Torez Çiraku, “motori” që Partizani ia bëri dhuratë Dinamos dhe u pendua: Ndërhyri babai gjeneral dhe Petrit Dume heshti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 21:26

Torez Çiraku, “motori” që Partizani ia bëri dhuratë Dinamos dhe u pendua: Ndërhyri babai gjeneral dhe Petrit Dume heshti

Një shkrim për Torez Çirakun e kisha projektuar prej kohësh, duke qenë që e kam jetuar nga afër atë brez sportistësh dhe futbollistësh, midis tyre edhe Torezin. Lojtar i shkëlqyer, i sjellshëm, shumë i dashur, miqësor, model në fushë e në jetë. Kështu e mbaj mend. Më pas, karriera e tij e ndarë në dy pjesë: Partizani dhe Dinamo. Nga një lojtar i talentuar, por shtatshkurtër dhe jo i preferuar nga Boriçi, te kalimi surprizë në radhët e Dinamos. Ishte një transferim i bujshëm, aq më shumë për rivalitetin midis dy klubeve.

Torez Çiraku

Torez Çiraku

Këtu nis karriera brilante e tij. Titullar që në ndeshjen e parë, një “ala tornante” moderne e kohës, i palodhur, si një motor, vajtje-ardhje, në sintoni me aksione manuale me Çeçon, G. Xhafën në mbështetje të Ballgjinit, Zërit dhe Përnaskës së Dinamos së famshme. Pastaj ndarja pa kthim, largimi në Itali ku banon dhe ndërhyrja e vështirë kirurgjikale në zemër, kur mjeku italian e këshilloi: “Të kam dhënë 30 vite jetë, mos abuzo, që të mos vish sërish tek unë”. Kështu thotë për “Panorama Sport Torez Çiraku. Pastaj shton: “Më pëlqen Insinje, më kujton lojën time”.

Torez, para disa javësh “Panorama Sport” botoi një shkrim me treshet më të njohura të futbollit shqiptar. Ndër ta ishit edhe ju me Çeçon e G. Xhafën…
Sinqerisht më erdhi shumë mirë kur e lexova, pasi gazetën ma dërguan në Itali.

Një familje jo e lidhur me sportin, kurse ju i dashuruar pas futbollit dhe Partizanit… Pse?
Kam lindur në vitin 1948, jemi dy vëllezër. Më i madhi inxhinier, kurse mua familja më dërgoi në shkollën “Skënderbej”. Isha djalë i lëvizshëm. Edhe pse nuk doja, nuk më pëlqente, ëndrra për të luajtur me Partizanin ishte një mundësi që kjo shkollë ta ofronte. Trajnerët e parë kanë qenë S. Deda, Sh. Çiçiku dhe B. Birçe. Skënderbegas qëndrova 4 vjet. Isha kapiten i skuadrës së shkollës dhe i të rinjve të Partizanit. Aty kam njohur Bajkon, Shaqirin, Muhedinin, Çakon, Lenën, S. Gjikën, Gj. Thakën, Seferin. Si ish-skënderbegas e ruanim miqësinë në fushë e jashtë saj. Edhe sot.

Çiraku me ekipin e të rinjve

Çiraku me ekipin e të rinjve

Ju kujtojmë kur ishit lojtar i Partizanit, stërviteshit tek ish-Shkolla e Partisë…
Në 1965 shkova te Partizani, ekipi i parë. Trajnerë ishin Spahiu e Boriçi. Luaja mesfushor dhe kisha të dhëna të mira teknike. Taktikisht vendosesha mirë dhe e lexoja lojën. Stërvitja te ish-Shkolla e Partisë ndiqej nga shumë tifozë. Dushet i kishim pas Pallatit të Sportit dhe duhet të kalonim rrugën. Atje ishte edhe klubi. Mblidheshim në dhomën e Sabah Bizit, pinim cigare. Edhe pse ruheshim, Boriçi e dinte dhe nuk i pëlqente. Kuzhinier ishte Zari e disa nga ne i kishte të veçantë. U jepte diçka më shumë si trajtim. Trajner ishte Refik Resmja.

