SPECIALE/ Receta e Halandit, muzikë rep dhe dietë perfekte. Ja jeta jashtë fushe e norvegjezit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Janar 21, 2020 | 14:09


SPECIALE/ Receta e Halandit, muzikë rep dhe dietë perfekte. Ja jeta jashtë fushe e norvegjezit

Erling Haland ka pushtuar zemrat e tifozëve të futbollit në Europë. Pas një debutimi ëndrrash me Dortmundin në kampionat, norvegjezi ka ngjallur kureshtjen e të gjithëve. Cili është sekreti për suksesin e tij dhe çfarë bën ai në jetën private? “Sport 1” ka hedhur dritë mbi jetën jashtë fushës së blertë të 19-vjeçarit. 

haland

Tre gola në ndeshjen e parë dhe menjëherë sulmuesi i ardhur nga Salcburgu ka mbi 300 mijë ndjekës në “Twitter”. Të gjithë donin të dinin më shumë rreth yllit të ardhshëm të Borusias, por Erling Haland është ndryshe nga shumë lojtarë të tjerë, që në moshën e tij bëjnë një jetë luksoze dhe të çrregullt, pavarisht se luajnë për skuadra të mëdha dhe u duhet të jenë strikt me dietat ushqimore.

Njeri i mbyllur – Nuk duhet shumë kohë për ta kuptuar se Erling është fjalëpakë. Pas ndeshjes ndaj Augsburgut ai u ndal për gazetarët që prisnin të mësonin më shumë rreth tij, ndërkohë që përgjigjja që morën ishte: “Jam i lumtur, çfarë nate”. Urtësia e tij është për t’u admiruar. Ndërkohë që një adoleshent tjetër mund të ishte duke festuar diku ose të postonte “selfie” pa fund në “Instagram”, Erling u mjaftua me një postim të thjeshtë me topin të cilin e kishte dërguar tri herë në rrjetë në vetëm 23 minuta lojë.

halandiiii

Shtëpi buzë liqenit – Haland u rrit në një qytet të vogël të quajtur Bryne në Norvegji, që ndodhet pranë liqenit Frojalandsatnet. Babai Alfe, një ish-futbollist profesionist që ka luajtur për Mançester Sitin në Angli dhe mamaja Gry, shpesh dilnin për një shëtitje me Erlingun e vogël pranë liqenit. Kjo e ndihmonte Alfin të qetësonte mendjen pas ndeshjeve. Për t’u ndier sa më shumë si në shtëpi, Haland zgjodhi të banonte në një apartament pranë liqenit Pëniks në Dortmund.

Me këmbë në tokë – Norvegjezi lexon libra në kohën e lirë dhe nuk e pëlqen jetën luksoze dhe të zhurmshme. Ndryshe nga bashkëlojtari i tij te Borusia, Xhejdon Sanço, i cili nuk kursehet në kohën e lirë teksa pëlqen festat dhe orët e floririt.

Dietë strikte – 19-vjeçari është një konsumator i rregullt i ushqimit bio. Në trendin amerikan, yndyrat e shëndetshme, si avokadot, lajthitë dhe bajamet, janë një burim i pastër energjie. Ushqimet që përmbajnë shumë karbohidrate konsumohen sa më pak.

Repist në kohën e lirë – Kur ishte ende një fëmijë, Erling kishte pak interes për të luajtur me top. Muzika ishte lënda e tij e preferuar. Në “Youtube” qarkullon një video ku Haland së bashku me dy shokë të tjerë këndojnë rep në gjuhën norvegjeze. Tre adoleshentët shfaqen në një kënd lojërash për fëmijë, duke kënduar këngën me titull “Kygo Jo”. Kjo video u publikua në gusht të 2016-ës dhe për një kohë të gjatë kishte pak shikues. Tani numri ka shkuar në gati 1 milion.

Haland45

Syze kundër televizorit dhe celularit – Në kohën e lirë lojtari nuk u beson syzeve normale. Ai mban një palë syze të veçanta që pengon dritën e televizorit dhe celularit për ta shqetësuar syrin dhe duke mos penguar në asnjë moment hormonin e gjumit (Melatonin). Norvegjezi ka një orar strikt për gjumin dhe kjo është e kuptueshme për punën që bën. Ai zgjohet herët në mëngjes pasi i pëlqen për të parë lindjen e diellit.

Sulmues i kompletuar – Tre golat në Augsburg u shënuan me këmbën e majtë, por ai shënon shpesh edhe me të djathtën. 194 centimetra i gjatë, norvegjezi arrin një shpejtësi prej 32.8 kilometrash në orë. Vetëm Arshaf Hakimi ka vrapuar më shpejt se ai në një ndeshje të Bundesligë. Një lojtar “Full option” siç do të quhej në gjuhën shkencore. Erling i ka të gjitha çfarë i duhet një sulmuesi për t’u bërë i madh.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com