Tomori-Naftëtari, sherri në Berat për një të kuq, pranga lojtarëve që në stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 22:56

Tomori-Naftëtari, sherri në Berat për një të kuq, pranga lojtarëve që në stadium

UVIL ZAJMI

Ndonëse koha kalon dhe kemi lënë pas dekada, ai 90-minutësh i 40 viteve më parë në Berat dhe ajo çfarë ndodhi nuk mund harrohet. Ka mjaftuar një karton i kuq, që provokoi tension në fushë dhe shpërthyen protestat duke çuar në pranga dy futbollistë, për të vijuar me procese gjyqësore deri dënime me burg. Një ngjarje e bujshme ku përfshihen arbitra, lojtarë, forca rendi, prokurorë, hetues. Të akuzuar janë kuçovarët, portieri Fatmir Ismaili dhe sulmuesi Aleksandër Koçi. 

82617081_2874171675937705_4052087960563089408_o

Si e kujtojnë sot ata ngjarjen? Dy protagonistët, pra, që nga fusha përfunduan në qelitë izoluese të komisariatit… Për të parin, shumë mirë që kujtohet, për të dytin çdo fundviti i rikthen trishtimin e dhjetori të ’79-ës. Më i rezervuar është arbitri Bukoviku, që e konsideron të mbyllur dhe nuk dëshiron ta komentojë. Pastaj, rikthimi nga dënimi, ku Ismaili do të luajë në derbin e dytë, atë të kthimit zhvilluar e fituar 1-0 në Kuçovë. Po kështu edhe Koçi do të shkëlqejë si goleador. “Panorama Sport” e risjell atë ngjarje në një rrëfim rrëqethës nga vetë protagonistët, një histori e veçantë, sa sportive aq dramatike, që tronditi një opinion sportiv.

tomori naftetari (1)

KUR HISTORINË NUK E BËJNË VETËM KAMPIONËT 

Historinë në sport nuk e kanë bërë vetëm kolosët, fenomenët, kampionët e mëdhenj, por edhe talente, individë të spikatur, që për një arsye apo tjetër u ka munguar fama dhe kujtohen shumë pak. E vërteta është që edhe ata në një moment, në një episod, ndeshje apo eveniment, kanë qenë protagonistë absolutë për historinë e një klubi, të një skuadre apo një kombi. Por, kjo natyrisht nuk ka qenë e mjaftueshme për t’u konsideruar të famshëm. Kujtoj gjithmonë Qoljen, beratasin e ardhur ushtar te Partizani, për golin ndaj 17 Nëntorit në ditën që “u shemb stadiumi”… Kujtoj sulmuesin Albert Sejdari me golin e realizuar në të vetmin derbi që luajti, Partizani-17 Nëntori 1-0. Po kështu, Kërçiçët e Skënderbeut, N. Duçkën, goleadorin e paharruar të Labinotit, Kovaçin e shquar të Tomorit, Himën e Lokomotivës, Koçin e Skuron e Naftëtarit, Ramën e Besëlidhjes, peqinasin goleador Kateshi apo edhe Toskën e Korabit e mjaft të tjerë.

dddddd logo

DERBI LUMOR “OSUMI”, ZJARR PËR KOHËN! 

Ishte një dekadë që futbolli i zonës, ose derbi Tomori-Naftëtari, po përjetonte kulmin e tij. Një zjarr i vërtetë ka qenë. Kush e ka jetuar nga afër, e di mirë këtë. Beteja dramatike, të tensionuara, rivalitet deri në minutat e fundit, interesim i madh e që ndiqej nga shumë spektatorë. Me futbollistë të talentuar në përbërje, skuadra protagoniste të kampionateve të asaj periudhe, duke rivalizuar klubet e elitës. Me Kovaçin dhe Koçin goleadorë, beratasit krenoheshin edhe me Karkanjozin, Bakllin, Matrapazin, Ciringirin, Arbërin, të riun Mile dhe kuçovarët nga ana tjetër me portierin Ismaili e më pas Koroveshi, Sulejmani, sulmuesit Skuro, Halilaj, Prifti etj., që drejtoheshin edhe nga trajnerë të kualifikuar e të njohur të ardhur edhe nga Tirana. Qytetet i përjetonin shumë ato ndeshje me tension dhe rivalitet. Kishin lojtarë të mirë, goleadorë të shquar, që nga Kovaçi, Arbëri, Koçi, Skuro apo futbollistë të njohur, si ish-portieri i Partizanit Ismaili, vëllezërit Kokalari, Ciringiri, Halilaj etj.

ffffff

Skuadrat janë drejtuar nga trajnerë kalibri si Birçe, Deliallisi, Dauti, Mukli. Në sezone të ndryshme kanë pasur ulje-ngjitjet, duke i provuar të dyja kategoritë. Si Tomori edhe Naftëtari garantonin lojë dhe gola në ato vite dhe merrnin pjesë sistematikisht në Kategorinë e Parë. Për të ardhur te kampionati kombëtar 1979-’80, me 14 skuadra, kur në mesjavën e 12-të luajnë përballë njëra-tjetrës. Luhet te Fusha e Vjetër, që nuk i plotëson kriteret e që nuk ofron mundësi për spektatorët e shumtë në numër. Për miqtë nuk luan titullari Skuro, lojtar i rrezikshëm, që me Koçin dhe Dashin ishin problem për kundërshtarët. Për këtë sfidë delikate, FSHF ka caktuar arbitrin Bukoviku, me asistentët A. Preka dhe E. Caslli, të tre nga Tirana. Para dy javësh në Durrës, bashkë me A. Imamin dhe M. Spahiun, ai kishte gjykuar edhe Lokomotiva-Naftëtari 1-1 (Koçi, Hima). Ndeshja u mbyll 3-2 për vendësit. Në një shkrim të të paharruarit, njeriut mitik beratas, mikut, qytetarit të apasionuar, Vlash Pambuku, që nuk jeton, në disa radhë, në një koment për ndeshjen, bashkë me kronikën, në fund me këto pak fjalë informohemi se “pas pësimit të golit të tretë loja e Naftëtarit pati një ulje të ndjeshme. Te disa lojtarë u manifestuan shenja nervozizmi dhe veprime të papëlqyeshme. Koçi përjashtohet nga loja dhe portieri Ismaili kryen gjeste antisportive. Ndaj këtyre lojtarëve kolektivi dhe klubi duhet të mbajnë qëndrim”. Ndërkohë, pas dy ditësh luhet java e fundit me të cilën mbyllet faza e parë, me 5 skuadra në krye, Luftëtari, Vllaznia, Partizani, 17 Nëntori, Dinamo me 16 pikë. Naftëtari në vendin e 12-të me 10 pikë. Por, në skedën e takimit Naftëtari-Vllaznia 2-3, nuk figurojnë emrat e portierit Ismaili dhe të sulmuesit Koçi, madje ky i fundit është hequr edhe nga lista e shënuesve që e kryeson Kovaçi (Tom) 12 gola, Seiti (Luf) 11; Gëzdari (17 Nënt) 9 dhe pas tyre Koçi (Naf )8 etj. Diçka kishte ndodhur…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"