas mbërritjes së Alisonit në Liverpul, iu desh që të largohej dhe të ndërronte fanellë.

I PËRJASHTUAR – E çuditshme, por e vërtetë! Kristiano Ronaldo, edhe pse është një maniak në kurimin e trupit të tij, nuk ka ende asnjë diplomë të shkollës së lartë. Siç ka treguar shpesh ai, sidomos në një intervistë për “Mirror” disa vite më parë, portugezi ka arritur deri aty sa të përjashtohej nga shkolla në moshën 14-vjeçare.

Ronaldo

Motivi? Goditi me një karrige një profesor, që nuk kishte treguar respekt për CR7-ën. Gjithsesi, shkollës dhe diplomave Ronaldo nuk ua ndien mungesën: “Nuk më ka interesuar asnjëherë dhe as më intereson ende sot”, shprehej juventini, i cili duke iu përkushtuar totalisht futbollit, i ka shkuar edhe më mirë se shumë nxënësve ekselentë në botë.

I PADISIPLINUAR – Antonio Kasano, talent madhështor, por i padisiplinuar, si në fushë ashtu sikurse në shkollë. Sjellja ka qenë pika e tij e dobët, por edhe dëshirë për studimin zero, aq sa vetëm për të marrë dëftesën e shkollës së mesme i janë dashur 7 vite, derisa në fund ia doli duke frekuentuar një shkollë nate.

kasanoo

Prandaj, nëse ka diçka për të mbajtur mend nga fëmijëria, Kasano dhe fansat e tij do kujtojnë me mall magjitë që ofronte në fushën e lojës. Por, edhe për atë që dhuronte me topin, sikur të ishte impenjuar pak më shumë për të punuar edhe në studime, do të kishte marrë shumë më shumë nga çfarë i rezervoi karriera dhe bangat e shkollës.

GJEOMETËR – Pastaj ka edhe nga ata që vonuan për t’u diplomuar, si Fabio Borini për shembull, i cili këtë fundjavë mori diplomën për gjeometër, ndonëse grumbulloi 65 pikë nga 100.

Borini

Madje, ajo që zhgënjen më shumë është nota 6 në edukim fizik, edhe për një futbollist me një karrierë të gjatë, por edhe të pasur mes Italisë dhe Anglisë.

KALUES PËR QEJF – Mario Baloteli, një tjetër i padisiplinuar që ka studiuar, njësoj siç mësonte… Një talent i pashprehur në mënyrën e duhur, në shkollë mjaftohej që të mësonte sa për të marrë notën kaluese.

baloteli

Me pak fjalë, një menefrego, siç pranon edhe ai vetë. “Nuk është se nota 6 nuk mjafton, ashtu sikurse nota 10 nuk të bën një të kulturuar. Mjafton edhe kaq për të qenë i diplomuar”.

DOKTOR KIELINI – Megjithatë, ka edhe nga ata që nuk janë kënaqur vetëm me maturën, por kanë vazhduar dhe përfunduar me sukses studimet.

Kielini

Ky është rasti i kapitenit të Juventusit, Xhorxho Kielini, i cili e mori me nota maksimale diplomën e administrimit të biznesit, me një tezë të detajuar mbi administrimin e një klubi futbolli. Cilin klub? Juventusin pa dyshim, dhe e ardhmja si një drejtues i lartë në radhët e bardhezinjve është e garantuar…

POLIGLOT – Kush luan në Torino, me sa duket, ka gjithmonë stimujt e duhur për të studiuar. Edhe Lorenco de Silvestri duket se e ka shpenzuar kohën e lirë mbi libra.

lorenzo-de-silvestri-torino_1tdl6iv2vg6h11a93a5hvucnsn

Mbrojtësi që këtë verë kaloi nga Torinoja te Bolonja, është diplomuar në ekonomi dhe menaxhim sportiv, përveçse edhe në gjuhët e huaja, ku këtë verë mbrojti me nota të larta anglishten dhe gjermanishten.

AVOKATI – Guljermo Stendardo, ish-mbrojtësi i Juves, Torinos e Lacios, ishte aq i fiksuar me librat, sa një fundjavë vendosi që të mungojë në një ndeshje pa lajmëruar, pasi kishte provimin e avokatisë.

Guglielmo_Stendardo

Nëse trajneri i tij, Kolantuono, u irritua aq shumë sa e kërcënoi në telefon mbrojtësin titullar, gjendja u zbut pak ditë më vonë, kur Stendardo u paraqit në qendrën stërvitore, vetëm pasi ia tregoi në sy diplomën dhe notën maksimale që kishte marrë, ditën që dezertoi ndeshjen.

PA DIPLOMË – Një tjetër yll futbolli që ka më shumë trofe sesa tituj studimi është edhe Lionel Mesi. Argjentinasi është pa dyshim një ndër më të fortët në historinë e futbollit, por që kurrsesi nuk do të kalojë në histori, si një nxënës qoftë edhe mesatar.

Mesi

Që në shkollë fillore, mësimet nuk e stimulonin, ndërsa kalimi në Barcelonë në moshën 13-vjeçare mbylli qarkun. Ndoshta, Leo ishte shumë i impenjuar që të mahniste më shumë, më shumë sesa në bangat e shkollës, aq sa nuk ka një diplomë të shkollës së lartë. Por, edhe ai si Ronaldo, rivali i tij i përjetshëm, nuk është se e vuan shumë peshën e mosdiplomimit.

NXËNËS I DALLUAR – Huan Mata, anësori ofensiv i Mançester Junajtid, u ka kushtuar shumë kohë librave. Madje, ai edhe në këtë moshë tallet shpesh si “nxënësi i dalluar” dhe kjo, jo më kot, pasi në moshën 32- vjeçare ka dy tituj shkencorë:

Juan-Mata

“Shkenca sportive” dhe “Marketing”, që të dy të fituar me notën maksimale në Madrid. E ardhmja me ose pa futboll është e garantuar.

PROFESORI – Një skuadër apo qoftë një klase shkolle është pak a shumë e njëjta gjë, por në të dyja ambientet, Arsen Venger do të ndihej shumë komod. Madje, jo më kot pseudonimi i francezit është “Profesori”, nisur kjo edhe si rrjedhojë e diplomimit në inxhinieri në Universitetin e Strasburgut, por e pasur edhe nga diploma në ekonomi.

venger

Por jo vetëm kaq… Ai është gjithashtu një poliglot, sepse përveç frëngjishtes, anglishtes e gjermanishtes, që i flet në mënyrë perfekte, në vitet e fundit ai po perfeksionon edhe italishten, spanjishten dhe gjuhën japoneze. Është një mëkat që ky njeri vendosi të heqë dorë nga të stërviturit, por një vend në katedër nuk mund t’ia mohojë askush “Profesorit” Arsen Venger.

JETON STAMOLLA –  PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"