Turi i Francës, një histori e lavdishme që është paguar me jetë çiklistësh. Ja sekretet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2019 | 22:11

Turi i Francës, një histori e lavdishme që është paguar me jetë çiklistësh. Ja sekretet

UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Nisi më 6 korrik edicioni i 106 i “Tour de Francë”. I programuar në tri javë në muajin korrik, me itinerare dhe qytete që ndryshojnë në çdo sezon, çiklistët pjesëmarrës përshkojnë në gjerësi e gjatësi Francën dhe shtetet pranë saj. Përjashtim bën Parisi, ku në ChampsElysees, nga viti 1975 bëhet mbyllja dhe organizohet ceremonia tradicionale.

I ideuar nga Henri Desgrang me nisje në vitin 1903, ai është zhvilluar çdo vit, (përjashto periudhat e luftërave), pas kampionateve botërorë në futboll, olimpiadave, “Tour” është më ndjekuri, si një nga tri garat në çiklizëm në rrugë për meshkujt dhe ndër ngjarjet më të rëndësishme sportive dhe ajo çiklistike e vitit në botë. Nga viti 1984 deri në vitin 1993 u organizua paralelisht edhe “Tour” për femrat, por me rrugë më të shkurtra.

HENRI DESGRANGE Themeluesi i “Tour de France”

Nofka e “Grande Boucle” (Kaçurrel i Madh) lindi nga itinerari, një lloj kaçurreli që përshkon Tuor-in. Që nga viti 1967, ai fillon me një etapë të shkurtër kronometër (rreth 5-10 km). Për edicionin 2019, do të konkurrojnë 22 skuadra, 176 çiklistë, me G. Thomas fituesi i Tour 2018, Nibali, Sagan, Evan, Alaphilippe, etj. Mungesë e madhe është ajo e From dhe Dumulen, që të dëmtuar nuk marrin pjesë. Organizatore e Tour është “L’Equipe”.

IDEUESI, NJË ISH-ÇIKLIST DHE GAZETAR

Henri Antoine Desgrange (31 janar 1865-16 gusht 1940) ka qenë një çiklist dhe gazetar francez. Gjatë karrierës së tij sportive vendosi 12 rekorde botërore në garat në pistë, bashkë me rekordin e orës me 11 maj 1893, me 35 km. Pasi themeloi gazetën sportive “L’Auto-Velo”, për ta zgjidhur krizën ku ndodhej, Desgrangre mbështet idenë e një gazetari të ri sportiv të çiklizmit, Geo Lefevre: Propozimin për të promovuar një garë çiklistike me etapa përgjatë Francës.

Ideuesi i Tour, Desgrangre kur garonte

Ideuesi i Tour, Desgrangre kur garonte

Duke qenë se çiklizmi ishte popullor në atë kohë, në këtë mënyrë gazeta mund të siguronte publicitet dhe rritjen e shitjeve. Ajo stampohej me ngjyrë të verdhë, për këtë motiv çiklistët në krye të renditjes së përgjithshme mbanin fanellën me atë ngjyrë. Organizimi për zhvillimin Tour, u shpall më 19 janar 1903. Por, Desgrangre nuk e ndoqi, nga frika se nuk do të kishte sukses, duke ftuar Lefevre ta ndjekë me motoçikletë dhe tren Tour-in.

Desgrange tregoi interes personal vetëm kur gara filloi të admirohej. Për çiklistët, atë më të dalluarin, skuadrën, por edhe për të fundit pas çdo etape jepej “premio”. Tradita përcaktonte që fituesi të bënte xhiron e nderit, duke mbajtur një fanar pas mbërritjes. Kjo edhe për të fundit që vendoste një shenjë të kuqe nën shalë (La lanterne Rouge).