Labinoti-Partizani. Lart nga e majta: I. Hoxha, S. Seferi, A. Ahmedani, B. Cani. E. Ibërshimi, L. Shllaku, S. Gjika, L. Gogunja, Gj. Shele, M. Magjistari. Ulur majtas: Dh. Gjika, M. Gjika, P. Gjika, T. Çiraku, P. Pano, F. Jorgaqi, M. Janku, A. Janku, R. Çela, M. Ceka.

Labinoti-Partizani. Lart nga e majta: I. Hoxha, S. Seferi, A. Ahmedani, B. Cani. E. Ibërshimi, L. Shllaku, S. Gjika, L. Gogunja, Gj. Shele, M. Magjistari.
Ulur majtas: Dh. Gjika, M. Gjika, P. Gjika, T. Çiraku, P. Pano, F. Jorgaqi, M. Janku, A. Janku, R. Çela, M. Ceka.

A mund të themi se po riformatohej Partizani?
Resmja qëndroi nga 1966-1967 deri në 1969. Pas ngjarjeve të 1967-ës, përjashtimit të 17 Nëntorit e Partizanit, ai krijoi një skuadër të re, duke mbajtur disa titullarë. Por, afroi dhe aktivizoi brezin tonë me lojtarë të rinj: Bajkon, Shaqirin, mua, Kenon etj. Resmja si një ish-sulmues i dha prioritete sulmit. Krijoi një formacion argëtues. Në 1968 fituam Kupën e Republikës dhe në shtator luajtëm kundër Torinos.

Nga stoli në fushë, ju ishit nismëtar i golave ndaj Torinos apo jo?
Në dy takimet ndaj Torinos e kam nisur nga stoli, duke zëvendësuar dy futbollistë të mëdhenj. Në Tiranë, sapo nis pjesa e dytë, zëvendësoj Jasharin dhe topin e parë ia kam pasuar Rragamit, ai Bajkos, ky Shaqirit dhe gol. Në Torino, në minutën e 76-të futem në vend të Panos së dëmtuar. Në të 84’ godas në zonë. Portieri e priti. Topin e kthyer Bajko me kokë e dërgoi në rrjetë. Pra, jam nismëtar në dy golat e Partizanit, por i ardhur nga stoli.

247492633_1221375445050332_7248331925447596187_n (1)

Ikën Resmja, rikthehet Boriçi. Si shkuan gjërat?
Kur u largua Resmja nga Partizani, erdhi Boriçi. Duhet të ketë qenë viti 1969- 1970, nëse nuk gaboj. Për disa lojtarë, si unë, A. Janku, Bajko, Shaqiri e ndonjë tjetër, ndryshuan raportet. Në sezonin 1970 Partizani fitoi Kupën, ndërsa në 1970-1971 u shpall kampion. Ne qëndronim më shumë në stol.

Pse, cili ishte motivi?
Njiheshin preferencat e Boriçit. Më kryesorja, nuk i pëlqente lojtarët shtatshkurtër. Unë isha 166 cm. Një koncept për të cilin nuk paragjykoj edhe sot. Te Partizani ishim disa të tillë, unë, A. Janku, që ai nuk na aktivizonte, qëndronim rezervë. Pra, ishte e qartë se e ardhmja, karriera ime te Partizani me Boriçin trajner ishte pa shpresë.

Futet në lojë Dinamo. Si lindi ideja për një transferim te ky klub?
Ndërkohë, Dinamo kishte kohë që e dinte këtë situatë. Në Tiranë takoheshim çdo ditë e bisedonim. Puna jonë ishte bërë çështje, diskutohej kudo. Ata i drejtuan një kërkesë zyrtare klubit për lejekalimin tim, të Bajkos e Shaqirit. Por, si nga klubi dhe trajner Boriçi përgjigjja ishte e prerë: “Janë lojtarë të Partizanit dhe nuk do të largohen”.

