SPECIALE/ Ngrihet sipari, ja fytyrat dhe sekretet e Kupës së Botës “KATAR 2022”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2022 | 14:54

SPECIALE/ Ngrihet sipari, ja fytyrat dhe sekretet e Kupës së Botës “KATAR 2022”

Kampionati Botëror në Katar do të ngrejë sot siparin, teksa do të bëjë të njohur ndarjen skuadrave protagoniste të këtij edicioni. Pas 12 vitesh punë, akuzave për shfrytëzim, keqtrajtim dhe marrje jete të punonjësve që bënë të mundur ndërtimin e stadiumeve, Katari do të zbardhë sot rrugën drejt finales. Nuk munguan dhe madje çdo ditë vazhdojnë të dalin akuza lidhur me blerjen e votave që çuan këtë Kupë Bote në Lindjen e Mesme dhe për herë të parë edhe zhvillimin e saj në dimër. Por pavarësisht të gjitha këtyre, sot në orën 18:00, në Doha, të gjitha do të bëjnë sikur harrojnë, do të mbyllin sytë dhe do të presin të qeshur shortin e fazës së grupeve.

BOTERORI 2

Katari organizator është gati (VAZO 1)

Katari kanë vite që përgatitet për organizimin e Botërorit. Kanë fituar titullin kampion në Azi dhe Sançez ka ndërtuar një gjeneratë të shkëlqyer, që ka si objektiv kalimin e fazës së grupeve.

Ylli: Akram Afif (23 vjeç, Al Saad) – Cilësohet si një magjistar i topit, teksa ka një të kaluar me Vijareal e Sporting.

Trajneri: Faleks Sançez (46 vjeç, Spanjë) – Trajner i suksesshëm që kërkon t’i japë Katarit fizionominë e Barcelonës.

Brazili, shumë më tepër se Nejmar

Rekordmenët botërorë vijnë në Katar me petkun e pretendentit. Zhgënjimet nuk kanë munguar, por Tite ka përmirësuar ndjeshëm mbrojtjen, teksa reparti i avancuar duket një rul. Vinicius, Antoni, Rafinja, Riçarlison e të tjerë janë gati t’i japin një dorë Nejmarit. Brazili ka zhvilluar një fushatë kualifikuese gati perfekte.

Ylli: Nejmar (30 vjeç, PSG) – Nuk do të jetë ai Nejmari që jemi mësuar ta shohim nëpër Botërorët e shkuar, pasi vitet bëjnë të vetën, por ai vijon të jetë emblema e Brazilit të Tites.

Trajneri: Tite (60 vjeç, Brazil) – I kritikuar për konservatorizmin dhe ngurtësinë e tij, i ka dhënë një stabilitet Brazilit. “Katar 2022” është shansi i fundit në Botëror për atë.

Belgjikë, ky është treni i fundit

Për Belgjikën e Roberto Martinezit ky është shansi i fundit i një gjenerate të artë për të fituar një titull madhor. Deri më tani vetëm ka shpërdoruar. Me shumë gjasa ecuria e “Djajve të Kuq” do të varet nga fakti se si do të mbërrijnë në Botëror peshat e rënda si Lukaku e Hazard, pasi De Brujne e Kurtua ofrojnë garanci.

Ylli: Kevin de Bryjne (30 vjeç, Man.Siti) – Talenti i tij nuk diskutohet. Një lojtar që pëlqen lojën vertikale dhe i kthyer në një nga kolonat e Sitit. Pasues i shkëlqyer dhe golashënues.

Trajneri: Roberto Martinez (48 vjeç, Spanjë) – E ka ngritur Belgjikën në nivelin e skuadrave më të mira në botë, por i duhet një trofe për të kurorëzuar mundin e tij.

Franca, nën shenjën e Benzema-Mbape

Kampionët në fuqi zhgënjyen në “Euro 2020”, por bënë autokritikë në Ligën e Kombeve dhe tani janë gati për të mbrojtur kurorën. Me një dyshe si Mbape-Benzema janë favoritë kryesorë për të triumfuar.

Ylli: Kilië Mbape (23 vjeç, Paris SG) – Për shumë specialistë e analistë shihet si “Mbreti i ri”. Galopimi, sprinti i tij dhe marrëdhëniet e ngushta me golin e bëjnë të paarritshëm.

Trajneri: Didie Deshamp (53 vjeç, Francë) – Edhe pse e shpalli Francën kampione të botës në vitin 2018, shpesh taktikat e tij janë kritikuar. Mbetet një figurë e madhe dhe karakter i fortë.

Argjentina, Mesi në Botërorin e fundit?