TURI I PARË, NISJE NË MESNATË

Turi i parë u organizua në pesë etapa, nga 1 deri më 5 korrik 1903, me nisje dhe mbërritje në Paris. Startin e garës së parë e dha arbitri Georges Abran në 3:16, në natën e 1 korrikut 1903, kur çiklistët u nisën nga Café Reveil-Matin në kryqëzimin e rrugëve Melun dhe Corbeil në fshatin Montgeron, me ndalesa të ndërmjetme në Lyon, Marseille, Bordeaux dhe Nantes.

mauris garin

Revista “Auto”, kryesore sportive e kohës, nuk foli asgjë për garën në faqen e saj të parë atë mëngjes, edhe për faktin se Tour ishte i panjohur dhe vetëm pas edicionit të parë mori reputacion. Për vetë Desgrange, si botues, shitja e gazetës së tij varej nëse Tour-i do të ishte i suksesshëm. Etapat startonin gjatë natës dhe përfunduan pasditen e ardhshme, me ditë pushimi për t’i lejuar çiklistët të rimarrin energji. Nga garat e para ishin ato me konkurrim individual, kronometër skuadre dhe biçikletat peshonin deri në 12 kg.

Ai u lejoi ekipeve që të zëvendësonin çiklistët me elementë të rinj dhe për ata që rrëzoheshin, të vazhdonin të nesërmen garën, duke konkurruar për çmime ditore dhe jo atë final. Tour i parë ishte i hapur për këdo. Shumë çiklistë ishin pjesë e ekipeve, ndërsa individët privatë u quajtën Touriste-routiers (turistë të rrugës), që kur mbaronin garën, ngjiteshin në skenën, duke ofruar shfaqje akrobatike për të fituar para për hotelin.

In this this photo provided by PhotoSport International shows Fausto Coppi catching and passing Jean Robic on Alpe d' Huez. (First time used by TdeF)

Desgrangre pati probleme kur çiklistët kishin dëmtime mekanike dhe rregullorja i detyronte t’i riparonin vetë, duke humbur shumë kohë gjatë garës e duke mbërritur me shumë distancë midis tyre. Më 1904, u braktisën etapat e natës, pasi u konstatuan mashtrime, sepse arbitrat nuk mund t’i ndiqnin e kontrollonin çiklistët në ato orë. Kjo bëri që të reduktohen distancat për etapa, si dhe ajo totale. Nuk kishte përcaktim të mbërrije shpejt apo ngadalë ose e përfundoje i distancuar me orë e minuta. Fituesi mund të shpallej pas në një apo dy ditë garë, duke i dekurajuar pjesëmarrësit për të mos qenë më aktivë.

Pas vitit 1930, Desgrange krijoi skuadra rajonale, por shpenzimet e larta reduktuan deri 15 çiklistë numrin pjesëmarrës. Ndonëse jo plotësisht i bindur, por kurrë për braktisjen e saj, Desgrandre, uli koston e regjistrimit nga 20 në 10 franga, e zvogëloi në pak ditë Tour-in, duke ofruar një shpërblim ditor deri në 200 franga, 12.000 për vendin e parë dhe nga 3000 për ata të podiumit. Ajo e fituesit ishte e barabartë me pagën e një punëtori gjatë një viti pune në fabrikë.

Kjo shtoi numrin deri 80- çiklistë, përfshirë jo vetëm ata profesionistë, por edhe amatorë, puntorë, e aventurierë. Pas 1960, nisur nga një sërë skandalesh me dopingun në vitet me kulmin vdekjen e Simpson më 1967, u mblodh UCI, që vendosi të kufizojë distancat dhe të aplikojë ditët e pushimit. Spostimet, disa lëvizje të bëheshin edhe me tren. Turi i sotëm modern ka 21-etapa, të ndërprera në dy ditë pushimi, për një total prej 3.4 km. Ai më i shkurtër i takon vitit 1904 me 2,420 km, ndërsa më i gjati në 1926 me 5,745 km. “Tour 2019” përfundon me 28 korrik.

bernard hino

FANELLA E VERDHË (MAILLOT JAUNE)….

Fituesit e të parit Tour nuk kanë veshur fanellën e verdhë, por kanë mbajtur një byzylyk jeshil. Bluza e parë e verdhë zyrtarisht është veshur nga Eugene Christophe më 19 korrik 1919. Pavarësisht nga kjo, çiklisti belg Philippe Thys, fitues në 1913, kujton në revistën belge “Champions et Vedettes”, se Desgrange i kërkoi atij të vishte një bluzë me ngjyrë dhe më pas iu dha një e verdhë.