A është e vërtetë se ndërhyri babai juaj, një ish-gjeneral i njohur?
Unë kisha shtëpinë e shkollën afër klubit dhe më pëlqente të luaja me Dinamon. I kisha shokë futbollistët. Në shtëpi qaja si fëmijë që Boriçi nuk më aktivizonte. Të shqetësuar për mua, babai ish-gjeneral, më pas oficer madhor, ndërhyri, foli me drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, me Boriçin, duke i kërkuar: “Djalin mos ma pengoni të shkojë të luajë ku dëshiron”. Pati hezitim, debate. Petrit Dume, ndonëse nuk donte kurrsesi të ikja, qëndroi në heshtje, nuk u përzie. Ndërhynë edhe të tjerë që e detyruan klubin, e bindën Loron që unë të largohesha.

Nje formacion i Dinamos 1971, Ciraku i dyti nag e djathta

Nje formacion i Dinamos 1971, Ciraku i dyti nag e djathta

Torez, nuk ishte një ndarje e lehtë. Kujtoj mirë që bëri bujë asokohe. Një lojtar i Partizanit ikën te rivali Dinamo…
Largimi im nga Partizani te Dinamoja pati jehonë. Nuk kishte ndodhur më parë as më vonë një transferim i tillë, aq më shumë ndërmjet dy klubeve rivale. Ndonëse askush nga Partizani nuk donte që unë të largohesha, përfshirë drejtues të klubit që mendonin ndryshe nga Boriçi që më mbante aty pa më aktivizuar. Askush nuk u zemërua me mua, jo vetëm nga lojtarët, por edhe drejtues të Partizanit dhe as tifozët. Keq u vinte, sigurisht. Kam qenë 22 vjeç kur jam larguar. Kalimi u realizua midis dy klubeve dhe dy ministrive, si një formë transferim-federimi për kohën.

Edhe A. Janku ishte shtatshkurtër, jo i pëlqyer nga Boriçi, por nuk u largua nga Partizani. Si shpjegohet?
Bashkë me Jankun e kishim këtë problem nisur nga preferenca e Boriçit. Ajo që bënte dallim në lojën time me të Agimit, qëndronte se Janku ishte lojtar i shpejtë krahu, driblues, kurse unë një mesfushor manovrues klasik, më shumë pjesëmarrës në skemat taktike të skuadrës. Agimi ishte spektakolar, një talent i vërtetë, një tifozëri e tëra pas tij. Edhe kjo ishte një arsye që e detyronte Boriçin ta aktivizonte. E kërkonte tifozëria. Nga grupi, vetëm unë munda të iki. Bajko, Shaqiri, Çako qëndruan aty, por si rrodhën ngjarjet edhe ata u larguan pak më vonë.

Shkojmë te Dinamoja, tjetër atmosferë, të tjerë lojtarë, tjetër filozofi loje dhe nuk ishte e lehtë apo jo?
Te Dinamoja u paraqita në janar të 1971-shit, ndërkohë sa nisa edhe ILKF “Vojo Kushi”. Po prisja të shkoja, pasi qëndrimi te Partizani ishte bërë i pamundur. Kisha besim. Fizikisht isha mirë, i pakonsumuar, teknikisht i plotësuar. Nisur edhe nga kërkesa, dëshira e tyre të luaja me ta, më krijoi një situatë, ndjesi pozitive.

247864300_616719563072712_8068804215183538691_n (1)

Si ju pritën te Dinamoja?
Më pritën shumë mirë, nga Gjinali, Përnaska, Çeço e të tjerë. Nisa stërvitjet te aneksi pranë stadiumit, për shumë vite aty jemi stërvitur. Dilja vetë në mëngjes, pak vrap, pak gjimnastikë, gjë që u bënte pak përshtypje e dikush tha: “Sapo ka ardhur, do që të duket. Pasi të jetë në formacion, do ta shohim. Do të fillojë të bëjë naze si të tjerët”.

Trajner është Skënder Jareci, njeriu që ndryshoi karrierën tuaj?
Ai ka qenë vendimtar. Jareci kishte nuhatje dhe duke parë cilësitë e mia teknike e fizike, besoi tek unë dhe më orientoi të luaja si mesfushor në krahun e majtë, ndonëse këmba ime ishte e djathta. Kisha bazament, harkoja mjaft mirë me të majtën. Shpejt u konsolidova me grupin. Më ka aktivizuar që në ndeshjen e parë të fazës së dytë, shkurt 1971. Dinamo-Luftëtari 3-0. Unë, Çeço, Xhafa krijuam një mesfushë sa teknike, aq taktike. Çeço lojtar i zgjuar, i paparashikueshëm. Xhafa i fortë fizikisht, godiste portën, i alternonim lëvizjet, veprimet. Një skuadër kompakte e mirorganizuar, e disiplinuar taktikisht. Me Jarecin e nisa, me atë e mbylla karrierën. Ai bashkë me Hallunin drejtonin Dinamon e sezoneve 1974, 1975, 1976.