“Albiçelestët” janë vënë në ndjekje të Botërorit për Leo Mesin, por mbi të gjitha për vendin e tyre, një trofe që mungon nga viti 1986. Sinjalet e para i dhanë në Kupën e Amerikës, me Skalonin që ka bërë një punë të mirë. Cilësitë për t’i shkuar deri në fund nuk mungojnë.

Ylli: Lionel Mesi (34 vjeç, Paris SG) – Ka përjetuar një sezon të turbulluar pas largimit nga Barcelona në Paris, por me Argjentinën duket një tjetër lojtar. Pas Kupës së Amerikës mbetet Botërori.

Trajner: Lionel Skaloni (43 vjeç, Argjentinë) – Nuk ka një “CV” si shumë kolegë të tij, por me punë të përditshme ka marrë frytet e duhura, pasi udhëhoqi Argjentinën drejt trofeut në Amerikën e Jugut.

Anglia, Sauthgejtit i kërkohet trofeu

Zhgënjimi në finalen e “Euro 2020” në shtëpinë e vet përballë Italisë ka lënë gojërrudhur anglezët. Anglia gjithsesi ka shenja të forta përmirësimi, por në ishull nuk duan finale, duan trofeun.

Ylli: Herri Kejn (28 vjeç, Totenhem) – Më shumë se një sulmues, Herri Kejn është kthyer në një simbol për “Tre Luanët”. Nëse Anglia do t’i shkojë deri në fund, shumë varet prej tij.

Trajneri: Garet Sauthgejt (51 vjeç, Angli) – Të menaxhosh një kombëtare si ajo angleze nuk është fort e lehtë, por ai ia ka dalë mirë. Një Botëror dhe një Europian i mirë ndezin shpresat në Katar.

Spanja, arti i Luis Enrikes

“Furia e Kuqe”, me Luis Enriken, ka gjetur alegrinë e humbur. Ai u ka besuar shumë të rinjve dhe me “kolopuçët” e tij arriti deri në gjysmëfinalet e Europianit. Botërori do të jetë sfida e radhës.

Ylli: Pedri Gonzales (19 vjeç, Barcelona) – Lojtari i ri më i mirë në Europian dhe “Djaloshi i Artë”, janë stimulues për talentin e Barcelonës. Ai duket fenomeni i ri i futbollit spanjoll.

Trajneri: Luis Enrike (51 vjeç, Spanjë) – Ka bërë një revolucion pa figura madhore si Serxho Ramos, që i kanë kushtuar kritika, por koha i ka dhënë të drejtë. Ka rigjeneruar Spanjën. Një trajner i madh!

Portugalia, gjithçka që Kristiano do

Zgjodhi rrugën e vështirë për të mbërritur deri në Katar, nëpërmjet “play off”-eve. Kristiano Ronaldo nuk ishte më i miri ndaj Turqisë e Maqedonisë së Veriut, por ai do të luajë Botërorin e pestë.

Ylli: Kristiano Ronaldo (37 vjeç, Junajtid) – Një legjendë e gjallë, i cili po përgatitet për të pestin dhe të fundit botëror. Mosha e ka rrudhur pak, por është gati të lërë shenjë.

Trajneri: Fernando Santos (67 vjeç, Portugali) – Fitoi “Euro 2016” dhe kjo i jep kredite, ndonëse pozitat e tij u tronditën në këto eliminatore. Një trajner disi mbrojtës, por ka plot talent në grup.

Meksika, shumë probleme për Tatan

Faza kualifikuese nuk ka qenë aspak pozitive për Meksikën, teksa trajneri Tata Martino nuk u ka shpëtuar kritikave të forta. Skuadra duket “e oksiduar”, me pak potencial. Ambienti nuk është ndër më të mirët dhe mbizotëron pesimizmi edhe pse janë në Botëror.

Ylli: Raul Himenez (30 vjeç, Uolverhempton) – Është ai golashënuesi që pritet të udhëheqë Meksikën në Katar.

Trajneri: Tata Martino (59 vjeç, Argjentinë) – Keq me Argjentinën, jo mirë me Barcelonën, por duket se ka gjetur frymëzim në Meksikë.

Holanda është më shumë… Van Gal (VAZO 2)

Pas zhgënjimeve të panumërta, “Tulipanët” janë sërish në Botëror. Me Van Galin gjetën stabilitet në lojë e rezultateve. Krijoi iluzione në “Euro 2020”, por si gjithnjë zhgënjeu. Tani i mbetet të bëjë një hap më të madh në Katar, pasi ka talent dhe eksperiencë ne grup.