Thys nuk pranoi, duke thënë se si e dukshme do të nxiste çiklistët e tjerë. Çiklisti i parë që e ka mbajtur fanellën e verdhë nga fillimi deri në fund të garës ka qenë italiani Bottecchia në 1924. Kompania e parë që sponsorizoi fanellën e dha një çmim ditor për fituesin që e mbante atë ishte “Sofil”, prodhuese leshi, në vitin 1948. Në “Tour” të vitit 1929 ishin tre çiklistë që mbanin njëkohësisht fanellën e verdhë, N. Frantz, A. Leducq dhe V Fontan, pasi që të tre kishin të njëjtën kohë dhe nuk kishte rregulla për klasifikimin e tyre. Edi Merks është çiklisti që ka veshur më shumë të “verdhën”, në 96 herë.

edi merks

RENDITJET E TJERA

Në fund të çdo etape, çiklistëve të ardhur të parët në finish u jepen pikë dhe kryesuesi mban fanellën jeshile (maillot vert). Në rast barazimi, numri i etapave të fituara përcakton se kush do të mbajë “jeshilen” përfundimtare. Renditja me pikë u aplikua në vitin 1953, për të përkujtuar 50- vjetorin e edicionit të parë: ajo quhej “Grand Prix du Cinquentenaire” dhe e fitoi zvicerani F. Schar.

Erik Zabel ka rekordin, me gjashtë herë në “jeshile”. Për renditjen e çiklistëve të rinj, nën 25-vjeç, është rezervuar fanella e bardhë (maillot blanc). Që nga edicioni i parë ekziston edhe klasifikimi ekipor, por nuk ka pasur asnjëherë një fanellë të veçantë. Vetëm pas 2006, çiklistët e skuadrës që komandon, mbajnë një numër të zi në fanellë në një sfond të verdhë (jaune dossard) dhe një kaskë të verdhë. Fituesi llogaritet me kohën e tre çiklistëve më të mirë të një ekipi në etapën e kaluar.

EDHE MALET, DECIZIVE PËR FITUESIT

Majat në të cilat kalon “Tour” janë mitike si ato në Alpe e Pirenej, të Masivit Qendrore, e Vosges, në mjaft raste vendimtare për fituesit e Tour. Disa nga majat më të famshme janë Colle del Tourmalet (2.114m Pirenej), që në vitin 1910 ishte lartësia më e lartë për t’u ngjitur. Po kështu Colle del Galibier (2,645m në Alpe), Colle dell’Izoard (2,361m), Mont Ventoux (1,909m), me peizazhin e shkretë e gëlqeror, ku turi kaloi për herë të parë në 1951.

Këtyre lartësive i bashkohet dhe Puy de Dome, ajo e Alpe d’Huez me 21 kthesat, që kanë emrin e çdo çiklisti fitues në ato male. Me finishe që mbarojnë në lartësi deri 1850m, që për herë të parë regjistrohet në vitin 1952 dhe deri më 1976 ka qenë gjithmonë e pranishme në Tour. Kryesuesi i renditjes së maloristëve mban fanellën e bardhë me pika të kuqe (maillot à pois rouges). Pikët që jepen janë përcaktuar nga lartësia dhe këto maja janë të ndara në katër lloje: Hors Catégorie (“jashtë kategorie”), kategoria e parë, e dytë, e tretë dhe e katërta, nisur nga vështirësia e ngjitjes.

Vështirësia vendoset në bazë të pjerrësisë së ngjitjes, gjatësisë dhe pozicionit të saj përgjatë ngjitjes. Më shumë pikë merren në Hors Catégorie. Nëse etapa mbaron me një finishit në Hors Catégorie, pikët dyfishohen. Maloristi më i mirë për herë të parë u zgjodh në vitin 1933, por shpërblimet u dhanë duke filluar nga edicioni i ardhshëm, ndërsa triko polka u fut në vitin 1975. Francezi R. Virenque ka fituar këtë klasifikim shtatë herë.