248085681_1145356029204951_4702984483668363668_n (1)

Ju kujtohet ndeshja e parë ndërkombëtare?
Ajo ndaj Austrisë së Vjenës, shtator 1971. Dinamo fitoi kupën dhe kam qenë titullar në të dyja takimet për Kupën e Kupave: 1-1 në Tiranë dhe 0-1 në Vjenë. Pastaj vitet e gjata të vetë përjashtimit që na izoloi, pa asnjë takim ndërkombëtar në kulmin e Dinamos.

Keni luajtur mjaft derbe me fanellën e Dinamos ndaj ish-Partizanit tuaj?
Kujtoj të parën, java e 16-të, faza e dytë, shkurt 1971, Dinamo-Partizani 2-1. Në fushë ndaj shokëve të mi. Terren i rënduar, shumë tension. Kanë shënuar Gjinali e Përnaska. Janë disa derbe të fituara nga ne, por edhe Partizani. 1973-1974 fituam 2-0, golin e parë e kam realizuar unë. Atë kampionat dolëm kampionë të shkëputur me 7 pikë nga Partizani i dyti në klasifikim. Një tjetër derbi me Partizanin e humbën 1-2. Kam shënuar golin e vetëm pas një kombinimi Gjinali-Përnaska, Iliri pasoi tek unë. Në një ndeshje për Kupën e Republikës në ¼, Partizani na eliminoi me gola të Muratit e Sejdarit. Po për këtë trofe, finalen në 1974 e fitoi Dinamo 1-0 dhe morëm trofeun.

Jeni edhe një “realizues model, gjakftohtë”, të tillë ju përcakton “Sporti”…
Nuk është se jam shquar si golashënues. Ndaj Skënderbeut, pas një kombinimi Përnaska – G. Xhafa, kam shënuar një gol vendimtar. Për këtë takim mendoj se bëhet fjalë.

247880771_1171257903401229_245091071745601443_n (1)

Në shtypin e kohës lexojmë: “Pesha e Çirakut ndihet në çdo ndeshje. Çiraku, lojtari me mushkëri të forta, i hap punë çdo mbrojtje”…
Ka qenë një ndeshje derbi ndaj 17 Nëntorit. E fituam 3-0 me tre gola të Përnaskës. Çeço dhe unë kemi spikatur. Por dua ta theksoj se në sfidat derbi kam qenë shumë i kujdesshëm, jo inate, as mllefe. Nuk kisha kujt t’ia nxirrja inatin. Jo, kurrë. I kisha të gjithë shokë. Përkundrazi, bëja lojën time. Pastaj edhe në natyrë nuk e kisha agresivitetin, ashpërsinë.

Me trajnerin Boriçi, jeni takuar më vonë?
Sigurisht, por e kam respektuar gjithmonë. Asnjëherë nuk i kam shprehur pakënaqësi apo diçka tjetër. Për mua kapitulli Partizani-lojtar ishte mbyllur, pavarësisht nga nostalgjia, dashuria që kisha për atë klub, me të cilin isha edukuar, rritur, ëndërruar. Kurrë nuk i kam kërkuar Loros arsyet e mosaktivizimit tim. Boriçi, tejet autoritar, nuk futej në këto biseda, raporte, marrëdhënie me lojtarët. Në fund të fundit janë simpati e antipati që i ka çdo trajner.