Ylli: Frenki de Jong (24 vjeç, Barcelona) – Shumë i diskutuar te Barça, ndoshta dhe për shkak të faktit se nuk ka luajtur në rolin e tij. Por nëse ka liri në lojë është i mahnitshëm.

Trajneri: Luis van Gal (70 vjeç, Holandë) – Me personalitetin dhe karakterin e tij të fortë ka ndihmuar në rimëkëmbjen e Holandës. Me pikat e forta dhe defektet e tij mbetet një trajner me reputacion.

Danimarka, për zemrën e Eriksenit

Ishte zbulimi i Europianit të vitit të kaluar. Ngjarja me Eriksenin forcoi dhe më shumë moralin e skuadrës, duke shkuar deri në gjysmëfinale. Ndërthurja e veteranëve me të rinjtë e bën Danimarkën një kombëtare interesante. Një skuadër për t’u ndjekur.

Ylli: Simon Kjaer (32 vjeç, Milan) – Emblema e mbrojtjes dhe kapiteni. Gjesti i tij me Eriksenin në Europian flet vetë për lidershipin e tij. Sezonet e mira me Milanin e konfirmojnë.

Trajneri: Kasper Hjulmand (49 vjeç, Danimarkë) – Gati një i panjohur para “Euro 2020” ka shkëlqyer me punën e tij, në fushë dhe jashtë saj. Ai është udhëheqësi i heshtur.

Gjermania, u kthye sërish Gjermani

Largimi i Lëvit dhe ardhja e Flikut ka rivitalizuar Gjermaninë. Agresiviteti pa top dhe besimi te të rinjtë e kanë kthyer Gjermaninë në një skuadër të respektuar sërish. “Mannschaft”-i i është kthyer futbollit modern. Kualifikimi në Katar ishte një shëtitje.

Ylli: Joshua Kimish (27 vjeç, Bajern M.) – Nga shumë shihet si një nga mesfushorët më të mirë në botë. Ka lënë pas krahun e djathtë dhe tani është kthyer në një lider në ndërtimin e lojës.

Trajneri: Hansi Flik (57 vjeç, Gjermani) – Fitoi gjithçka në Mynih, por kërkonte sfida të reja. I gjeti te Gjermania. Arriti të ndërtonte një skuadër të frikshme në pak kohë sipas stilit të tij.

SHBA-ja, një gjigant për ta rindërtuar

Pas një Botërori “pushim” kthehen përsëri në elitë falë një gjenerate të shkëlqyer. Aktivizimi i mjaft lojtarëve në futbollin europian ka ndihmuar shumë. Problemet nuk mungojnë, nuk ka një lider, por punët e mira bëhen një e me radhë.

Ylli: Kristian Pulisiç (23 vjeç, Çelsi) – Një sezon me ulje-ngritje te Çelsi, por te SHBA-ja është një tjetër fenomen.

Trajneri: Greg Berhalter (48 vjeç, SHBA) – Dështimi për t‘u kualifikuar në “Rusi 2018” detyroi Federatën të marrë masa drastike dhe t’i besojë një peshe të rëndë si Berhalter. Rezultatet erdhën!

Uruguai, bixhoz fitues me stolin

Ndryshimi epokal nga Tabarez te Diego Alonso ishte çelësi i Uruguait për të qenë përsëri në Botëror. Zëvendësimi i një legjende ishte bixhoz, por rezultatet treguan se kishte ardhur koha për ndryshim.

Ylli: Federiko Valverde (23 vjeç, Real M.) – Është ai mushkëria e Uruguait. Fizikisht një kafshë, ndërsa Suarez dhe Kavani duhej të mbajnë peshën e golit.

Trajneri: Diego Alonso (46 vjeç, Uruguai) – Arkitekti i vërtetë i kualifikimit të Uruguait. Mori drejtimin e skuadrës kur gjendej larg Botërorit, por ai e riktheu menjëherë në shinat e duhura.

Zvicra, e pakëndshmja e përhershme

Nuk futen më te surprizat. Puna e Murat Jakinit ishte një vijimësi e asaj të trashëguar nga Petkoviç. Me një miks të rinjsh dhe “pleqsh” mbetet një kërcënim për favoritet. Pyesni Italinë nëse nuk besoni…

Ylli: Granit Xhaka (29 vjeç, Arsenal) – Kapiteni i madh i Zvicrës i ka imponuar të gjithë respekt. Personaliteti, e majta e frikshme dhe leximi i lojës e kthyen në lider dhe kapiten.

Trajneri: Murat Jakin (47 vjeç, Zvicër) – Nuk dukej zgjedhja më e mirë, por i dha një përgjigje të fortë të gjithë Europës.