Untitled-collage-7-1024x447

KRIZA DHE LUFTA KUNDËR DOPINGUT

“Tour de France” është tronditur tri herë nga vdekja e një çiklisti. Spanjolli F. Cepeda humbi jetën në vitin 1935, viktimë e një rënieje të tmerrshme përgjatë zbritjes së Galibier. 13 korrik 1967, gjatë ngjitjes në majën e Mont Ventoux, çiklisti angleze T. Simpson vdiq si pasojë e një përzierje vdekjeprurëse, kur në bluzën e tij u gjenden njolla gjaku të Amphetamines, alkoolit shkaktuar edhe nga vapa e madhe. Në vitin 1995, vdes çiklisti i ri italian, kampioni olimpik F. Casartelli, për shkak të plagosjeve të pësuara në zbritjen në Colet Portet d’Aspet të Pirenieve.

Më 1998 Tour përjetoi një krizë të rëndë si skandali më i madh i dopingut në historinë e çiklizmit, që shpërtheu kur substancave të ndaluara u gjetën në makinën e Uilly Voet, kreut të “Festinës”, pas së cilës prokuroria vendosi kërkime në hotelet ku ishin ekipet duke zbuluar se te “Festina” përdorimi i substancave ishte praktikuar gjerësisht dhe ekipi u përjashtua nga Tour. Në shenjë proteste gjatë një etape, çiklistët hoqën numrin nga fanella e biçikletat dhe ajo nuk pati fitues.

Dopingu u kthye në qendër të vëmendjes në vitin 2006, kur mjaft çiklistë përfshihen në hetimin e “Operacion Puerto” dhe pak ditë para startit pretendentët Basso, fitues në Xhiron e ‘Italisë, J.Ullrich, Vinokurov përjashtohen nga “Grand Bouckle”. Të njëjtin dënim pati dhe F. Landis, ndonëse fitues, por amerikani u gjet pozitiv, u skualifikua dhe trofeu i kaloi spanjollit O. Pereiro. Më 25 maj 2007, fituesi i Tour 1996, B. Riis, pranoi në një konferencë shtypi se ai kishte përdorur doping gjatë kohës së fitimit të “Grande Boucle”.

Tour-de-france-through-the-years

Për këtë arsye, fitorja fillimisht u revokua, por më 2008 iu rikthye. Më 24 maj 2007, E. Zabel deklaroi se kishte përdorur EPO në javët e para të “Tour 1996”. Një vit i zi është edhe 2007 kur Vinokurov, Moreni, Sinkeëitz, dalin pozitiv në kontrollin e bërë jashtë Tour. Ata dhe ekipet e tyre, Astana e Cofidis, u përjashtuan dhe tërhoqën. Apo M. Rasmussen, me fanellën e verdhë disa ditë para përfundimit, u përjashtua nga “Tour” se i kishte gënjyer gjatë testeve antidopng. Më në fund, më 24 gusht 2012, shpërthen skandali më i madh, ai me Lance Armstrong, fitues i shtatë Tour, nga 1999-2005.

Por, për shkak të përdorimit të dopingut trofetë e Tour i anuluan kur më 17 janar 2013, çiklisti amerikan pranoi publikisht në një emision televiziv kishte përdorur substanca të ndaluara. Pa harruar edhe të tjerë, që tragjikisht kanë humbur jetën. Viti 1910: Francezi A. Helierench, mbytet në “French Rivera” gjatë ditës së pushimit. Viti 1935, çiklisti spanjoll F. Cepeda, rrëzohet, zhytet e mbytet në një përrua në Col du Balibier; Viti 1995, 18 korrik, etapa 15: Fabio Casartelli u rrëzohet në km e 88 km, kur ishte me 55km/h duke zbritur Col de Portet d’Aspet.

