Përballja ndaj Partizanit, presidenti i Sëlltikut: Patëm fat që shpëtuam me një gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2019 | 20:21

Përballja ndaj Partizanit, presidenti i Sëlltikut: Patëm fat që shpëtuam me një gol

UVIL ZAJMI

Komenti ka firmën e gazetarit të njohur Nexhat Gjuzi: “Loja e Partizanit nis e shpejtë, e gjallë, plot dinamizëm, me inkursionin e papërmbajtshëm të Sefedinit, aksioni i të cilit përfundoi me goditje këndi. E pastaj deri në minutën e 10-të do të regjistrohen edhe dy të tilla për të vazhduar udhën e pandalshme të sulmit me rastet e Muratit e Spiros. Sefedini, lojtar i talentuar, i papërmbajtshëm do të bëhet disa herë iniciator i sulmeve shqetësuese për mbrojtjen e Sëlltikut.

Selltik Champions (1)

Madje as Megrei (nr 4), me tërë eksperiencën e tij shumëvjeçare në futbollin europian e botëror, nuk do të mund ta ndalë vërshimin e tij. Sulmuesi ynë bëhet një problem i pazgjidhshëm për skocezët edhe për faktin se në krah ai gjen mbështetjen e Muratit e Spiros, të Shyqyriut e të Lames e jo rralë edhe të Millanit. Bllok në sulm e bllok në mbrojtje. Në krye të detyrës janë Berisha e Hysi; Lame lëviz gjallërisht në mesin e fushës, tërë ekipi është kompakt, Rragami krijon gjithmonë terren të lirë në krahun e majtë. E ndërsa Sëlltiku kërkon ta mbyllë këtë shteg, krijohen të çara në të djathtë në linjën Millani-Sefedini.

E kështu arrijmë në minutën e 35-të, kur do të shënohet ai çast i paharruar i krejt takimit: goli. Për të vijuar me atë fundlojë: …Sulmi i fuqishëm vazhdimisht sjell shqetësime në portën e skocezëve. Inkursioni i Shyqyriut në minutën e 40- të, gjuajtja e Rragamit në të 41-ën, rasti i bukur i Muratit disa çaste më vonë, kanë vetëm një përgjigje nga Sëlltiku, gjuajtjen e fortë të Meklloid në të 43-ën.

Pjesa e dytë nis me një sulm të Sëlltikut, Devidson gjuan nga distanca, por jashtë. Dy minuta më vonë Sefedini i përgjigjet menjëherë. E një minutë më vonë Spiro humbet ndofta rastin më të mirë të takimit. Në minutën e 80-të Musta tregon aftësitë dhe talentin e tij, pas gjuajtjes së fortë të Doill. Po në këtë çast Millani shpëton një gol të sigurt”.

BIRÇE

Pas ndeshjes, Bejkush Birçe do të deklaronte: “Zhvilluam dy pjesë të ndryshme përballë një skuadre të mirënjohur. Loja jonë duhet të çonte në thellimin e rezultatit, por pikërisht këtu nuk ishim efikasë, nuk mundëm të finalizonim aksionet. Në pjesën e dytë loja pati rënie, e cila erdhi ngaqë lojtarët e mesfushës ndjenë një farë lodhjeje, u shkëputen repartet në një moment që kundërshtari hapi shumë zona, sepse u hodh me shumë forca në sulm, ku mund të vepronin sulmuesit tanë”.

MEKNILL (TR. I SËLLTIKUT)

“Partizani luajti mirë në pjesën e parë. Vështirësi na krijoi loja e numrit 6 me daljet në sulm dhe numri 7. Në Gllazgou mendojmë se do të luajmë më mirë. Jam i lumtur me përfundimin e këtij takimi në këtë mënyrë”.

ZALLATANOS (ARBITRI)

“Ka qenë një lojë shumë e bukur, me të vërtetë sportive. Sidomos në pjesën e parë luajtët mjaft mirë, duhet të paktën ta fitonit 3-1. Keni lojtarë të mrekullueshëm, ndër ta mund të përmend numrin 7”.

ZVICERANI J.G. (UEFA)

“Luajtët mjaft mirë. Partizani është një skuadër e fortë që të imponohet. Pjesën e parë mund ta fitonit 3-0”.

DESMON UAJT, PRESIDENTI I SËLLTIKUT

“Erdhëm si të huaj, por u pritëm si miq. Shpresojmë t’ua rikthejmë këtë mikëpritje në Gllazgou. Vij për herë të parë dhe do të dëshiroja të vija përsëri. Do të ishim të lumtur me barazimin. U shqetësova në pjesën e parë dhe patëm fat që shpëtuam me një gol”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"