Kroacia, Modriç lideri i përjetshëm

Nënkampionët e botës nuk mund të mungonin. Janë tërhequr disa lojtarë të rëndësishëm, por figura qendrore është aty, Luka Modriç. Mund të mos jetë ajo Kroacia e frikshme, por mbetet konkurruese.

Ylli: Luka Modriç (36 vjeç, Real Madrid) – Është emblema e Realit dhe Kroacisë. Një magjistar që nuk vuan peshën e moshës.

Trajner: Zllatko Daliç (55 vjeç, Kroaci) – Një legjendë në Kroaci pasi arriti ta shpallte nënkampione të botës në vitin 2018. Vazhdon të drejtojë dhe rinovojë ekipin. Një monument për t’u ruajtur.

Senegali, mbreti i Afrikës (VAZO 3)

Me lojtarët që luajnë në kampionatet më të mira në Europë, Senegali po merr fryte, duke mbërritur në Katar si kampion i Afrikës, duke mundur dt herë Egjiptin, të cilin e la edhe jashtë Botërorit.

Ylli: Sadio Mane (29 vjeç, Liverpul) – Lideri i grupit. Shënoi dy penalltitë më të rëndësishme të karrierës së tij.

Trajneri: Aliu Cise (46 vjeç, Senegal) – Trajneri më i mirë afrikan për momentin, një karakter i fortë dhe me një metodologji europiane.

Irani, më i qëndrueshmi i Azisë

I konsideruar si skuadra më e qëndrueshme aziatike, Irani ka konfirmuar pritshmëritë duke qenë i pranishëm edhe në Katar. Një kualifikim pa probleme, falë kohezionit dhe forcës në mbrojtje.

Ylli: Mehdi Taremi (29 vjeç, Porto) – Golashënues i rregullt me klubin dhe kombëtaren. Pika e referimit për të gjithë.

Trajneri: Dragan Skoçiç (53 vjeç, Kroaci) – Sfida ishte e vështirë, por mbajti stekën aq lart, sa detyroi dorëheqjen e Keirozit.

Japonia, virtyte dhe… defekte

Kanë krijuar një identitet e stil loje, por i mungojnë lojtarët e klasit që bëjnë diferencën, si për shembull një portier niveli. Rrugëtimi drejt Katarit ishte më i ndërlikuar nga sa mendohej.

Ylli: Takumi Minamino (27 vjeç, Liverpul) – Në një skuadër ku po shpërthejnë talente, i takon Minaminos të bëjë liderin. Luan pak me Liverpulin, por rezultativ me kombëtaren.

Trajneri: Hajime Morijasu (53 vjeç, Japoni) – Mori drejtimin e Japonisë pas “Rusi 2018”, pas historisë me klubin Hiroshima.

Maroku, yje jo, por lojë grupi

Forca e skuadrës mbetet grupi. Me një sistem mbrojtës jo fort brilant, Maroku bëri një paraqitje të mirë në Kupën e Afrikës. Nuk është më skuadra argëtuese e dikurshme, por më konkurruese.

Ylli: Ashraf Hakimi (23 vjeç, Paris SG) – Te PSG-ja pritet më shumë prej tij, por Hakimi i vërtetë është ai i Interit.

Trajneri: Vahid Halihoxhiç (69 vjeç, Bosnjë) – Maroku ishte kombëtarja e katërt që dërgoi në një Kupë Bote. Mbërriti me shumë polemika, por i vuri të gjithë në heshtje.

Serbia shpreson lart me Vlahoviçin

Detyroi Portugalinë në “play off”. Një skuadër deri diku sulmuese dhe spektakolare. Vlahoviç, Tadiç e Kostiç, tredhëmbëshi i frikshëm.

Ylli: Dushan Vlahoviç (22 vjeç, Juventus) – Juvja e pagoi 80 milionë euro për të dhe nuk e mendoi dy herë. Agresiv, potent, i shpejtë është një nga sulmuesit më të kompletuar për momentin.

Trajneri: Dragan Stojkoviç (57 vjeç, Serbi) – Ka kthyer Serbinë në një Kupë Bote, pasi ringjalli shpirtin luftarak në kombëtare.

Polonia, Levandovski dhe 10 të tjerë

Polonia nuk e zhgënjeu Levën, duke i dhënë rastin të shkëlqejë në atë që mund të jetë Botërori i fundit për të. Me një organizim të mirë plus Levandovskin, polakët kaluan Suedinë në “play off”.