EDHE SHTATË INCIDENTE TË TJERA FATALE

1934, një motoçiklist duke bërë demonstrim në velodromin e La Roche Sur Yon, për të argëtuar turmën para se të vinin çiklistët, vdiq pasi u rrëzua nga shpejtësia e madhe. 1957: 4 korrik: Rider Uagter dhe Alex Virot, një gazetar për Radio Luksemburgun, rrëzohen në një rrugë malore pranë Ax-les-Thermes. 1958: Një zyrtar, Constant Uouters, vdiq nga plagët e marra pas sprinterit André Darrigade duke u përplasur me të në “Parc des Princ”. 1964: Nëntë vetë vdiqën kur një furgon furnizues, godet një urë në rajonin e Dordogne, duke rezultuar në numrin më të lartë të vdekjeve që lidhen me Tour. 2000:

Një 12-vjeçar nga Ginasservis, i njohur si Phillippe, u godit nga një makinë në karvanin e publicitetit që shoqëronte Tour de France. 2002: Një djalë shtatëvjeçar, Melvin Pompele, vdiq pranë Retjons pasi vrapoi përpara grupit. 2009: 18 Korrik, etapa 14: Një spektator në moshën 60-vjecare u godit dhe u vra nga një motor policor, ndërsa kalonte një rrugë përgjatë asaj të garës.

“KANIBALI” MERKS TOUR DHE GIRONË NJË SEZON

Ende sot, në mijëvjeçarin e tretë, një i tillë nuk është parë, “Kanibali”, ose si e përcakton shkrimtari francez Blodin, “një pasuri e forcës njerëzore”. Një kapitull i rëndësishëm, historik me emrin Edi Merks, për gjenialitetin. Rekordmen në Tour, 34 vende të para, 18 vende të dyta dhe 11 të treta. 111 fanella të verdha, ndrë të cilat 96 herë si lider dhe 8 herë fitues në një edicion.

Edi legjendar, 1972: Fitues në Sanremo, Freccia Valone, LiezhBaston-Liezh, si protagonist në Paris-Nica, Paris-Rube, dhe pasi ka fituar Xhiron e Italisë, Tour de Francë, në fund të tetorit në Meksiko, realizon një rekord të ri të orës: 49km 432m. I paharruar dueli historik me spanjollët, maloristin J. E Fuente, Ocana, duele force dhe psikologjike, duke e vënë në vështirësi belgun, kryesisht në ngjitjet në Pirenej, me rrëzime të frikshme dhe sfida pa fund. Merks, duke njohur aftësitë e tij, i sulmonte pikërisht kur kuptonte situatat delikate të tyre dhe triumfoi në Paris, deri edhe me dhjetë minuta diferencë.

Një kolos i paimitueshëm, ndonëse me plagë, probleme me vertebrat ai realizonte shkëputje të frikshme, finishe e sprinte spektakolare, jashtë çdo limiti njerëzor. Një furtunë, i jashtëzakonshëm, me stërvitje të pabesueshme duke përdorur skafandra e befasuar mjekët belgë. Nuk njihte miqësi e kompromise, nuk i hapte rrugë askujt, i vetëm ndaj të gjithëve, edhe me të tijtë ishte kundërshtar. Një fenomen, një “Kanibal”!

KOPI, NJË TJETËR LEGJENDË

Fausto Kopi, italian i famshëm i messhekullit të kaluar, padron absolut i Xhiros dhe Tour, një kampion i papërsëritshëm edhe ky, më shumë se një legjendë. Në “Tuor 1949”, pas rrëzimit në etapën e “Saint Malo”, atë mbëmje Kopi ndodhej 36′ e 55′ pas fanellës së verdhë, francezit Marinelli, dhe të gjithë e konsideronin jashtë klasifikimit.

Por, në finishin parisien, Kopi triumfon me 25’e 13″ avantazh ndaj Marinellit, duke rikuperuar më shumë se një orë. E pabesueshme. Një personazh mitik, me forcë jashtë kufijve njerëzorë, i njohur edhe për masazhatorin Kavana, që nuk shihte nga sytë. Një Kopi i dytë, pas disa dekadash, u shfaq një tjetër italian, M. Pantani, triumfues në “Tour”, spektakolar në shkëputjet malore, por me një fund tragjik si edhe Kopi.