Dinamo me trajner S. Peqini

Dinamo me trajner S. Peqini

Nisur nga karriera juaj e shkëlqyer te Dinamoja, gjykoni se te Partizani mund të jenë penduar?
Së pari, një gjë mund t’ju them: Unë nuk do ta lija Partizanin nëse do të luaja. Nuk e kisha mëndur kurrë, por jo ta mbyllja karrierën si rezervë. Edhe sot kështu do të përgjigjem: Nuk kam gabuar, gjykoj për zgjedhjen që bëra. Kurse për vajtjen te Dinamoja nuk e menduan se do të kisha tjetër karrierë. Neglizhuan, nuk më vlerësuan, nuk m’i njohën aftësitë. Vite më vonë, mjeku I. Feta, i ka thënë Loros: “Sa gabim ke bërë që nuk e aktivizove Çirakun. Atë e more në qafë, por edhe Partizanin”.

Ahmet Shqarri ka thënë: “Torez Çiraku fluturonte mbi baltë”. Një përcaktim i gjetur?
Më vjen mirë që Shqarri nuk më ka harruar dhe më kujton edhe në këtë mënyrë. Kam luajtur njëlloj në çdo fushë, brenda apo jashtë, pavarësisht nga kushtet atmosferike: shi, ftohtë, baltë, terrene të rënduara dhe kjo është e vërtetë. Gjatë 90 minutave vrapoja sa në sulm aq edhe në mbrojtje. Vetëm një herë jam dëmtuar në kokë, qëndrova disa javë në spital. Asnjëherë të kem marrë të verdhë.

Jeni i vetmi që keni luajtur me Partizanin, pastaj Dinamon. Cili ishte ndryshimi?
Te Partizani kisha shpirtin, te Dinamoja gjeta veten. Loja e Partizanit kishte tjetër fizionomi, më fizike, agresive, më e vrullshme. Kurse Dinamo më akademike, me një kontroll, administrim inteligjent, lojë të hapur, një stil, mënyrë që u përshtatej karakteristikave të mia. Me shumë takime dhe që e mbështeste te lojtarët teknikë. Krijonte grupin. Një filozofi, traditë e instaluar ndër vite nga një strateg si S. Jareci, që e ruan edhe sot.

Çiraku, G. Xhafa, F. Sejdini

Çiraku, G. Xhafa, F. Sejdini

Keni luajtur me Dinamon e famshme të viteve 1970-1980, skuadrën më të madhe të të gjitha kohërave…
E kam pasur këtë fat. Dy treshe kemi qenë në fushë. Unë, Çeço dhe G. Xhafa. Pastaj Ballgjini, Zëri, Përnaska. Portierët kujtoj Ramën, Ahmedanin, Luarasin deri edhe Saren. Pastaj Sejdinin, Ibërshimin, Mërgjyshin, Gjinalin, Kodrën, Gjonin, Çoçolin, Hafizin, Çutrën, Hysin, Zenunin, Markon. Pas Jarecit dhe ardhjes së Ballgjinit, trajneri Dume i dha atij përparësi dhe unë luaja si mesfushor pas tij. Edhe Sabri Peqini nuk ndryshoi asgjë. Në atë periudhë dominonim me lojë e gola. Në fushë ishim lojtarë e trajnerë. Me Dinamon fitova 2 Kupa e 3 tituj kampion.

Keni qenë përkrah disa lojtarëve të mëdhenj te Partizani e Dinamo. I kujtoni?
Kam luajtur me Panon, Jasharin, Rragamin, Karriqin, M. Jankun etj., etj. Më kanë pëlqyer G. Merja, Pano pa diskutim, pastaj Çeço, Zëri, Përnaska si një “dinamit” ishte, mbi të gjithë Sabah Bizi, i paarritshëm. Por idhull kam pasur Lin Shllakun, që e kujtoj kur më thoshte: “Mos u lodh shumë vajtje-ardhje, ruaj energjitë, jo sforcime maksimale, të kesh forca të presësh kundërshtarin e të nisesh në sulm”.