Ylli: Robert Levandovski (33 vjeç, Bajern M.) – Emblema e Bajernit dhe Polonisë në epokën e fundit, një gjahtar goli.

Trajneri: Çeslav Miknieviç (52 vjeç, Bjellorusi) – I ardhur si një zgjedhje emergjence pas largimit të Paulo Sozës, funksionoi.

Koreja e Jugut, flamurtarët e luksit

Kualifikueset shkuan pa probleme, kjo falë dhe pranisë së një lojtari si Son. Ylli i Totenhemit është pa dyshim më i forti në histori.

Ylli: Hjung Min Son (29 vjeç, Totenhem) – I shpejtë, vrasës në hapësirat sulmuese dhe një lider në kombëtare.

Trajneri: Paulo Bento (52 vjeç, Portugali) – Trajner i mirë, pak i vlerësuar në Europë, që shkon me meritë në Botëror, pa shumë bujë.

Tunizia, “Italia” e Afrikës

Tunizia kthehet të buzëqeshë në Botëror falë një metode të qartë pune: taktikisht e kompletuar që nuk të fal asgjë.

Ylli: Eljes Skiri (26 vjeç, Këln) – Mesfushori më i mirë i Tunizisë, titullar me Këlnin shumë i fortë dhe punëtor.

Trajneri: Zhadel Kadri (50 vjeç, Tunizi) – Kaloi nga ndihmës, në trajner i parë i Tunizisë pas eliminimit nga Kupa e Afrikës, por e kualifikoi në Botëror pas një përballjeje të ndërlikuar me Malin.

Kanadaja shfaqet pas 36 vitesh (VAZO 4)

Kualifikim historik për Kanadanë në “Katar 2022” pas plot 36 vitesh pritje. E gjitha falë punës pasionante të një trajneri vizionar.

Ylli: Alfonso Dejvis (21 vjeç, Bajern M.) – COVID i la pasoja dhe i turbulloi sezonin me Bajernin, por në Botëror do të jetë.

Trajneri: Xhon Herdman (46 vjeç, Britani) – Ka bërë revolucion në futbollin kanadez. Ka drejtuar fillimisht femrat e Kanadasë duke shkuar në Botërorin e vitit 2015. Tani bën historinë te meshkujt.

Kameruni, agonia e “Luanëve të pamposhtur”

Kualifikim u sigurua në minutën 124, falë golit të Toko-Ekambit! Një dhuratë e bukur për presidentin e ri të federatës, Samuel Eto.

Ylli: Vinsent Abubakar (26 vjeç, Këln) – Golashënues i fuqishëm, që pritet të udhëheqë ekipin në Katar.

Trajneri: Rigobert Song (45 vjeç, Kamerun) – Ka qenë një mbrojtës i shkëlqyer për Kamerunin dhe karizmën e tij e ka përçuar dhe në ekip.

Ekuadori, forca fizike pa fund

I nisi kualifikueset mes shumë problemesh, por ktheu gjithçka në favorin e vet, falë forcës fizike. Një kombëtare me mjaft potencial.

Ylli: Ener Valencia (32 vjeç, Fenerbahçe) – Ai është një lojtar që ofron garanci dhe që kërkon të ndihet sërish lider.

Trajneri: Gustavo Alfaro (59 vjeç, Argjentinë) – Punë madhështore që kur zbarkoi në stol. Inteligjent, modernizoi futbollin e vendit.

Arabia Saudite, tjetër sukses për Renardin

Nëse Arabia Saudite ka kaluar një fushatë kualifikuese të shkëlqyer më së shumti i detyrohet trajnerit Herve Renard.

Ylli: Salem Al-Davsari (30 vjeç, Al Hilal) – Shumë cilësi, mund të niset nga krahët me depërtime drejt portës.

Trajneri: Herve Renard (53 vjeç, Francë) – Një trajner që historikisht ka qenë më i suksesshëm me kombëtaret sesa klubet. Triumfues me Zambian, Bregun e Fildishtë, Marokun dhe tani sauditët.

Gana, më pak nga çfarë pritet

Kaloi Nigerinë në një ndeshje historike, e drejtuar nga një trajner i përkohshëm dhe shumë lojtarë të dëmtuar. Por nga “Yjet e Zinj” të Afrikës gjithnjë pritet më shumë sesa thjesht një kualifikim.

Ylli: Tomas Parti (28 vjeç, Arsenal) – Përmirësimi i tij ka qenë i dukshëm dhe është lideri i padiskutueshëm i mesfushës.

Trajneri: Oto Ado (46 vjeç, Gjermani) – Një befasi në Ganë, por provën e zjarrit e kaloi me Nigerinë.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"