VETËM KATËR JANË ME PESË “TOUR”

Ata janë: J. Anquetil (Fra), 1957, 61, 62, 63, 64; E. Merks (Bel), 1969, 70, 71, 74; B. Hinault (Fra), 1978, 79, 81, 82, 85; M. Indurain (Spa) 1991, 92,93, 94, 95 ( i vetmi që e ka fituar Tour në pesë edicione radhazi). Me katër Ch. From (Ang) 2013, 15, 16, 17. Me tre P. Thys 1913, 14, 20; L. Bobet 1953, 54, 55; G. LeMond 1986,89, 90.

Vetëm disa janë çiklistët që në një sezon, kanë triumfuar në Xhiro e Tour, për nga vështirësia: F. Coppi(1929, 1952); J. Anquetill(1964), Eddy Merks (1970, 1972); B. Hinault (1982, 1985); M. Indurain(1992, 1993) dhe M. Pantani (1998). Francezët janë 36 herë fitues të Tour, vijojnë çiklistët belgë me 18, Spanja 12, Italia 10, Luksemburgu 5, SHBA dhe Anglia 3, Hollanda e Zvicera me 2 dhe nga një Australia, Danimarka, Gjermania dhe Irlanda.

Fitorja e fundit një çiklisti belg është më 1976, me L. Van Impe, ajo e një francezi më 1985, kur Hinault fiton Tourin e pestë të tij. Amerikani i parë është në vitin 1986 Greg Le Mond, irlandezi i parë më 1987 S. Roche. Ndërsa më 1996 danezi i parë B. Riis dhe më 1997 gjermani i parë J. Ullrich. Më 2011 i takon C. Evans australianit të parë fitues. Më 2012 dhe 2013 janë britanikët B.Wiggins dhe Ch. Froome triumfues.

MË PRESTIGJOZI DHE MË I PASURI NË BOTË

Duke qenë se konsiderohet gara çikliste më e rëndësishme, më prestigjioze dhe më e pasur në botë, janë gati 2.3 milionë euro që qarkullojnë për zhvillimin e tij në këtë edicion. Fituesi i Tour merr një shumë prej 500 mijë euro, përfshirë edhe team (dyfishi i Xhiros së Italisë, kur për fituesin e Veulta-s, jepen 150 mijë euro). Vendi i 2 dhe i tretë ndajnë nga 200 dhe 100 mijë euro secili. Pastaj 70 mijë vendi i 4, 50 mijë i 5, deri tek i 19-ti që merr 1.100 euro. 11 mijë euro jepen për fituesin e çdo etape, 9.500 për të dytin dhe 2800 i treti (i 15-ti merr 300 euro). Të gjithë çiklistët që garojnë në Tour marrin nga 1000 euro. 25 mijë euro janë për bluzën e verdhë dhe po aq për maloristët, ndërsa për bluzën e bardhë jepen 20 mijë euro.

ÇFARË NUK DIMË NGA HISTORIA E TOUR

Ka qenë italian, me shtetësi franceze fituesi i parë i Tour:

Maurice Garin, më 1 korrik 1903, me etapën Paris-Lion;

I pari dhe i vetmi që e ka veshur fanellën e verdhë nga dita e parë deri në të fundin, duke fituar Tour-in, është italiani O. Bottecchia, “muratori”, më 1924;

Një italian me shtetësi belge ka rekordin e çiklistit më të vjetër, madje fitues i një etape: 1963, siçiliani Pino Cerani, Bordo-Pau, kur ishte 41-vjeç;

Italian është edhe fituesi me moshën më të re i një etape DinanBrest: F. Battestini, 19 vjeç e 4 muaj;

Fituesi me moshën më te re, 19 vjeç i Tour është francezi H. Cornet, më 1904. Pas tij vjen belgu R. Maes 21 vjeç, më 1935;

Fitues i Tour me moshë më të madhe është belgu F. Lambot, 36 vjeç më 1922;

Që nga garat e para, disa etapa të Tour kanë kaluar kufijtë e Francës (edicionit të vitit 1907, në Metz, Gjermani);

Nga viti 1954 Tour ka filluar edhe jashtë Francës;