Dinamo kampione me trajner D. Shehun

Dinamo kampione me trajner D. Shehun

Për Bizin flisni me shumë konsideratë, po kur ishit kundërshtarë?
Kur shkova te Dinamoja, ai luante me Partizanin dhe në derbin e parë si dinamovit kam luajtur kundër tij. Ndërsa ndaj Vllaznisë kujtoj tri takime në Shkodër të fituara 1-0 nga ne, me gola të shënuar nga Zëri në të parën, Përnaska në të dytën dhe Zëri në të tretën, gjysmëfinale Kupe. Mesfusha Rragami-Bizi dhe unë me Çeçon, me një rivalitet të madh. Iljazi ma linte mua Bizin, unë ia lija atij. Edhe për Bizin ishte e vështirë. Pas ndeshjes e kishim lënë të shkonim në shtëpinë e tij. Por sfida pas 120 minutave u mbyll 1-0 për Dinamon me gol të Zërit dhe Vllaznia u eliminua. Pas takimit u larguam menjëherë dhe unë nuk munda të qëndroja, ndërsa Sabahi na priste në shtëpinë e tij me darkën gati.

Prej një kohe të gjatë jetoni në Itali. Si shkojnë gjërat aty?
Mbi dhjetë vjet në krahinën e Abrucos, jetoj me njërën nga vajzat. Vajza tjetër jeton në Gjermani dhe punon në administratën e qytetit të Këlnit. Kur luaja, familja ime, por edhe më pas kur u martova, qëndronin larg sportit. Jam gjysh. Nipi i vogël mund të bëhet futbollist, ka të dhëna.

Flasim pak për ndërhyrjen kirurgjikale. Çfarë ju tha mjeku?
Në Napoli, mjeku kirurg, pasi realizoi ndërhyrjen, më këshilloi: “Të lodhur e kam parë zemrën tuaj, duhet të ketë bërë shumë vajtje-ardhje…”. Sigurisht, me humor. Kur i thanë që kam qenë futbollist, ai shtoi: “Të kam dhënë 30 vjet jetë, nëse abuzon, do të vish sërish këtu”.

Për ta mbyllur Torez, model në fushë e në jetë keni qenë. Çfarë do t’i thoni lexuesit?
Së pari, faleminderit për konsideratën, vlerësimin. Me futbollin u ndava në 1976. U largova dhe nuk e ktheva kokën pas. Duke iu rikthyer historisë sime me Partizanin, si një “goditje pas shpine” ka qenë, kështu më ka mbetur.

 

FLET ISH-KAPITENI ILJAZ ÇEÇO: ÇiIRAKU, SHPIRTI I DINAMOS
“Loja e Torezit ishte si vetë karakteri i tij. Nuk mundet që një futbollist të zhvillojë atë lojë pa e pasur në shpirt dhe si filozofi jete”, shprehet për “Panorama Sport” ish-kapiteni dinamovit Iljaz Çeço. Torezi thotë se Çeço ka qenë i pari që e donte te Dinamoja.

ILJAZ Çeço

ILJAZ Çeço

A është e vërtetë?
Me ardhjen e Torezit, skuadra u kompletua. Shpirti i skuadrës ka qenë, i kudondodhur, motor i fushës. Një “ala tornante” e kohës, vijim i lojës së Th. Duros, por sigurisht më modern dhe që u kthye në sistem taktik të lojës së Dinamos. Një “assistman”, sa gola të realizuar nga Përnaska janë edhe me harkimet e tij nga e majta, e djathta.

Iljaz, cili ka qenë futbollisti Çiraku?
Jo vetëm teknik, por kur e kishte topin nuk ia merrnin dot, edhe pse e rrethonin dy-tre lojtarë. E mbronte në mënyrë të shkëlqyer, si pak futbollistë. Në Kupën Ballkanike, në Pire të Greqisë, fituam 4-3. Ishte më i spikaturi. Lojtar simpatik, i zgjuar, teknikë e lartë, organizator, fantazist i jashtëzakonshëm. Shumë i dashur, mik me të gjithë, i edukuar, asnjë karton në karrierë.

Çiraku titullar te Dinamoja, asnjëherë në Kombëtare. Si e shpjegoni?
Boriçi edhe nuk e fuste në formacion, edhe nuk e lëshonte të ikte nga Partizani. Po kështu edhe Agim Jankun, që i jepte fitoret Partizanit. Nuk i ka grumbulluar një herë në Kombëtare dhe kjo vetëm se të dy ishin shtatshkurtër.

Nga UVIL ZAJMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"