Më 1992, shënohet si edicioni më “turistik” i “Tour”, kur përshkoi Belgjikën, Gjermaninë, Luksemburgun, Holandën, Italinë dhe Spanjën. Hera e parë që Tour kaloi mbi Alpe d’Huez ka qenë më 5 korrik 1952, kur F. Coppi shkruan një ndër faqet më epike në historinë e çiklizmit. Ndërsa kalimi në Pirenej është regjistruar më 1910, në Col du Galibier, një finish në lartësi si asnjëherë në Tour (2645m), si dhe në Col du Tourmalet, njëra nga ngjitje më të vështira e aplikuar në 82 edicione;

Shkëputja më e madhe e të gjithë kohërave i takon edicionit 1947, Carcassone-Luchon: A. Bourlon pret shiritin i pari pas 253 km në vetmi të plotë. Pastaj Coppi, më 1952 ka shënuar diferencën më e madhe nga i pari dhe i dyti në renditjen përfundimtare: 28 minuta e 17″ ndërmjet tij si fitues dhe belgut Stan Ocker. Më 1976, spanjolli J. L. Viejo mban rekordin e avantazhit kohor më të madh në një etapë, MonginveroMansosque: 22′ e 50″ndaj holandezit G. Karstens;

M. Çipollini (Ita), në 1999, mban rekordin e shpejtësisë gjatë një etape, Laval-Bois 194.5 km: 50. 355km/h;

F. Faber është i vetmi çiklist që ka fituar pesë etapa radhazi, më 1909;

J. Zoetemelk është çiklisti më numrin më të madh të pjesëmarrjeve, 16-të;

B. Hinault është rekordmen i fitoreve në garat me kronometër, 20, dhe i vetmi që e ka veshur fanellën e verdhë në 8 edicione të Tour;

-Andy e Frank Schleck më 2009, janë të vetmit vëllezër që janë ngjitur bashkë në podium, respektivisht, i dyti dhe i treti, pas Evans i pari;

Zvicerani F. Cancellara e ka veshur 29 herë “maillot jaune’, por pa e fituar asnjëherë Tour. Si dhe francezi R. Poulidor, duke hipur në podium në 8 edicione, pa qenë asnjëherë fitues i Tour në 14 pjesëmarrje (1962-1976);

L. Fignon, H.Van Springel e P. Brambilla kanë humbur kreun e renditjes përfundimtare, në etapën e fundit të Tour. Ndërsa, G. Nencini, O. Pereiro, L. Aimar, F. Lambot e G. LeMond e kanë marrë Tour, pa fituar asnjë etapë;

Vetëm dy çiklistë jo europianë kanë triumfuar në Tour: amerikani LeMonde (’86, ’88 e ’89), australiani C. Evans (2011). Vetëm dy çiklistë kanë fituar renditjen më pikë për gjashtë edicione: Erik Zabel, dhe Peter Sagan;

Vetëm një çiklist është konsideruar “Mbret i Majave”, shtatë herë fitues:R. Virenque më 1994, 95, 96, 97, 99 2003 e 2004;

J. Ulrich është i vetmi çiklist që ka fituar tri herë renditjen e të rinjve. Vetëm një çiklist ka qenë “Mbert i Maloreve”, fitues edhe i renditjes me pikë dhe I gjithë Tour në të njëjtin vit: E. Merckx, 1969;

Maja Mont Ventoux (1,909 m në Provence) me peizazhin e tij gëlqeror e të shkretë ku Tour kaloi për herë të parë në 1951, mori famë edhe për faktin tragjik, ku T. Simpson, vdiq duke ngjitur këtë mal në vitin 1967;

Ekipet më të mira kombëtare në Tour janë Franca dhe Belgjika, me 10 fitore secila;

Nga sponsorët e parë ka qenë “La Belle Jardinière”;

Italianët që kanë fituar Tour janë: O. Bottecchia, G. Bartali (1938 dhe 48′, F. Coppi (49, 52), G. Nencini (1960), F. Gimondi (1965), M. Pantani (1998), Fausto Coppi V. Nibali (2014).

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"